Presidenti i FIFA-s Joseph Blatter nuk e fsheh dëshirën e tij që Topi i Artë ti shkojë një lojtari spanjoll ndërsa jep vlerësime maksimale për kombëtaren e këtij vendi. "Më pëlqejnë lojtarët si Iniesta, Kasijas dhe Ksavi. Nëse vota do të ishte vetëm për lojtarët unë mendoj se çmimi i topit të artë duhet ti shkonte një lojtari spanjoll. Kjo edhe nisur nga ajo çka pamë në kampionatin evropian. Gjithsesi nuk mund të ndikojmë", tha Blatter.

 Ai shprehu admirimin për kombëtaren spanjolle duke thënë se është çështje kualiteti. "Skuadra e parë ka kualitet ashtu sikurse është skuadra e të rinjve apo klubet e La Ligas. Mjafton që ju të shikoni se si dy prej skuadrave spanjolle arritën në gjysmë finalet e Ligës së Kampioneve dhe dy të tjera shkuan në finalen e Ligës së Evropës", u shpreh ai. Çelësi i suksesit sipas tij qëndron tek puna e vazhdueshme prej vitesh që tanimë ka dhënë rezultat. "Jam i kënaqur që Spanja është kampione e Evropës dhe e botës. Ndoshta ata mendojnë edhe se do të ishte më e mira të mos fitonin gjithçka por të linin diçka edhe për të tjerët", pohon Blatter duke qeshur. Duke ju bashkuar debatit nëse Spanja është skuadra më e madhe e kohërave, Presidenti i FIFA-s mendon se kjo mund të thuhet por gjithsesi duhet marrë parasysh fakti se çdo skuadër ka kohën e saj dhe brezat e saj. "Brazilianët e viteve 1970 ishin si fishekzjarre me një sulm të mrekullueshëm. Skuadra spanjoll e Kupës së Botës dhe mbi të gjitha ajo që pamë në finalen e Kievit është imazhi i një futbolli total, një skuadër në të cilën edhe portieri krijon një pjesë të lojës", përfundon Blatter.
(dm/shqiptarja.com)