Ambasada Amerikane në Tiranë u ka komunikuar disa gjyqtarëve dhe prokurorëve pezullimin e vizave, pra heqjen e të drejtës për të shkelur në tokën amerikane.

Dy ditë më parë, gjyqtarë dhe prokurorë, të të gjitha niveleve janë paraqitur pranë Ambasadës Amerikane, teksa janë njohur me arsyet e bllokimit të vizave. Në një njoftim të disa ditëve më parë, Ambasada Amerikane sqaroi arsyet e kësaj lëvizjeje.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza. Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”, thuhej në njoftim.


dy.b/shqiptarja.com