Kompania e arkitektit danez Bjarke Ingels Group ka reaguar në lidhje me zërat për tërheqjen nga projekti për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Arkitekti i përzgjedhur për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar Bjarke Ingels deklaron përms një emaili se nuk është tërhequr dhe projekti do të vijojë normalisht. Shqiptarja.com publikon letrën e plotë të arkitektit danez. Përmes këtij reagimi zyrtar, Bjarke Ingels ka përgenjështruar portalin EXIT të Neritan Sejaminit, ish-këshilltarit të Berishës, duke theksuar se Teatri i Ri do të bëhet.

Jemi tejet të kënaqur sa i përket përfshirjes sonë të vazhdueshme në dizenjimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Shprehim dëshirën e përfshirjes aktive të kontributeve nga përdoruesit dhe të zhvillojmë dizajnin, për t’u kthyer në institucionin kombëtar publik, që vendi dhe arti e spektakli meritojnë. 

Bjarke Ingels, arkitekt i Teatrit të Ri

Letra e arkitektit Bjarke Ingels ku mohon të jetë tërhequr nga projekti i Teatrit Kombëtar

Edhe në faqen zyrtare të studios Bjarke Ingels Group, ose siç njihet shkurt BIG, projekti i Teatrit Kombëtar është me status në zhvillim (in progress) (Lexo këtu) çka do të thotë se është po kjo studio e cila vijon të ketë në dorë zbatimin e projektit në terren përmes kompanisë së ndërtimit Fusha sh.p.k. Element i fortë ky që rrëzon pretendimet e portaleve pranë opozitës për përplasje mes arkitektëve me kompaninë e ndërtimit apo dhe largim të arkitektit Bjarke Ingels. 

Detajet e projektit në faqen online të 'BIG'. Projekti i Teatrit Kombëtar është me statusin në zhvillim (in progress)

Studio arkitekturore e ka qendrën e saj në Kopenhagen dhe në Nju Jork, dhe përfshin arkitektë, projektues dhe ndërtues. Kjo studio ka realizuar një sërë projektesh të rëndësishme në vende në ndryshme, ndërkohë që aktualisht është e përfshirë në një numër të madh projektesh në të gjithë Europën, Amerikën e Veriut, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Që nga viti 2016, zyra ka mbi 400 punonjës nga 25 vende të ndryshme të botës.

Një ndër veprat më të bukura pritet që të jetë edhe ndërtimi i stadiumit të Barcelonës, dizenjimi i të cilit është besuar pikërisht Bjarke Ingels Group. Paralelisht, arkitektët e Bjarke Ingels Group, që do të kujdeset edhe për Teatrin e ri Kombëtar në Tiranë, është përzgjedhur edhe për ridizenjimin e Qendrës Botërore të Tregtisë, e rindërtuar në Manhattan, New York City që do të zëvendësojë dy kullat e shkatërruara nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Bjarke Ingels Group filloi të ridizenjojë Qendrën Tregtare Botërore në dhjetor 2014. Gjithashtu i është besuar edhe projektimi i Googleplex.