Bllokimi i Rinasit për mungesë kontrollorësh/ Balluku i hap rrugën operimit të kontrollorëve të huaj në rast emergjence

Bllokimi i Rinasit për mungesë kontrollorësh/ Balluku i hap rrugën operimit të kontrollorëve të huaj në rast emergjence

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka sot firmosur një urdhër që i hap rrugë marrjes së kontrollorëve të huaj në raste emergjente. Ky urdhër vjen pas situatës së krijuar në aeroportin e Rinasit me kontrollorët e Albcontrol të cilët braktisën punën të gjithë njëkohësisht, duke bllokuar për gati dy ditë të gjitha fluturimet nga aeroporti.

Sipas këtij vendimi, kontrollorëve që operojnë jashtë, do të njihet licenca e kontrollorëve kur ajo është lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Autoriteti i Aviacionit Civil do të realizojë njohjen e licencave dhe po ashtu është ngarkuar nga Ministria edhe për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

"Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:

4. Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.

Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.

2. Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.

3. Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare", thuhet në vendim.

Ditën e sotme situata në aeroportin e Rinasit u rikthye në normalitet, pas krizës prej më shumë se 48 orësh, ndërsa një pjesë e kontrollorëve u rikthyen në punë, pas thirrjes së bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja Belinda Balluku.

Kujtojmë se mëngjesin e së mërkurës u bllokuan fluturimet në aeroportin e Rinasit ndërkohë që dje pasdite rinisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. 

Për situatën e krijuar por edhe për faktin se greva nga kontrollorët është e ndaluar me ligji policia ka arrestuar  tre kontrollorë të trafikut ajror,  kreun e sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga AlbControll,si nxitës të bllokimit të punës në Rinas.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç