Gjykata e Apelit të Tiranës ka lehtësuar masën e sigurisë për 3 kontrollorët e arrestuar për shpërdorim detyre pasi nxitën bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit.  Armando Fevzga, Muhin Mezini dhe  Flora Ndreca akuzohen si organizatorë të  protestës që solli edhe bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit për 24 orë.

Gjykata ka vendosur masën 'arrest shtëpie' për kontrollorët Armando Fevzga dhe Muhin Mezini të cilët ishin në burg, ndërsa vendosi 'detyrim paraqitje' për Flora Ndrecën, e cila ishte në "arrest shtëpie". 

Mëngjesin e 7 prillit,  rreth 60 kontrollorë bojkotuan punën duke shpallur paaftësinë për të punuar për shkaka të stresit që sipas tyre ishte shkaktuar nga stresi si pasojë e rënies së financave në familje. Ndërkohë që ligji e ndalon që ky sektor të bëjë protestë. Tre të liruarit Armando Fevzga, Muhin Mezini dhe Flora Ndreca kanë ndikuar mbi kontrollorët e tjerë për plotësimin e formularëve të paaftësisë në punë. Ata u arrestuan më herët por sot janë lënë të lirë nga Apeli i Tiranës.

Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë duke sjellë një bllokim për rreth 24 orë të Aeroportit të Rinasit.