Blerje votash, policia i dorëzon
Akuzës provat kundër Ismailit

TIRANË - Policia e Tiranës depozitoi në prokurori kallëzimin penal ndaj kreut aktual të bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili i cili është denoncuar në komisariatin 6 nga dy qytetarë pasi i ka paguar ata me nga 10 mijë lekë në këmbim të votës në zgjedhjet e 21 qershorit. A1Report ka mësuar se kallëzimi ndaj Ismailit është referuar në nenin 328 të Kodit Penal, i cili lidhet me krimet zgjedhore për blerjen e votës është.  Referuar këtij neni Ismaili akuzohet për dhënien e shpërblimeve dhe premtimeve për marrjen e votës nga qytetarët, e nëse në përfundim të hetimeve kryebashkiaku gjendet fajtor rrezikon nga gjashtë muaj deri në 2 vite burgim.

Dhënia e shpërblimeve në këmbim të votës, u fut si vepër penale me ndryshimet ligjore më 1 mars të vitit 2012 në të cilin thuhet si më poshtë “ Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale”.

Ndër provat bashkëlidhur kallëzimit të policisë depozituar këtë të hënë në prokurori janë dhe dëshmitë e banorëve të Vorës  B.S 45 vjeç dhe Sh.B 49 vjeç, të cilët në polici kanë dëshmuar se janë paguar me nga 10 mijë lekë në këmbim të votës për kreun aktual të bashkisë dhe kandidatin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 21 qershorit, dhe që synon mandatin e katërt. Blerja e votës, sipas dëshmive të tyre është bërë në zyrat e firmës së miellit “Agro Blend” të kryebashkiakut Ismaili.

Sipas deklarimeve të tyre, pagesat u janë bërë nga vetë Fiqiri Ismaili, ndërsa të njëjtat burime nga prokuroria e Tiranës sqaruan se Ismaili nuk ka dhënë ende deklarime në polici dhe sapo dosja t’i kalojë Task-Forcës për krimet zgjedhore ai do të thërritet për të dëshmuar.

Por publikisht Ismaili i ka mohuar këto akuza duke deklaruar se qëndrimet e dy banorëve të Vorës janë shpifje. 

Prej disa ditësh bashkia e Vorës është kthyer në qendër të akuzave sa i përket blerjes së votave dhe shtimit në lista të votuesve fiktivë. Ishte sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, i cili artikuloi disa ditë më parë akuzat nga salla e Kuvendit për shtim në lista të zgjedhësve të rreth 600 personave të cilët nuk kishin lidhje me Bashkinë e Vorës. 

Fiqiri Ismaili, i cili drejton prej 3 mandatesh bashkinë e Vorës, garon edhe në këto zgjedhje nën siglën e Partisë Demokratike përballë kandidatit te koalicionit te majte Luan Sallaku.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati