Blomeyer: Thaçi e Daçiç
s'kanë kohë për të humbu

Blomeyer: Thaçi e Daçiç <br />s'kanë kohë për të humbu
Prishtina dhe Beogradi nuk kanë kohë për të humbur, dhe dy kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq e dinë këtë gjë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer.

Sipas tij, përgjegjësitë të cilat duhet t’i takojnë Asociacionit të Komunave Veriore, e për të cilat ka ngec marrëveshja, është e përshkruar si duhet në Pakon e Ahtisaarit. Ai porositë serbët që të lexojnë planin, sepse nuk do të ketë pushtet të tretë.


Zoti ambasador Blomeyer, çka duhet të dijë opinioni publik për takimin i cili mbaroi në Bruksel mes dy kryeministrave, dhe si duhet ta kuptojë, kur thuhet se, është arritur progres?
Mendoj se duhet të njohim faktin se ky dialog, në vetvete, është progres i madh.

Nëse shikoni dy vjet prapa, atëherë kush do të mendonte se do të arrinim kaq larg, ku jemi tani. Sa i përket dialogut që po zhvillohet, duhet të them se, unë, kam shpresën se ata [kryeministrat] do të arrijnë eventualisht tek një marrëveshje. Shenjat janë pozitive.

Ata tani kanë para vetes çështje të vështira, e që po i diskutojnë. Është pyetja për përgjegjësitë e Asociacionit të Komunave Serbe. Mendoj se ligjet e Kosovës, bazuar në planin e Ahtisaarit, i përcaktojnë ato, edhe mjaft sosh madje. Nëse kjo merret në konsideratë nga populli serb, dhe popullata në veri, mendoj se shumë nga ankthet dhe dyshimet e popullatës serbe, do të veniten.

Kemi po ashtu edhe detyrën e zhbërjes së strukturave paralele. Në këtë aspekt, Serbia ka pranuar në parim, që të shpërbëjë këto struktura. Ne tani duhet të gjejmë zgjidhje praktike se si t’i zëvendësojmë këto struktura. Bashkësia ndërkombëtare, do të luajë rol këtu. Por, mendoj se jemi në rrugën e duhur.


Si duhet t’i kuptojë opinioni publik përgjegjësitë ekzekutive, për të cilat Prishtina dhe Beogradi po negociojnë në Bruksel [për Asociacionin e Komunave Serbe]. A po flasin për nivelin e tretë të pushtetit, apo si do të duket ky trup?
Mendoj se pika e fillimit, është se duhet të jetë strukturë e shtetit të Kosovës, i cili është ndërtuar sipas planit Ahtisaari. Andaj, nuk ka vend për pushtet të tretë. Nuk ka vend as për zgjedhje direkte të trupit të përfaqësuesve të këtij Asociacioni. Por, në anën tjetër, komunat sipas ligjit në fuqi, tashmë kanë shumë mundësi për të bashkëpunuar.

Të gjitha përgjegjësitë origjinale të komunave, dhe kjo është shumë e rëndësishme për komunat serbe, të gjitha këto përgjegjësi mund të trajtohen nga një asociacion i komunave. Andaj, mendoj se kur ta vënë re se çka është e mundshme, dhe çka po negociohet në Bruksel, atëherë, do të zbulojnë se zgjidhjet që janë të pranueshme për të dyja palët, nuk janë të vështira për t’u arritur.


A ka hapësirë për kompromis, dhe ku duhet të përqendrohen palët?
Mendoj se ata [kryeministrat] duhet të flasin, për atë se çka është e mundshme.

Çka është e zbatuar në terren, çka mund të ketë më shumë, dhe çka mund të bëhet?

Është plani Ahtisaari, i cili tashmë sjell shumë mundësi, dhe duhet të mendohet se si mund të forcohet nga pala kosovare, pa prek strukturën fundamentale të shtetit.

Mendoj se kjo varet nga palët negociatore dhe Brukseli, për të gjetur se ku është hapësirë për manovër. Por, megjithatë mendoj se do të jenë në gjendje që të gjejnë zgjidhje.


Nga tri takimet e fundit, nuk është se kanë shkuar para dhe të qesin në letër, se për çka pajtohen kryeministrat. Shtrohet pyetja, në mos dikush po dëshiron të blej kohë, para se ta arrijnë këtë marrëveshje, dhe sa do të jetë koha e zbatimit të marrëveshjes?
Mendoj se nuk është e mundshme që të blihet kohë. Sepse kemi afat të kufizuar kohor. Ata [kryeministrat] duhet të mbarojnë këtë pjesë të dialogut në prill, dhe deri atëherë do të duhet të dalin me një marrëveshje. Ata e dinë këtë. Të dyja palët e dinë këtë. Prandaj, unë nuk mendoj se ka kuptim që të mundohet të blihet koha, dhe mendoj se të dyja palët e dinë këtë.

Sa i përket zbatimit, mendoj se duhet ta diskutojnë. Është shumë e rëndësishme që të kemi marrëveshje të shëndoshë, me një afat të caktuar për zbatimin, për zbatimin e detajuar të tipareve të marrëveshjes, në mënyrë që të kemi marrëveshje të besueshme. Mendoj po ashtu se të dyja palët, dhe Baronesha Ashton, janë të vetëdijshëm për këtë sfidë.


A do të ketë çfarëdo forme e dokumentit të nënshkruar nga palët? A po flasin për një marrëveshje të përgjithshme, siç e ka thënë presidentja, apo një traktat të paqes siç aludon qeveria? A do të ketë marrëveshje që palët do të nënshkruajnë, dhe do të mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre?
Nuk është punë e imja që të spekuloj, por personalisht nuk mund ta paramendoj se si të mos kenë çfarëdo dokumenti të nënshkruar. Sepse disa gjëra duhet të zbatohen, dhe në terren duhet të ketë diçka që do të shërbejë si pikë e referencave për të dyja palët. Mendoj se ka pak rëndësi se si e quani këtë [marrëveshje].

Ne jemi pajtuar që të mos diskutojmë për çështjet e vështira të statusit. Dhe me këto pyetje statusore, përmendja e nocionit të një natyre të tillë, mund të ndërlidhet.

Andaj, mendoj se nuk duhet kushtuar aq shumë rëndësi për emërtimin e marrëveshjes. Por një lloj marrëveshjeje e shkruar, do të dalë me kohë.


Marrë nga Radio Evropa e Lirë
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve