Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, është bërë personazhi më i komentuar në rrjetet sociale pasi pranoi se kishte blerë një glob për të gjetur Groenlandën, pasi Donald Trump bëri të ditura ambicient e tij për përvetësimin e territorit autonom të Danimarkës. 

“E bleva për të parë saktësisht ku është Groenlanda,” tha ai, duke treguar se kishte paguar rreth 15 mijë korona çeke, afërsisht 720 dollarë, për një glob “të bukur dhe të madh”. Mjaftoi kaq dhe rrjetet sociale shpërthyen.

Një përdorues e talli duke thënë se “një pensionist naiv u mashtrua nga shitësit e globeve”, ndërsa një tjetër i sugjeroi të shikonte edhe Ukrainën, “për të parë sa afër është lufta”.

Në një video në Facebook, Babis u përpoq ta kthente situatën në favor të tij, duke thënë se globi tregon më qartë përmasat reale të Groenlandës dhe afërsinë e saj me Rusinë.

“Disa qeshin me mua, por truri i tyre funksionon ndryshe nga i imi,” tha ai, duke pranuar se të paktën kishte argëtuar publikun. 

Në një video të postuar të martën në Facebook, miliarderi krahasoi globin e tij me hartat e sheshta që sipas tij shtrembërojnë realitetin gjeografik.

“Në këtë glob të bukur mund të shohim madhësinë reale të Groenlandës krahasuar me SHBA-të dhe Europën. Edhe Rusia është afër, dhe nëse do të kishte një konflikt, Zoti na ruajt, raketa nuk do të duhej të shkonte larg”, shtoi ai.

Ndërkohë, faqja çeke e krahasimit të çmimeve Heureka bëri të ditur se kërkimet për globe janë rritur me mbi 400 për qind brenda pak ditësh.

Andrej Babis drejton një qeveri koalicioni me tre parti dhe ka marrë personalisht drejtimin e politikës së jashtme që nga dhjetori por episodi i fundit tregon se diplomacia kërkon më shumë se një glob mbi tavolinë.