Euro është forcuar në tregun e brendshëm valutor, duke reflektuar kërkesën e lartë për valutë për blerjen e energjisë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.3 lekë, duke u rritur me 0.22 lekë në krahasim me ditën e mëparshme. Në rritje ishte dhe dollari, që u këmbye me 105.5 lekë, ose 0.4 lekë më shumë se një ditë më parë.
Monedha e përbashkët ka arritur në tregun e brendshëm në nivelin më të lartë që nga korriku i këtij viti.
Aktorët e tregut pohojnë se rritja e euros është ndikuar nga kërkesa e lartë e bankave për të blerë valutë. Ditën e sotme aktive ishin sidomos Credins, BKT, Tirana, duke ndikuar në forcimin e ndjeshëm të euros. “Kërkesa ka lidhje ekskluzivisht me energjinë”, pohojnë ekspertët e tregut.
Që nga 12 tetori, euro është mbiçmuar me një lek në tregun vendas, duke shënuar dhe rritjet më të mëdha ditore përgjatë këtij viti (përkatësisht +0.32, +.013 dhe +0.22 lekë në tre ditët e fundit).
Furnizuesi i Tregut të Lirë(pjesë e OSHEE Group) është detyruar gjatë këtij viti të blejë energji elektrike me çmime rekord nga tregu i lirë për shkak të situatës hidrike problematike por edhe krizës së përgjithshme energjetike në tregjet globale që kanë çuar bursat në nivele të papara më parë.
Vetëm në tetor FTL shpenzoi rreth 65 milionë euro për të siguruar energjinë që konsumohet në vend me çmime që në disa raste kaluan edhe 300 euro MWh. Qeveria lehtësoi blerjen e energjisë përmes mundësimit të një fondi 100 milionë euro për OSHEE duke dalë garant për këtë të fundit në kushtet kur u shpall edhe emergjenca e furnizimit që zgjat deri në 15 prill 2022.
Një tjetër faktor që po ndikon në rritjen e kërkesës për valutë lidhet me rritjen e çmimeve të shumë produkteve, që po detyron importuesit që të blejnë më shumë valutë për të paguar mallrat e tyre./ Monitor