Blerta Zhegu këndon Valerian
në Operën e Novaras

Blerta Zhegu këndon Valerian<br />në Operën e Novaras
TIRANE- “Kënga e dashurisë triumfuese” (“Il canto dell'amore trionfante”) është premiera botërore që i është besuar një sopranoje shumë të re shqiptare në Teatrin Coccia të Novaras, Itali. Sopranoja e talentuar, Blerta Zhegu, ka debutuar rolin e Valerias në premierën e operës “Il canto dell'amore trionfante” me libret të shkruar nga Paolo Coletta, sipas romanit “Kënga e dashurisë triumfuese” të Turgenjevit. Regjisori i mirënjohur italian Paolo Coletta ia ka besuar suksesin e kësaj premiere sopranos shqiptare Blerta Zhegu, e cila u ngjit në skenë mbrëmë në teatrin operistik të Novaras së bashku me tenorin Vladimir Routov (Fabio) me baritonin Alberto Zanetti (Muzio) dhe me pjesëmarrjen e balerinit Vito Carretta.

Teatri Carlo Coccia është një teatër me një histori të veçantë që i përket trashëgimisë së muzikës italiane. I dekoruar me stilin e Rilindjes, për t’u frekuentuar në fillim nga shtresat aristokrate të Novaras, ky teatër sot vazhdon të jetë një më të rëndësishmit e Italisë. I reduktuar pas restaurimit (nga 1500 vende që pati në kohën e ndërtimit të tij më 1888), sot mban ai pret rreth 1000 spektatorë.

Sopranoja Blerta Zhegu ka rënë menjëherë në sy për talentin e saj në premierën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dy vjet më parë. Duartrokitjet e publikut shqiptar ishin mjaft inkurajuese për të. Për të ushqyer ëndrrat dhe talentin, Blerta Zhegu prej me shumë se një viti jeton ne Francë. Atje sapo ka mbyllur stazhin njëvjeçar në Centre National d'Artistes Lyriques (një nga strukturat më të rëndësishme për artistët operistikë në Europë).

Blerta Zhegu kthehet të debutojë në Itali, sepse për të Italia mbetet vendi ku ka nisur karrierën e saj. E intervistuar një ditë para premierës nga “Shqiptarja.com”, ajo rrëfen me modestinë e saj të lindur emocionet që e lidhin me premierën që u dha mbrëmë në teatrin Coccia të Novaras, Itali. 
 
 
Blerta, me sa kujtoj dy vjet më parë ju ratë në sy si soprano shumë e suksesshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Përse u kthyet të këndoni në Itali?
 
-Unë sapo kam mbyllur stazhin njëvjeçar në Centre National d'Artistes Lyriques në Francë. Jam kthyer të këndojë në Itali, sepse për mua Italia mbetet vendi ku kam nisur karrierën me operën "The telephone" në Teatrin e Bolzano-s dhe sërish në shtator të këtij viti jam vlerësuar si fituese e çmimit të tretë të konkursit “Trofeo la Fenice”. Për momentin e ndjej veten me fat që profesioni im më jep mundësinë të udhëtoj, të zbuloj çdo herë një realitet të ri, si dhe të pasuroj botën time artistike nëpërmjet zhanreve të ndryshme (në rastin konkret nëpërmjet operës bashkëkohore).
 
 
Më tregoni pse ua besuan pikërisht juve rolin e kësaj premiere dhe cilët janë protagonistët e saj?
 
-Dirigjentja e operës Nathalie Marin, me të cilën kam bashkëpunuar disa herë në produksione të ndryshme, më propozoi për rolin kryesor të Valerias në këtë opera, por vendimi kryesor u mor nga kompozitori i saj Paolo Coletta, i cili dalloi tek zëri, personaliteti dhe paraqitja ime karakteristika të shumta të personazhit të imagjinuar prej tij. 
I frymëzuar nga tregimi me të njëjtin titull i Turgeniev-it, opera "Il canto dell'amore trionfante" ka në qendër të saj miqësinë e tre personazheve Valeria, Fabio dhe Muzio dhe dashurinë e të dy djemve për të njëjtën vajzë. Këtij "trekëndëshi" i shtohet dhe figura e një malezi misterioz (i interpretuar nga një kërcimtar) që i jep kësaj drame psikologjike nuanca ekzotike dhe mistike.
 
 
Është e lehtë që t’ua besojnë këngëtarëve të rinj në Teatrin me traditë të Novaras suksesin e një premiere kaq të rëndësishme?
 
-Natyrisht do preferoja t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje ata që besuan tek mua, por mund të them që mundohem që t’iu përgjigjem kërkesave të larta që ky rol ka nga ana muzikore, stilistike dhe aktoriale. 
Te jesh interpretuesja e parë e një roli që lind është një sfidë dhe nuk e mohoj që m’u desh pak kurajo për ta marre përsipër, por nga ana tjetër ndihem veçanërisht e motivuar që mund t’i lejoj vetes pak më tepër liri, duke shkelur herë pas here rregullat e interpretimeve më tradicionale.
 
Më trego si dhe kur ike nga Shqipëria. Cili ishte motivi i largimit?
 
-Jam larguar nga Shqipëria pas studimeve te larta dhe mendoj që motivi kryesor ka qenë nevoja për të zgjeruar njohuritë e mia, për t’u përballur me sfida të reja e për të marrë vendime mbi të ardhmen time pas njohjes me realitete të tjera e të ndryshme nga realiteti i vendit tim.
 
Keni dëshirë të ktheheni të këndoni në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tirane? Cilat janë kujtimet që ju lidhin me profesionin në Shqipëri?
 
-Natyrisht që kam dëshirë të rikthehem në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe uroj që kjo dëshirë të jetë reciproke. Kujtimi me i bukur i shfaqjeve në skenat shqiptare mbetet dashamirësia e publikut e duartrokitjet e ngrohta e të sinqerta që mund të vijnë vetëm nga artdashës të vërtetë dhe njerëz me zemër të madhe.

Blerta Zhegu




















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Emigrantët shqiptarë protestë simbolike në Milano: Duam të votojmë në 2025! Protestë dhe në Hagë

Emigrantët shqiptarë protestë simbolike në Milano: Duam të votojmë në 2025! Protestë dhe në Hagë