Berati ishte mikpritës i Kampionatit të 47-të Kombëtar të Qitjes me Pjatel, ku morën pjesë 22 ekipe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova.
Garat u zhvilluan në poligonin e hapur të qitjes në lagjen "Uznovë", ku sportistët konkurruan në kategorinë individuale dhe atë ekipore.
Pas rreth tre orësh garë, kampion në disiplinën individuale u shpall Bledar Mara, i Shoqatës së Gjuetarëve Dimal. Vendin e dytë e zuri Emin Zalla, ndërsa i treti u rendit Ermir Karafili.
Në garën e ekipeve, titullin kampion e fitoi Shoqata e Gjuetarëve të Vaut të Dejës. Në vendin e dytë u rendit Shoqata e Gjuetarëve të Laçit, ndërsa e treta doli Shoqata e Gjuetarëve të Krujës.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Gjuetarëve, Thimo Përi, tha se ky kampionat është një traditë shumëvjeçare që po rritet çdo vit si në numrin e pjesëmarrësve, ashtu edhe në nivelin e garës. Sipas tij, Berati zgjidhet si qytet organizator pasi disponon poligonin më të përshtatshëm të qitjes në vend për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Përi theksoi se objektivi i Shoqatës Kombëtare të Gjuetarëve është rritja e nivelit të sportit të qitjes me pjatel dhe përgatitja e sportistëve për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare, me synimin afatgjatë për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike.
Komente







