Blinken në Tiranë, takim 110 minuta me Ramën: Anëtarët e krimit të organizuar të përfundojnë në gjyq! Kryeministri: Rrëzuam mitin e pandëshkueshmërisë

TiraneShqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatë të ngushtë në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së përpara sfidave e çështjeve vendimtare. Në ndihmë të Ukrainës, ruajtjes së paqes në Kosovë dhe për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s.

Ky është zotimi që do të vijojë më tej dhe u përforcua sot (15 shkurt 2024) edhe me vizitën e Sekretarit Amerikan Antony Blinken në Tiranë i cili pasdite pati edhe një takim të gjatë prej 110 minutash me kryeministrin Edi Rama.

"Një bashkëbisedim i hapur, i thellë dhe nga niveli i ndërveprimit dhe i mirëkuptimin mes nesh" e cilësoi Rama takimin e tyre, ndërsa Bliken e vlerësoi 'të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë"

E në këto kohë shumë të trazuara, jo vetëm në kufi të Europës, 'dielli shkëlqen' në marrëdhëniet mes SHBA e Shqipërisë tha Sekretari Blinken i cili nuk u kursye të tregonte sa shumë çmohet kjo miqësi dhe vlerëson kryeministrin Rama si 'një partner të jashtëzakonshëm të SHBA"

 "Jam këtu në vizitën time të parë si Sekretar i Shtetit në Shqipëri dhe sepse ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që  të përfitojë si populli shqiptar edhe populli në SHBA, madje edhe përtej dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme partneriteti " tha Sekretari amerikan Blinken.

Nga ana e tij kryeministri Rama vlerëson vizitën si shenjë e rëndësishme për miqësinë SHBA - Shqipëri.

"Fakti që ju gjetët kohë dhe njëkohësisht dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër dhe këtij rajoni, u shpreh Rama.

 Në konferencën e përbashkët të dy liderët zbuluan dhe temat e takimit që zgjati gati dy orë.

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë 

Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Sekretari Blinken u shpreh falënderues që Shqipëria ka bërë pjesën e saj në NATO dhe është e angazhuar që të vazhdojë të bëjë dhe të mbajë detyrimet e saj.

Reforma në drejtësi

Sundimi i ligjit, institucione demokratike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çështja e dytë për të cilën kanë folur. Sekretari Blinken garantoi mbështetjen e SHBA-së

Antony Blinken: "Zoti Kryeministër dhe unë kemi diskutuar gjithashtu se si të vazhdojmë t’i bëjmë institucionet më demokratike të Shqipërisë më llogaridhënëse ndaj qytetarëve  Reforma në drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Ne kemi filluar të shikojmë rezultate. Sot kam pasur mundësi të takohem edhe me prokurorë e gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reformat kryesore. Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore"  tha Blinken

Nga ana e tij kryeministri Rama shprehu mirënjohje ndaj SHBA-ve për angazhimin për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme. 

Edi Rama: “Dua ta falenderoj dhe publikisht Sekretarin e Shtetit, çka e përsërita edhe në takimin që patën për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend që nuk ka pasur kurrë drejtësi...tek një vend që është e mundur që njerëz me pushtet, të lidhur edhe me pushtetin ekzistues ekzekutiv të thirren për të dhënë llogari përpara ligjit për shkelje të ligjit. 

Jetojmë një kohë ku monumenti i pandëshkueshmërisë dhe miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Kemi folur për thellimin dhe domosdoshmërinë e përballimit të korrupsionit që duhet parë dhe në lupën e procesit të integrimi" tha Rama

Kundër disinformimit

Një tjetër fushë ku do të jenë në një front të përbashkët është lufta kundër disinformimit. 

"Ne kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit dhe ky memorandum do të ndihmojë SHBA dhe Shqipërinë që të mund të zhvillojnë një qasje të përbashkët për të luftuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat e rrezikshme dhe gjithashtu të mund të ndërtojmë një ekosistem i cili është i qëndrueshëm" tha Blinken. 

Rajoni

Edhe sa i takon rajonit gjatë bisedimeve kanë ndarë të njëjtat pipëpamje dhe shqetësime tha Rama.

‘Shqipëria ka politikën e dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Nxisim dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës e Serbisë" tha Rama.

Kosova e Serbia

Duke u ndalur tek situata mes Kosovës dhe Serbisë Rama tha se Shqipëria nxit dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës e Serbisë.

"Eshtë mirë që asnjëherë shqiptarët kudo ku janë, duke filluar nga shqiptarët në Kosovë të mos të harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës " vijoi më tej kryeministri Rama

Një apel kishte dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja"

Vetë Blinken në fjalën e tij nuk u ndal në zhvillimet në rajon as për çështjen e Kosovës, por në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve theksoi se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE është shtegu i duhur dhe i vetmi nga palët duhet të kalojnë.

Nuk mund të kemi një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe të asaj që tejet shumë njerëz kanë përjetuar në vitet 1990-të. Për këtë arsye jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe me Europën" tha Blinken.

 Sekretari amerikan i pyetur përse nuk u takua me udhëheqës të opozitës shqiptare Blinken përmendi takimet me Kryeministrin, ministrin e Punëve të Jashtme e anëtareve të kabinetit qeveritar, me disa prej personaliteteve kyç të reformës në drejtësi e me një grup të jashtëzakonshëm të rinjsh. ".... mendoj që kam marrë mjaftueshme nga kjo ditë"  e mbylli përgjigjen Blinken.

Ndiqni zhvillimet 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:33
Konflikti në Rripin e Gazës, Rama: Krijimi i 2 shteteve, e vetmja rrugëzgjidhje! Turqia dhe vendet arabe të dalin garantë për një shtet palestinez

 

Kryeministri Edi Rama i pyetur për luftën në Gaza tha se e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit është formimi i 2 shteteve. Kreu i qeverisë tha se Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet ndaj sulmeve por theksoi nga ajo çfarë po bëhet ndaj palestinezëve është shumë më tepër se kaq.

Sipas Ramës, Turqia dhe vendet arabe duhet të dalin garantë për që një shtet palestinez nuk do të jetë kërcënim për Izraelin.

“Situata është tragjike, nga njëra anë Izraeli ka të drejtën për t’u vetëmbrojtur por nga ana tjetër shkatërrimi dhe humbja e jetës nga ana e palestinezëve janë shumë më tepër. Problemi me përshkallëzimin është se nuk është do të shkatërrojë Hamasin apo do e shkrijë çdo formë të këtij grupi. E vetmja rrugë është zgjidhja me 2 shtete.

Reformimi i politikës palestineze, nevoja për një organizëm që do të përfaqësonte gjithë shoqërinë palestineze. Përfshirja e drejtëpërdrejtë e vendeve arabe që janë më të interesuarat dhe më të ekspozuara nga përshkallëzimi i këtij konflikti për të krijuar një forcë të përbashkët që së bashku me Turqinë dhe disa garanci të SHBA-ve të sigurohet se ai që do jetë shtet palestinez të mos shihet si kërcënim për Izraelin”- u shpreh Rama.

Ora 18:26
Rama: SHBA është më shumë se Trump! Nuk mendoj që NATO do të dobësohet e SHBA do t’i ikë rolit udhëheqës

Në konferencën për median kryeministri Rama u pyet dhe lidhur me deklaratën e Trump për NATO-n  dhe Putin

Pyetje: Zoti Kryeministër u përmend kontributi i madh i Shqipërisë  për Ukrainën, ndërkohë që kongresi amerikan është përpjekur për muaj të tërë për të miratuar një pakte të madhe për Ukrainën edhe pse po hyhet në vitin e tretë të luftës me Rusinë. A mendoni, apo e shihini këtë si një mbështetje në zbehje të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë dhe ndoshta zmbrapsje në përpjekjet për të mbështetur. Një tjetër pyetje për kandidatin apo më mirë në situatën e parazgjedhjeve, a mendoni që më pas do të ketë një mbështetje për NATO-n gjithashtu edhe për rezultatet e shpenzimeve që do të ketë ushtarake.

Antony Blinken: Dua të përfitoj nga prania juaj për t’ju ftuar, ndoshta përmes televizionit tuaj që të ndani me publikun amerikan, një hartë të Mongolisë dhe natyrisht edhe për të parë arsyetimin e legjitimitetit të sulmit dhe gjithashtu të shihni dhe intervistën që është bërë për të parë se si është legjitimuar sulmi kundër Ukrainës duke shkuar deri në shekullin e 9-të. Por po të shihni në ato kohë, Rusia ishte asokohe në kuadër të kufirit të Mongolisë dhe unë e di që mongolezët janë njerëz miqësorë dhe nuk mendoj që po të kthejmë kokën të shohim hartat e të përdorim historinë si arsye për të sulmuar popuj të tjerë për të marrë jetët e njerëzve, për të shkatërruar shtëpitë e të tjerëve, për të shkatërruar të ardhmen e të tjerëve është një veprim mjaft i marrë. Në këtë situatë, Ukraina nuk do të mund të mbijetonte kurrë, së pari dhe mbi të gjitha pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj edhe pa aleatët dhe miqtë e tjerë, të cilët meqë ra fjala, nuk janë të prirur të hyjnë në luftë as me Rusinë apo me këdo tjetër, por duhet të mbrojnë Ukrainën për të mbrojtur botën në të cilën besojnë.

 

“Kam pasur privilegjin të jem Kryeministri i Shqipërisë në NATO, kur aty ishte dhe ish-presidenti dhe pavarësisht retorikës, mënyrës plot ngjyrime për t’u përballur me oponentët nuk pashë ndonjë dobësim të NATO-s, në të kundërt, ajo çfarë ishte vendosur më përpara vazhdonte të qëndronte. Çdo vend vazhdoi të hidhte më shumë para e të bënte më shumë përpjekje për të rritur buxhetin e NATO-s. Kështu që, zgjedhjet janë zgjedhjet. Trumpi është Trumpi. Politika amerikane, është politika amerikane, por mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë diçka më shumë sesa kaq.

Ajo çfarë e bën unike Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkësinë tonë të popujve e vendeve në mbarë botën është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk munden dhe sipas mendimit tim kurrë nuk do t’u largohen parimeve dhe vlerave që duhen mbrojtur me çdo çmim. Kështu që, nuk kam frikë nga asgjë, përveçse nga lëkundja apo heqja dorë nga të vazhduarit të mbrojtjes së vetes sonë, duke mbrojtur të drejtën e ukrainasve për të jetuar në vendin e tyre për të pasur shtëpitë e tyre të paprekura për të bërë që fëmijët e tyre të rriten atje e për të pasur një të ardhme të përbashkët me gjithë të tjerët pa kërcënimin për t’u fshirë nga hartat bazuar në shekullin e 9-të, 13-të, 15-të apo të çfarëdo shekulli sepse kjo hap kutinë e Pandorës dhe mund t’iu them që në këtë rajon kemi shumë harta, por na duhet të shohim nga e ardhmja dhe vetëm e ardhmja do të na bashkojë.

Kështu që jo. Nuk mendoj që NATO-ja do të dobësohet. Nuk mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ikin rolit të tyre dhe udhëheqjes së tyre. Mendoj se kur zgjedhjet të përfundojnë, çështjet amerikane janë çështje amerikane.

Ora 18:25
Blinken: Dialogu, shtegu i vetëm i duhur sa i përket Kosovës e Serbisë! Përgëzoj rolin e Shqipërisë, ka qenë forcë për stabilitet

Dialogu është shtegu i vetëm sa i përket Kosovës dhe Serbisë. Kështu nënvizoi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama.

Pyetje: Ju në fjalën tuaj nuk e prekët rajonin dhe Kosovën, do doja që pyetja ime të adresohej për Kosovën, si i shikoni zhvillimet e fundit në Kosovë, hapat që janë hedhur në raport me Serbinë... Heqjen e dinarit e shikoni shqetësues?

Blinken: Kur nisa të punoja në DASHdhe Shtëpinë e Bardhë 30 vite më parë sfida që ishte nga fillimi deri në fund ishte Ballkani. Bosnja Hercegovina e më pas Kosova. Shumë prej nesh kanë një histori që shkon thellë dhe që është e gjatë dhe kush më shumë sesa Biden dhe ju ne dini mirë. Nuk mund të shkojmë pas e të kemi ripërsëritje të asaj që kemi parë dhe shumë njerëz kanë përjetuar. Jemi të angazhuar që të mbështesim të gjitha përpjekjet e vendeve të Ballkanit drejt BE.

Dialogu është shtegu i vetëm i duhur sa i përket Kosovë dhe Serbisë. Dua të përgëzoj rolin e Shqipërisë se ka qenë një forcë për stabilitet. Ky është shtegu që i sjell të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë, jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka e të mbështesim këtë dialog.

Ora 18:18
Pengjet në Gaza, Blinken nga Tirana: Po bëjmë gjithçka për të arritur një marrëveshje e ata të kthehen në shtëpi

Sekretari amerikan i shtetit në Tiranë u pyet lidhur me situatën në Gaza dhe tentativat për arritjen e një marrëveshjeje 

 

Pyetje: Lidhur me Gazën, cili është niveli i angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat për të ndaluar armiqësitë përpara nisjes së Ramazanit më 10 Mars. 

Antony Blinken në Tiranë: Ndërsa përsa i përket çështjes së pengjeve, sikurse jeni në dijeni ne kemi dhënë një propozim që e cila përmbledh atë që Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë që të punojnë me Izraelin dhe që është një propozim, i cili është bërë bashkërisht dhe ia kemi dorëzuar. Dhe është gjithashtu në përgjigje të Hamasit një javë më parë dhe është diçka që ne besojmë, sikurse e shpreha dhe atëherë, që ka në fakt ka ende disa gjëra që ende nuk janë miratuar. Gjithashtu ofron mundësinë që të punojmë drejt një marrëveshje. Tashmë jemi në një proces së bashku me partnerët tanë të Katarit, Egjiptit dhe të Izraelit për të punuar për këtë dhe duke punuar në mënyrë shumë intensive së bashku me qëllimin që mund të gjejmë një marrëveshje, një dakordësi dhe besoj që kjo është e mundur, por sikurse u shpreha ka disa çështje që janë shumë të vështira, të cilat duhet të zgjidhen, por jemi të angazhuar, jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që të mundemi për të bërë përpara dhe për të parë nëse mund ta arrijmë një marrëveshje dhe ne e dimë se si duket suksesi, e kishim atë kur patëm mundësi që të bënim, në fakt marrëveshjen e parë kur patën mundësi që mund të lëshonim 105 pengjet e para, gjithashtu rezultoi në një pauzë në të gjithë këto operacionet ushtarake. Gjithashtu asistenca, ndihma humanitare që iu ofrua njerëzve. Nëse mund të arrihet këtu një marrëveshje tjetër, sigurisht që ofron perspektivën e asaj që duhet bërë që është në krye të listës tonë. Që është në fakt të kthehen pengjet në shtëpi, por edhe të mund të kemi një pauzë më të gjatë, e cila gjithashtu sjell përfitime të tjera. Kështu që qëndrojmë tejet të fokusuar në këtë dhe besoj që është e mundur.

Pyetje -Zoti Sekretar, sapo thatë pak më parë që një marrëveshje është e mundur për një pushim humanitar dhe një marrëveshje për pengjet. Pas Kajros, mendoni që kjo marrëveshje e kjo pauzë do mund të arrihet përpara se Izraeli të nisë një sulm të dyshuar në Rafah? A mendoni që Netanyahu është më shumë në favor të sulmit të Rafah sesa të arrijë këtë pauzë humanitare? Nga ana tjetër, dy adoleshentë amerikanë janë vrarë në bregun perëndimor, dy javë më parë një grua gjithashtu është ndaluar e po kështu edhe dy të tjerë janë ndaluar nga forcat izraelite në Gaza. A kanë pasur qasje konsullore këta të ndaluar? Në qoftë se dihet, edhe ku janë dhe kur vjen fjala për hetimet për vdekjen e dy adoleshentëve, cilat janë rezultatet?

...

Ne besojmë që duhet të ketë dhe do të mbetet një prioritet të bëjmë gjithçka që mundemi që pengjet të kthehen në shtëpi, që të kthehen tek të dashurit e tyre dhe këtu qëndron fokusi ynë. Kemi bërë shumë punë për të mbërritur në këtë pikë, ku ne mendojmë që është e mundur një marrëveshje dhe nëse është e vështirë, të paktën nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara, mendojmë që është e domosdoshme që të vazhdojmë ta ndjekim këtë në mënyrë urgjente dhe sikurse thashë, kjo do të sillte shumë përfitime të tjera dhe të cilat janë dhe gjithashtu një pauzë  të shtrirë, më të gjatë për konfliktin dhe veçanërisht shtrirje në anë të sensit humanitar.

Të gjitha këto gjëra do të ishin tejet të mikpritura, shumë të mikpritura nga burrat, gratë dhe fëmijët në Gaza, të cilët vazhdojnë të vuajnë çdo ditë dhe këtu qëndron fokusi ynë....

Pyetja tjetër, sa i përket të ndaluarve, ka dy gjëra; së pari, përsa i takon qytetarëve amerikanë të cilët raportohet që janë vrarë, gjëja e parë që do të thoja është që u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve, të dashurve të tyre, miqve të tyre. Më keni dëgjuar ta them më parë që Presidenti e ndjen gjithashtu që siguria dhe sigurimi i amerikanëve në të gjithë botën, mbetet prioriteti dhe përgjegjësia jonë kryesore numër një. E kemi bërë tejet të qartë që përsa i përket incidenteve për të cilat ju aluduat, ka nevojë, duhet të ketë një hetim, duhet të marrim faktet dhe nëse është e përshtatshme, të ketë edhe llogaridhënie.

Përsa i përket të ndaluarve, ka një kufizim, një kufi të asaj që mund të bëjmë për shkak të ligjeve dhe kërkesave që dalin prej tyre, por ajo që mund t’ju shprehem në mënyrë të përgjithshme, pa iu referuar rasteve specifike është që ne këmbëngulim që njerëzit të mund të trajtohen në mënyrë të drejtë, të kalojnë përmes një procesi të duhur dhe gjithashtu në mënyrë njerëzore.

Kjo është diçka, pavarësisht nëse është një qytetar amerikan i ndaluar, kudo që ta ndalojnë atë, ne këmbëngulim për këtë

 

Ora 18:13
A ka një kërcënim serioz sigurie nga Rusia? Blinken: Jemi duke e marrë shumë shumë seriozisht, po flasim me aleatët

Në konferencën për median, sekretari amerikan i shtetit u pyet dhe për informacionet për një kërcënim serioz sigurie nga Rusia

Pyetja-       Zoti Sekretar kanë dalë informacione për një kërcënim serioz sigurie nga Rusia, ndërkohë që po kërkohet nga të gjitha palët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ketë një përgjigje. Së pari, si e karakterizoni urgjencën e këtij kërcënimi dhe së dyti gatishmëria që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta përballur atë. 

Antony Blinken në Konferencë: - Kjo nuk është një aftësi aktive, por është diçka potenciale që jemi duke e marrë shumë seriozisht dhe pres se kemi më shumë për të thënë së shpejti, në të vërtetë shumë shpejt. Kështu që, qëndroni në gatishmëri për të dëgjuar më shumë për këtë dhe gjithashtu jemi duke diskutuar edhe me aleatët dhe me partnerët për këtë çështje, por ja ku është gjëja më e rëndësishme ndër të tjerat. Fokusi i Presidentit Biden është siguria e Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Shteteve të Bashkuara dhe ndërsa i qasemi kësaj në çdo çështje tjetër, kjo është e para dhe e para së gjithash ajo që ai mendon dhe këtu qëndron fokusi i tij.

Ora 18:12
Pse nuk u takua me përfaqësues të opozitës shqiptare? Ja si përgjigjet Antony Blinken

 

I pyetur pse nuk u takua me përfaqësues të opozitës gjatë vizitës në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se kishte patur mjaftueshëm takime gjatë ditës së sotme duke përmendur takimin me të rinjtë, Begajn si dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

“Kam pasur një mundësi të takohesha me një sërë njërëzish e grupe të ndryshme përvec kryeministrit ministrit të jashtëm anëtarë kabineti, personalite të reformës në drejtësi, të rinj të angazhuar në programet tona të shkëmbimit, - kur të kthehem nga darka, do takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët por  mendoj që kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë”- u shpreh Blinken.

Ora 18:04
Blinken flet për takimin me Dumanin dhe krerët e drejtësisë: Reforma po jep rezultate! Anëtarët e krimit të organizuar po përfundojnë në gjyq

Sekretari amerikan i Shtetit vuri theksin tek reforma në drejtësi e cila tha se po jep fryte ndërsa garantoi se SHBA do të vijojë të mbështesë institucionet e drejtësisë.

Konfirmoi dhe takimin me kreun e SPAK, Altin Dumani, kreun e ILD-së, Artur Metani dhe kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaça.

“Reforma në drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Ne kemi filluar të shikojmë rezultate.Sot kam pasur mundësi të takohem edhe me prokurorë e gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reformat kryesore. Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ky është një proces dhe është e rëndësishme që vazhdon të ecë përpara. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE, është ajo që populli meriton”, tha ai.

Ora 18:02
Blinken zbardh temat që diskutoi me Ramën: Nga siguria te Këshilli i Sigurimit! Shqipëria mes 10 kontribuesve më të mëdhenj ndaj Ukrainës

 

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zbardhur temat e diskutimit me kryeministrin Edi Rama.

“Kemi folur për punën tonë të fortë se bashku, për Ukrainën, tani për Këshillin e Sigurimit një çështje e rëndësishme… Kemi folur edhe për shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi përqendruar në atë që jemi duke bërë për të nxitur përpara sigurinë. Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës, ka qenë vendi i parë që ka dërguar ndihma ushtarake, armë municione. Aktualisht është një nga 10 kontribueset kryesore për të ardhura për frymë për Ukrainën. Gjithashtu po flasim për partneritetin e sigurisë mes vendeve tona.”, tha Blinken.

Ora 18:00
Muajin e ardhshëm përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë! Blinken: Jemi në diskutime për bazën detare në Durrës

Baza ajrore e Kuçovës pritet të hapet muajin e ardhshëm, zbuloi sekretari amerikan i shtetit gjatë deklaratës për median pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Sallën e Hartave, në Kryeministri.

Duket që baza ajrore ka qenë pjesë e bisedimeve dypalëshe 

"Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë.  Të 31 aleatët tanë që së shpejti do të bëhen 32 aleatë të NATO-s, do të sjellin përvoja të ndryshme, gjeografi të ndryshme, aftësi të ndryshme,  kapacitete të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim në fakt të fortë, të hekurt, i cili është të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe gjithashtu të sakrifikojmë, madje në vitin e fundit çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes si 2% i PBB-së"

 

Blinken vlerësoi kryeministrin Rama si një partner të jashtëzakonshëm të SHBA.e Ramës dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë për Ukrainën që nga ditët e para të agresionit rus si dhe misionet e NATO-s.

Por ndërsa baza ajrore e NATO-s në Kuçovë do të hapet, diskutimet për ndërtimin e një baze detare të saj në Durrës, për të cilën Shqipëria ka ofruar gatishmërinë, vijojnë.

"Tani për sa i takon bazës ajrore para së gjithash është e rëndësishme që të nënvizojmë disa gjëra; së pari: Tashmë kanë kaluar 15 vjet që kur Shqipëria është bërë aleate e NATO-s dhe fakti që do të përurohet, do të përurohet në fakt baza ajrore e Kuçovës, vetëm pak javë më vonë dhe kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe për të theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe gjithashtu në atë që NATO ka ndaj Shqipërisë dhe ky është një shembull tejet i fortë për partneritetin që ne gëzojmë me njëri-tjetrin. Ndërsa kur bëhet fjalë për bazën detare, kjo është diçka që ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë këtë përmes NATO-s dhe procesit që NATO ka përsa i përket vendosjes së aseteve të tjera të cilat janë të rëndësishme, të blera për aleancën dhe jam i sigurt që teksa diskutojmë NATO do të thotë më shumë" - tha Blinken.

Në total investimi kap një vlerë prej rreth 50 milionë euro. Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme

Ora 18:00
'Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin', Blinken: Partneriteti me Shqipërinë më i fortë se kurrë

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë konferencës për shtyp nënvizoi se Shqipëria dhe SHBA kanë marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe vlerësoi "bisedën e drejtpërdrejtë dhe të sinqertë' me kryeministrin Rama.

“Jam këtu në vizitën time të parë si Sekretar i Shtetit në Shqipëri dhe sepse ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se çka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin në mënyrë që  të përfitojë si populli shqiptar edhe populli në SHBA, madje edhe përtej dhe si aleat kyç i NATO-s, si një zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme partneriteti dhe ndërkohë që Shqipëria ka qenë një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit dhe sikurse iu referua në fakt edhe kryeministri gjatë vizitës me ambasadoren Linda Thomas-Greenfield dhe kemi folur për disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme për punën tonë të fortë së bashku veçanërisht sa i përket penë mbajtës me njëri-tjetrin për Ukrainën, ndërsa është përballur me sulmin e Rusisë. Tani ndërsa flasim për Këshillin e Sigurimit, për këshillin e të drejtave të njeriut, kjo është një çështje e rëndësishme në fakt përfshirë edhe institucione të tjera të rëndësishme siç është UNESCO. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë,  jo vetëm për rajonin, jo vetëm edhe për Europën në fakt, ka vlera dhe për botën dhe për këtë e vlerësojmë së tepërmi.

Kryeministër Edi, ju falënderoj shumë që na keni mirëpritur këtu, por dhe për ngrohtësinë dhe për substancën dhe bisedën tonë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. “Nëse dikush nuk ka mundësi të përjetojë kënaqësinë, ne kemi mundësinë ta ftojmë sërish”. “Dhe kur dielli shkëlqen dhe kur nuk bie shi, është një mik i rëndësishëm”. Kjo është diçka që nuk mund t’ua shpreh sa duhet që është tribut.

Ky partneritetet mes dy vendet tona është më i fortë seç ka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia për ne kritike për të adresuar disa çështje, që janë vendimtare për dy popujt tanë dhe kjo është një rrugë me dy kalime. Jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, dhe si aleat kyc i NATO dhe një zë kyç në KS të OKB ne kemi marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shqipërinë”, tha ai.

Ora 17:52
Diskutimet me Blinken, Rama 3 këshilla Kosovës: Asnjë hap pa u konsultuar me aleatët, kërkesat për dialogun me Serbinë s'janë shtrënguese

Pas diskutimeve me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken kryeministri Rama i ka bërë apel Kosovës që të mos bëjë asnjë hap sa i përket dialogut me Serbinë pa u konsultuar me aleatët. Ndalur te situata mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se kërkesat ndaj Prishtinës nuk janë shtrënguese. Duke i drejtuar disa këshilla Kosovës tha se është në interesin e saj që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha kërkesave që janë në tryezën e dialogut. Më tej në apelin e tij kryeministri theksoi se nuk fitohet e ardhmja duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme për shkak të këtyre veprimeve.

"E pa diskutim që ne ndihemi të keqardhur sa herë që shohim hapa mbrapa dhe pa diskutim që ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij dialogu. Pa diskutim, ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët për ata që sot jetojnë në Kosovë, padyshim jemi të  vetëdijshëm edhe për faktin që në momente të caktuara, siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjskë, Serbia nuk është se e ndihmon gjithmonë siç duhet procesin por ama, në radhë të parë shqiptarët e Kosovës dhe pastaj të gjithë ne së bashku, duhet të jemi të vetëdijshëm se është në interesin tonë, është në interesin e Kosovës që të përparojë unilateralisht nëse është nevoja në realizimin e të gjitha atyre kërkesave që janë në tryezën e dialogut, të cilat nuk janë kërkesa shtrënguese, nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë 1 milimetër nga dinjiteti, sovraniteti dhe ardhmëria e vet, por janë kërkesa që bëjnë të mundur përmes realizimit të tyre krijimin e një konteksti që e ngre lart Republikën e Kosovës, si një republikë që meriton të gjithë mbështetjen, të gjithë respektin, të gjithë besimin e aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, pa të cilët e  ardhmja bëhet shumë më e largët dhe e tashmja bëhet shumë më e ndërlikuar.

Prandaj, edhe sot, pasi kemi diskutuar, unë dua ta përsëris apelin tim, apelin tonë për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar dhe të pa koordinuar me aleatët tanë strategjikë sepse është në radhë të parë, në interesin e tyre dhe patjetër pastaj është në interesin e aleancës sonë. Nga veprimet e pa konsultuara dhe të pa koordinuara mbase mund të fitohen disa vota sot për sot, duke e kthyer politikën e jashtme në një instrument të politikës së brendshme, por nuk fitohet e ardhmja".

Ora 17:49
Reforma në Drejtësi, Rama falënderon Blinken: Falë mbështetjes së SHBA-ve, në Shqipëri është rrëzuar miti i pandëshkueshmërisë

 

Kryeministri Edi Rama falënderoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për mbështetjen e SHBA-ve për Reformën në Drejtësi. Rama tha se falë kësaj reforme në Shqipëri është rrëzuar miti i ‘pandëshkueshmërisë’ të personave të lidhur me pushtetin.

“E falënderoj publikisht sekretarin amerikan për çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur e kemi thënë për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend ku nuk ka pasur kurrë drejtësi që i bënte shqiptarët të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do ishte e mundur që ligji të ishte i barabartë për të gjithë, duke na mundësuar që sot të shohim se edhe në Shqipëri si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vetë është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me qeverinë të thirren për të dhënë llogari para ligjit. Kjo është diçka peshën dhe vlerën e së cilës Shqipëria do mund ta konceptojë shumë vite më pas. Por një gjë e dimë që sot, kur nisëm përpjekjet për Reformën në Drejtësi, të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë gjenin një mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit politik. Të majtë e të djathtë e mbështesin reformën”- tha Rama.

Ai theksoi se gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan ishte diskutuar edhe për thellimin e Reformës në Drejtësi. Kreu i qeverisë theksoi se angazhimi i SHBA-ve ka qenë thelbësor për suksesin e kësaj reforme, frytet e  së cilës, Rama tha se vendi do t’i ndjejë pas disa vitesh.

“Nuk është sekret zoti sekretar që këtu kemi vështirësi të gjejmë konsensus edhe për orën. Por pyetjes nëse ata që mbështesin reformën në drejtësi e besonin se në jetën e tyre do shikonin njerëz të pushtetshëm para drejtësisë, shumica i përgjigjeshin me jo. Por ja ku jemi sot, ku miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Kemi shumë punë për të bërë, folëm për thellimin e reformës por nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e kësaj miqësie kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë në mbështetje për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme për të gjithë jetën”- u shpreh kreu i qeverisë.

Ora 17:46
Rama pas takimit me Blinken: Pa SHBA-të nuk do kishte Kosovë të pavarur! Dialogu Prishtinë-Beograd duhet të vijojë

 

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, tha se gjatë takimit me numrin 2 të SHBA-ve u diskutua edhe për zhvillimet e rajonit dhe konkretisht për dialogun Kosovë-Serbi.

Rama theksoi se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.

“Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve demokratike. E kemi nxitur dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të, kanë qenë janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA-ve në këtë rajon dhe specifikisht interesi për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë nuk është interes i dorës së dytë”- u shpreh Rama.

Ora 17:42
'Vizita juaj në kohë trazirash, shenjë e rëndësishme e miqësisë', Rama batutë me Blinken: Zgjodhët ushqimin gjerman, jo dhe aq të shijshëm, por ne e bëmë tonën

Gjatë një konference për shtyp me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e kësaj vizite sidomos në një kohë trazirash.

“Është gjithnjë një ditë e shënuar me një ditë të veçantë në historinë e  marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dita kur një sekretar i shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i gjashti por këtë herë ne kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufi të Evropës por edhe në zona të tjera dhe rrjedhimisht dhe për ngarkesën e posaçme të agjendës tuaj.”

Kreu i qeverisë nuk kurseu edhe një batutë.

“Fakti që gjetët kohë dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë por edhe e vlerësimit që i bëni kësaj miqësie këtij partneriteti dhe këtij rajoni. Nuk mund të mos e ndaj me publikun ku mes një darke në Shqipëri dhe në Mynih ju zgjodhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman por ne tonën e bëmë”.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • XyZ Lindon: 16/02/2024 13:45

    Une mendoja qe ky ishte hajduti me i madh ne hisotrine e Shqiperise. Por tani qe erdhi Blinkeni me ndryshoi dhe mendimi per KM. Nga sot e ardhmja vetem me Ramen dhe Veliajn.

    Përgjigju
  • Fatkeqësisht: 16/02/2024 08:54

    Pandëshkueshmërinë e cilëson mit. Korrupsionin e krimin organizuar një ëndërr me syhapur. Dhe vetë tregon përralla me fund të lumtur.

    Përgjigju
  • iliri: 15/02/2024 23:41

    krimi bredh rrugeve ne tirane o blinken,,,,vret-pret dhe pastron para droge o zoti blinken me bekimin e rames....

    Përgjigju
    • Loni: 16/02/2024 13:54

      Me ket qe tha Blinken dhe mos takimin e opozites , pas 20 vjeteve iken Rama un po porosis statujen dhe portretin ti kem te shpia.

  • Lavi: 15/02/2024 19:39

    Po po te gjith js mbas zgjedhjeve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore