Blinken: Nevojë për intensifikimin e dialogut Kosovë Serbi

Blinken: Nevojë për intensifikimin e dialogut Kosovë Serbi

Antony Blinken

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi biseda telefonike të ndara me dy udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrin Albin Kurti dhe Presidentin Aleksandër Vuçiç. Në një njoftim të zyrës së kryeministrit kosovar, thuhet ndër të tjera, se Blinken dhe Kurti, “biseduan edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër të saj”. Nga ana tjetër ndërkaq, në njoftimin e Presidencës së Serbisë thuhet se “në mesin e temave kyçe ka qenë ajo për Kosovën, prandaj është shprehur dëshira e administratës amerikane që të arrihet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur”.

Vuçiç: Serbia nuk do e njohë pavarësinë e njëanshme të Kosovës

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se për aq kohë sa ka ai ndikim, “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës". Ndërsa kryeministri Kurti thotë se ai “është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë”. Sipas kryeministrit kosovar, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. “Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e Josep Borrell në Bruksel, ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra, dialogim për marrëveshje. Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”, tha Kurti.

 

Gjermani-Francë: Vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira

Në përpjekje për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi, angazhim të intensifikuar po shfaqin edhe Gjermania dhe Franca. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanel Macron, dy muaj më parë angazhuan këshilltarët për politikë të jashtme, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, që të shtyjnë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi me qëllim arritjen e një marrëveshje përfundimtare për përmirësimin e raporteve. Të dy u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Dy këshilltarët gjermano-francez, Plettner dhe Beaune, gjatë vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd i dorëzuan Kurtit dhe Vuçiçit, njw dokument non-paper, që përmban kornizën e re, mbi të cilën do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes që do të zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Qëndrime të ndryshme për non-paper

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha një ditë më parë se “ekziston një nismë franko-gjermane për përmbylljen e bisedimeve Kosovë-Serbi, por nuk është propozim përfundimtar”. “Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë”, tha kryeministri Kurti. Kurse presidenti serb Vuçiç lidhur me dokumentin tha se “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat ndërkombëtare, ndërsa, Serbisë do t’i përshpejtohej anëtarësimi në BE dhe do t’i ofroheshin shumë lehtësira ekonomike”. Por sipas Presidentit Vuçiç, “në Serbi, nuk ka vullnet në udhëheqjen serbe për pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB”./DW

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën