TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit është duke u plotësuar. Më në fund 28 agjentët e parë janë zgjedhur nga 37 që ishin gjithsej. Mësohet se 9 agjentë janë djegur për shkak të problemeve me pasurinë personale si edhe të familjarëve.
BKH njofton se kandidatët, që kanë kaluar ose jo kushtet e sigurisë, do të njoftohen individualisht.
"Kandidatët e kualifikuar do ti nënshtrohen trajnimit me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohen. Vendi, data dhe ora e zhvillimit të trajnimit dhe udhëzime të hollesishme do të njoftohen në ditët në vijim në ëebsite-in e BKH-së, (BKH.al).
Verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri", thuhet në njoftim.
Për tu plotësuar përfundimisht BKH duhet të ketë 60 anëtarë. Ndaj vijon procesi i rekrutimit për 32 pozicionet “Hetues”, të pa plotësuara. Kandidatët do të duhet të kalojnë testin fizik fillimisht dhe më pas një seri kontrollesh.