Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është vlerësuar me çmimin “Luani i Artë për Merita” në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Senatit Italian. Vlerësimi iu akordua me vendim të Komitetit të Luanit të Artë të Venecias dhe iu dorëzua gjatë ceremonisë së sotme.
Duke falënderuar organizatorët, Gonxhja e lidhi këtë moment me formimin e tij në art dhe me përgjegjësinë që mban në detyrën publike. Ai theksoi se institucionet kanë detyrën ta kthejnë pasurinë historike, trashëgiminë kulturore dhe krijimtarinë në mundësi zhvillimi për brezat e rinj, duke nënvizuar se ruajtja e kulturës lidhet me kujdesin për atë që është trashëguar dhe me zgjedhjet që bëhen sot për ta përcjellë atë në të ardhmen.
Në fjalën e tij, ministri u ndal edhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke e cilësuar Adriatikun si një hapësirë takimesh dhe shkëmbimesh, ku kultura mbetet një formë e qëndrueshme diplomacie që afron shoqëritë dhe krijon mundësi të reja bashkëpunimi.
Gonxhja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe artistëve, si edhe mbështetjen për talentet e rinj, si hapa për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Sipas tij, ky çmim është edhe një vlerësim për punën e artistëve dhe profesionistëve të kulturës e turizmit, ndërsa do të shërbejë si një përgjegjësi e shtuar për të çuar përpara projekte të reja në sektorët që mbulon ministria.
Në ceremoni u nderuan edhe personalitete nga fusha të ndryshme, si diplomacia, institucionet publike, mjekësia, bota akademike, drejtësia, arti dhe kultura. Mes të pranishmëve ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
“Luani i Artë për Merita” është një vlerësim i Gran Premio Internazionale di Venezia, që u jepet personaliteteve të spikatura për kontributin e tyre në art, kulturë, shkencë, ekonomi, sport dhe veprimtari shoqërore.







Komente
Komento