Bllokohet Rubiku, koncensionin e
arit e kishte një firmë ushqimore

Bllokohet Rubiku, koncensionin e<br />arit e kishte një firmë ushqimore
TIRANE- Ministri i Enegjisë dhe Industrisë ka urdhëruar verifikimin e procesit të dhënies me koncension të Uzinës së rafinimit të Bakrit në Rubik një kompanie të vogël, duke ndryshuar destinacion për “shkrirje kromi”
 
Dhënia e koncensionit të Uzinës së Rafinimit të Bakrit në Rubik do t’i nënshtrohet verifikimit. Në kuadër të procesit të transparencës dhe analizimit të kontratave koncesionare të firmosura nga qeveria e mëparshme, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka urdhëruar verifikimin e procedurave të dhënies me koncesion të objektit “Uzina e Rafinimit të Bakrit” në Rubik, njoftoi dje zyra e shtypit e këtij dikasteri.

Në të kaluarën, nga ky objekt industrial prodhoheshin, veç bakrit të rafinuar, edhe 150 kg ar në vit. Kontrata koncesionare është lidhur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës më 17 dhjetor të vitit 2012. Me këtë veprim, duket se qeveria Rama ka nisur prapësimin edhe të lejeve të dhëna në vitet e kaluara, ndërkohë që deri tani janë pezulluar apo anuluar vendimet e dhëna pak kohë para largimit nga detyra të Ekzekutivit Berisha.
 
Absurdi
Në zonën e Mirditës nuk ka miniera kromi. Megjithatë, ish-zëvendësministri i Ekonomisë në qeverinë Berisha Neritan Alibali e firmosi marrëveshjen koncensionare për uzinën e Rubikut, duke lejuar kthimin e furrave të bakrit në furra për shkrirjen e ferrokromit. Sipas presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, qëllimi i dhënies së kësaj uzine me koncension ishte që uzina e bakrit të shkatërrohej e materialet që ajo ka të shkonin për skrap. Sipas Nikollit, Ministria e Ekonomisë, duke abuzuar me hapësirën që i lejon ligji “Mbi koncesionet” dhe ai “Minerar” dhe duke mos pasur parasysh asnjë kriter funksional ka dhënë këtë uzinë me koncesion.

Nëpërmjet kontratës koncesionare, këtë uzinë ia jep me koncesion shoqërisë AMG GROUP ALBANIA sh.p.k. të regjistruar në QKR me vetëm një milion lekë të vjetra kapital. Kjo kompani deklaron se objekt i veprimtarisë së saj është tregtia e produkteve ushqimore dhe ka në pronësi të saj një furgon.
Por, uzina mund të aktivizohej, për të përpunuar aty polimetalet, që përmbajnë edhe ar, veç bakrit. Absurde është dhënia e koncensionit një firme që nuk ka asgjë të përbashkët me industrinë e përpunimit të mineraleve, çka le për të dyshuar se prapa saj fshihen emra të ish-qeveritarëve.
 
Protestat
Në shkurt të këtij viti, ish-punonjësit dhe ish-pronarët e truallit kanë kërkuar punësim dhe dëmshpërblim për sipërfaqen e tokës që u është zaptuar. Gjatë një protestë të zhvilluar para hyrjes së uzines, ata i kërkuan administratorit të firmës që ka marrë në koncension uzinën të negociojë pagesën e qirasë së tokës që u është kthyer me vendim gjykate dhe dokumente të lëshuara nga Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Protesta kishte si qëllim edhe transparencën e aktivitetit të mëtejshëm të kësaj uzine dhe mosndryshimin e destinacionit të saj.

Sektori i bakrit
Objekti prodhonte edhe 150 kg ar në vit deri më 1990
 
Uzina e Bakrit Rubik ka qenë dikur ishte krenaria e industrisë shqiptare. Çdo vit prej andej 150 kg ar në lingota dërgohej në Bankën e Shtetit.
Industria e bakrit prodhonte çdo vit:
 
1 milion ton mineral bakri e piriti
50 mijë tonë koncetrat bakri
12-15 mijë ton bakër elektrolitik
8 -10 mijë ton tela dhe kabllo
20-25 mijë ton acid sulfurik
3-4 mijë ton tunxh dhe bronz

Shkrimi u publikua sot (20.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë

Zelensky thirrje Perëndimit të lehtësojë kufizimet për sulmet ukrainase brenda Rusisë