Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë është totalisht i bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme. Shkak për këtë janë bërë rrëshqitjet masive të dherave, situatë kjo që nuk ndodh për herë të parë që prej inaugurimit të rrugës para 4 muajve.
Për Report Tv, inxhinieri Romeo Nazarko, i cili ishte i ftuar në studion e “Sot, Live në Shqipëri”, theksoi se shkaqet janë punimet e bëra me shpejtësi për shkak të periudhës së fushatës, licencimi i inxhinierëve fiktivë dhe rrjedhimisht punimet e një cilësie të ulët.
“Unë kur udhëtoj gjatë punës time, eci me shpejtësi të reduktuar dhe vë re këto elementë. Nga konstatimi në terren, pashë që prerjet teknike që ishin bërë për këtë skarpateve linin për të dëshiruar që provokonin rrëshqitjen e tyre në të ardhmen. Para dy muajsh në një udhëtim që kam bërë në atë segment, pashë të paktën 5 pika alert që ishin gati për rrëshqitje. Atje është punuar, por për një kohë të gjatë ka qenë qetësi. Çdo punë është bërë me urgjencë për fushatë.
Në rastin konkret është mungesë e theksuar e administratës së bashkisë dhe kompanive të mirëmbajtjes së rrugëve. Këto nuk janë shira të mëdha që mund të sjellin këto katastrofa. Kompanitë e mirëmbajtjes kujtohen vetëm në ditët kur bie shi”, tha Nazarko.
Nazarko merr si referencë dhe të tjera akse rrugore, për të cilat kompanitë nënkontraktore nuk kryejnë shërbimet e caktuara, pavarësisht pagesave që marrin. Inxhinieri thotë se për të zgjidhur problematikën në aksin Qukës-Qafë Plloçë, duhet një studim i thelluar nga inxhinierë të të gjitha fushave.
Nazarko gjithashtu thotë se në këtë aks është bërë një investim i pastudiuar mirë dhe joeficent, duke llogaritur këtu dhe shumën që është hedhur prej 260 milionë eurosh.
“Kemi dhe rrugën e Kombit që brenda 1 dite u aksidentuan mbi 20 makina për shkak të mungesës së kripës. Nuk janë zbatuar mirë punimet në aksin Qukës-Qafë Plloçë. Që të shpëtosh atë rrugë duhet një studim i thelluar nga të gjithë inxhinierët e fushave. Mungesa e të gjithë këtyre inxhinierëve dhe projektet fiktive me licenca pensionistësh që nuk shkojnë fare në terren, na ka sjellë që jemi përpara kësaj situate. Zgjidhjen e ka qeveria, duhet të krijojnë urdhrin e inxhinierit, që inxhinierët të marrin përsipër përgjegjësitë.
Është bërë me idenë për shkurtuar, por mënyra e projektimit, kthesat e mëdha, e kanë nxjerrë njësoj më rrugën e vjetër. Është bërë një investim i pastudiuar mirë, joeficient. Mund të ishte bërë me një kosto më të vogël që ti shërbente krahinës, por jo me këtë investim. Në vendin tonë punohet me inxhinierë fiktivë, gjysma ndodhen dhe jashtë shtetit dhe licencat e tyre qarkullojnë në Shqipëri”, tha Nazarko.
Komente











