Blerim Çela: Reformim PD por 
pa Berishën, e mbylli ciklin

Blerim Çela: Reformim PD por <br />pa Berishën, e mbylli ciklin
TIRANE - Njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike, ish-deputet i saj dhe ish-kryetari i parë i Kontrollit të Shtetit Blerim Çela, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ka shpjeguar arësyet se humbjes së të djathtës shqiptare të udhëhequr nga PD dhe Sali Berisha në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Teksa ka renditur arësyet e humbjes, ai i ka mëshuar fort humbjes së indentitetit të së djathtës duke përmendur dështimin në kthimin dhe kompensimin e pronave dhe në dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politike, por dhe se kishte një shkëputje të fortë nga baza e partisë, sidomos pas ardhjes në pushtet. Për Çelën në PD nuk ka pasur dhe nuk ka demokraci, pasi të gjitha lëvizjet, deri dhe te zgjedhjet brenda saj janë të paracaktuara, siç ndodhi dhe me kryetarin e ri të partisë. Për të emërimet klienteliste dhe korrupsioni sollën dhe shkatërrimin e së djathtës në këtë masë, por dhe koalicioni me LSI dhe largimi i njerëzve dhe drejtuesve me kontribute në këtë parti ndihmuan shumë në rezultatin negativ të zgjedhjeve të 23 qershorit. Çela nuk ka munguar të shprehet se duhet të reformohet thellësisht PD, jo sipas modelit të Ramiz Alisë që tentoi të reformojë PPSH por përmes një procesi real reformues.

Në këtë kontekst ai ka përmendur faktin se të gjithë ata që kanë themeluar Partinë Demokratike, por dhe vetë PD e ka mbyllur ciklin e vet, dhe këtu nuk përjashton as liderin historik të PD dhe ata që ishin në krye të kësaj partie dhe që çuan atë në humbjen e zgjedhjeve. Ndaj për të një akt rithemelimi të PD me njerëz të rinj dhe të përkushtuar nga baza është një domosdoshmëri për një reformë reale në PD. Çela është shumë i ashpër dhe me veten, pasi nënvizon se të gjithë të vjetrit e PD, përfshirë dhe ish-kryetarin Berisha as që duhen qasur më në këtë parti, në strukturat dhe forumet drejtuese të saj. 

E djathta e drejtuar nga Partia Demokratike dhe kreu i saj Sali Berisha, njëherësh kryeministër për tetë vite, shënoi një humbje të thellë në zgjedhjet e 23 qershorit përballë të majtës së drejtuar nga Edi Rama. Cilat mendoni se janë shkaqet e humbjes?

Shkaku kryesor që solli humbjen e Partisë Demokratike dhe të djathtës në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit është mungesa e rrotacionit mes elitave drejtuese dhe sidomos i kryetarit në Partinë Demokratike. Por dhe largimi i tij dhe i drejtuesve kryesorë nga anëtarët e thjeshtë të partisë dhe mosmarrja në konsideratë e kontributeve dhe arsimit real në ndarjen e posteve drejtuese shtetërore. Gjithashtu forumet e partisë nuk funksiononin, si rezultat i eliminimit të demokracisë së brendshme në parti dhe sidomos humbja e identitetit ndaj të djathtës me mosdëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë, moskthimin dhe kompensimin e pronave për ish-pronarët dhe aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Të gjithë këtyre elementëve negativë, shtoju dhe largimin e shumë figurave të njohura të Partisë Demokratike gjatë 20 viteve, që dobësuan dhe shuan mendimin kritik brenda partisë dhe sollën kthimin e saj në një ‘domen’ të një njeriu që nuk përfaqësonte më as lirinë e mendimit më të thjeshtë në parti, ku dhe zgjedhjet e strukturave drejtuese në bazë dhe sidomos në qendër paracaktoheshin, ndërsa zgjedhjet ktheheshin në një farsë që humbën besimin e anëtarësisë tek Partia Demokratike, sollën dhe këtë situatë që është sot.

Këto mendoni se janë shkaqet kryesore që sollën largimin e të djathtës nga pushteti pas tetë vitesh qeverisjeje..?
Mund të them dhe shkaqet të tjera që sollën të djathtën në këtë situatë. Kështu, problemet e ngritura nga baza nuk përfilleshin sidomos nga kandidaturat për poste partiake dhe shtetërore. Ata zgjidheshin nga njerëzit e afërt të kryetarit të partisë sipas shkallës së servilizmit dhe konformizmit dhe jo të punës, moralit dhe reputacionit. Kjo i largoi në heshtje njerëzit e ndershëm dhe idealistë nga e djathta dhe kontributet, duke dobësuar dukshëm forcën lëvizëse të partisë që janë militantët dhe simpatizantët me në krye intelektualët. Për këto arësye partiake dhe të tjera shtetërore që nuk vazhduan me tempin e viteve 2005-2009, sidomos lufta antikorrupsion dhe antikrim që u dobësuan nga moszgjedhja e specialistëve të aftë dhe me moral në krye të punëve, për shkak të interesave klienteliste të disa prej udhëheqësve të rëndësishëm të PD, nuk e di përse nga kryetari, sollën dobësinë e shtetit, pasigurinë tek qytetarët dhe humbjen e besimit tek ndërkombëtarët se në Shqipëri kishte një demokraci funksionale.
Sigurisht që përgjegjsia kryesore bie mbi kryetarin dhe kryesinë e partisë, sepse Këshilli Kombëtar nuk ka funksionuar as formalisht për vite e vite me radhë.

Kush mendoni se e shkatërroi të djathtën në Shqipëri dhe sa shanse ka ajo që tashmë në opozitë të ringrihet dhe njëherë në nivelin e duhur jo vetëm për të pretenduar por dhe për të gjetur rrugën për të ardhur në pushtet që në zgjedhjet e ardhshme...?
E djathta shqiptare duhet të ngrihet por ajo nuk mund të ngrihet sipas modelit që përmendëm më lart. Së pari, duhet të kthehet në një forcë reale të djathtë, sepse deri më tani nuk ka qënë e tillë. Së dyti, reformimi nuk mund të bëhet si me Partinë e Punës së Shqipërisë që u bë Partia Socialiste nga Ramiz Alia në vitin 1991. Ajo duhet të reformuar që në themele, duke nxjerrë në pah figura të spikatura nga vetë baza e partisë, e jo me zgjedhje farsë siç u veprua dhe në zgjedhjet e fundit në krye të PD. Asnjë nga ne të vjetrit nuk duhet qasur më në strukturat dhe forumet drejtuese të së djathtës në Shqipëri. Pasi ne, ashtu si partia që themeluam e mbyllëm ciklin tonë, nuk përjashtoj këtu as kryetarin e dorëhequr të Partisë Demokratike dhe as ata që ishin në krye të partisë dhe e çuan atë në humbje më 23 qershor të këtij viti. Të gjithë ne jemi përgjegjës që mbollëm modelin e “njëshit” në parti. Po vazhdoi më ketë model, PD dhe e djathta e ka rrugën shumë të gjatë në opozitë. Prandaj, ata që e duan të djathtën, të gjejnë rrugë të tjera e jo të mbështeten në një forcë që mendon që duke sharë dhe përbaltur opozitën atëherë dhe tani mazhorancën e re, do të mund të fitojë simpatinë e popullit. Kjo mund të ndodhë, pra që të ringrihet PD vetëm nëse e majta do të veprojë si Partia Demokratike në këto vite. 

Si e vlerësoni projektin e kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për ngritjen e Byrosë Shqiptare të Hetimit, Komisionin Parlamentar Antimafia e thirrjen e një auditi ndërkombëtar për të verifikuar financat publike në Shqipëri?
Projekti i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama për hetime më duket mjaft pozitiv nëse zbatohet sinqerisht, ndryshe është një hiporizi që do t’i kthehet në bumerang. Së pari hetimi nuk duhet kryer vetëm mbi opozitën e re e cila lë pushtetin, por edhe mbi bosët e përlyer të së majtës që i ka në pushtetin lokal dhe në Parlament. Së dyti nuk e di sa do ti çojë deri në fund prokuroria dhe gjykata zbulimet e paanshme që do të nxjerrë hetimi. Dhe së treti sa është në gjendje Edi Rama të përballojë presionin që do të ushtrojnë bosët e krimit, që ka dhe në krahun e tij. 

Sa besoni te Edi Rama kryeministër se do të realizojë ndryshimin qëe ai ka pretenduar në fushatë përmes premtimit për “Rilindje Shqiptare”...?
Premtimet e Ramës janë shpresëdhënëse nëse i mban. Por sa do të jetë në gjendje kryeministri i ardhshëm të përballojë presionin e militantëve?! Veçanërisht për zëvendësimet në administratën publike. Këtë nuk e di. Ne duhet të presim dhe të shohim sjelljen e tij ndaj administratës, ndaj institucioneve dhe pastaj të japim gjykimin tonë nëse janë realizuar ato që ka premtuar.

Një ndër premtimet e mazhorancës së re qeverisëse ka qënë dhe zgjidhja e problemit të pronave. Keni besim...?
Pronat janë një ndër problemet më të rëndësishme dhe më gangrenë në këto vite. E majta duhet të ktheje pronat tek pronari i ligjshëm dhe zbulojë ku janë vjedhur pronat dhe të përballen me ligjin të gjitha ata që kanë tjetërsuar pronat në mënyrë të paligjshme, qoftë majtas qoftë djathtas. Kështu ndërtohet shteti ligjor dhe i së drejtës në Shqipëri, për këtë ka nevojë vendi dhe për këtë kanë nevojë qytetarët shqiptarë, të cilët disponojnë një pronë dhe duan që ta kenë ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë