Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila hodhi poshtë si antikushtetues dhe në shkelje të autonomisë vendore vendimin e marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit në gusht 2014 për pezullimin e lejeve zhvillimore në njësitë e qeverisjes vendore.
 
Në një reagim të kësaj shoqate theksohet se ky vendim ashtu si edhe vendimi i mëparshëm per kompetencat e INUK shkelin autonominë e qeverisjes.


"Për fat të keq, mosrespektimi i këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, praktikat në vijëmësi të qeverisë Rama në kundërshtim të plotë e të hapur me këto vendime si dhe me ligjet dhe dispozitat kushtetuese që sanksionojnë autonominë e pushtetit vendor, kanë cënuar dhe vazhdojnë të cënojnë rëndë mundësitë e qeverisjes vendore për të ofruar shërbime dhe investime për qytetarët. Këto praktika të paligjshme të qeverisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës ekonomike përmes bllokimit të investimeve publike dhe private në ekonomitë vendore dhe kanë përkeqësuar ndjeshëm gjëndjen ekonomike të qytetarëve duke rritur papunësinë dhe përkeqësuar shërbimet bazë”, theksohet në reagimin e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.


Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje kryeministrit të përmbushë detyrimet ligjore dhe kushtetuese dhe të ndalë praktikat antiligjore dhe antikushtetuese të shkeljes dhe dhunimit të autonomisë vendore.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)