Ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta po trajtohet në paraburgim në mënyrë çnjerëzore’, është pretendimi i deputetit të Partisë së Lirisë Tedi Blushi të thëna në interpelancën e thirrur nga ana e tij me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari. Blushi i është referuar raportit të Avokatit të Popullit të hartuar në dhjetor të vitit të kaluar për qëndrimin e Metës në qendrën e paraburgimit ‘Jordan Misja’. Blushi gjithashtu komentoi dhe arrestimin e Metës më 21 tetor 2024, duke thënë se u rrëmbye me urdhër të bandave.

“Prej tre muajsh, AP ju ka dhënë tre rekomandime të detyrueshme për zbatim, për t’i dhënë fund trajtimit kriminal dhe çnjerëzor ndaj Metës, të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze dhe mbi 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve”, tha Blushi.

Ministri Lamallari iu përgjigj interesit të Blushit duke thënë se Ilir Meta në paraburgim, trajtohet me të njëjtat kushte si të gjithë të paraburgosurit e tjerë. Referuar rekomandimeve të Avokatit të Popullit, që e konsideron si raport përgjithësues, Lamallari thotë se “nuk është një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale; raporti në asnjë moment nuk përdor terminologjinë “trajtim degradues dhe çnjerëzor”.

Blushi tha se Ilir Metës, i janë shkelur të drejtat themelore njerëzore, referuar kufizimit të takimeve dhe të telefonatave.

Avokati i Popullit ju rikujton se, pas një hetimi administrativ, ka arritur në përfundimin se ndaj Metës nuk janë shkelur vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liritë politike, e fjalës dhe mendimit. Sjellja diskriminuese ndaj tij në paraburgim  nga ndalimi për të komunikuar me mediat, ndalimi i deputetëve dhe eurodeputetëve për ta takuar  është rast unik. Kufizimi i takimeve në vetëm katër në muaj përbën shkelje të Kushtetutës. Ndalimi i takimeve me deputetë dhe kufizimi i telefonatave është antinjerëzor. Kam mbi një vit që nuk komunikoj dot me Metën”, tha Blushi.

Lamallari u përgjigj se masat janë marrë referuar çështjes së sigurisë për personin dhe në zbatim të rregulloreve përkatëse. Ministri i Drejtësisë sqaron se ndaj personelit të paraburgimit ‘Jordan Misja’ nuk ka nisur asnjë hetim pasi nuk ka asnjë indicie për shkelje administrative. Lamallari thotë se raporti i Avokatit të Popullit, i cili është në proces shqyrtimi, në asnjë moment nuk flet për shkelje të rregullores e aq më tepër për burgosje politike apo persekutim politik.

Ndërkohë rekomandimet e Avokatit të Popullit për Ilir Metën janë të qarta:

1.Të rishqyqrtohet menjëherë masa e kufizimit të komunikimeve telefonike dhe takimeve ndaj Z. Ilir Metaj.
2. Shuarjen e menjëhershëm të “masës së përkohshme” për ndalimin e komunikimit të Z. Ilir Metaj me Z. Tedi Blushi.
4. Të garantohet e drejta që të burgosurit të kryejnë më shumë se 4 (katër) vizita në muaj, kur kjo varet nga kapacitetet e IEVP, veçanërisht në rastet kur të burgosurit kanë nevojë të veçantë familjare, publike ose sociale.
5. Zbatimin me korrektësi të Ligjit nr. 81/2020, për të siguruar që deputetët të kryejnë vizita në IEVP dhe takime konfidenciale me të paraburgosurin, pa miratimin e prokurorit.
6. Të sigurohet që bisedat telefonike të të burgosurve të kufizohen vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
7. Marrjen e masave për të mos vendosur pengesa jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me telefon me median, ku nuk kërkohet miratimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe i prokurorit.

Avokati i Popullit, në raportin drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për të lehtësuar gjendjen e të paraburgosurit Ilir Meta, i cili u arrestua tetorin e vitit 2024, i dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:46
Lamallari i përgjigjet Blushit: Avokati i Popullit nuk flet për trajtim degradues dhe çnjerëzor ndaj Metës! Trajtohet njësoj me të tjerët në paraburgim

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga deputeti Tedi Blushi lidhur me trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta në paraburgim me bazë raportin e hartuar nga Avokati i Popullit. Lamallari theksoi se raporti në asnjë rresht nuk përdor terminologjinë “trajtim denigrues dhe çnjerëzor”. Ministri tha se Ilir Meta në qendrën e paraburgimit “Jordan Misja” trajtohet në mënyrë të barabartë më çdo të paraburgosur tjetër.

“Unë e kuptoj Blushin mbi shtysën për të kërkuar interpelancë dhe për të tërhequr vëmendjen për Metën, por do të doja që kjo sallë dhe kjo interpelancë të përdoret për misionin që kemi, që është ai i përfaqësimit të qindra e mijërave qytetarëve që presin nga ne, dhe jo për diskursin e emrave të përvetshëm që opozita po dështon ta lërë pas.

Ju nuk flisni për qytetarët, nuk flisni për 2,655 të tillë me emër dhe mbiemër, gra, të mitur, kryefamiljarë që janë ende sot pa një vendim fajësie pas hekurave, ndryshe nga ne, duke dashur të përcjell dhe shqetësimin e ngritur nga KE për kohën e gjatë të qëndrimit në paraburgim apo nevojën për të ndërhyrë në kodin penal për të garantuar trajtim dinjitoz për të paraburgosurit, dhe jo vetëm për emra të përvetshëm.

Referuar raportit të AP në mënyrë të plotë, duhet të adresohen shqetësimet e ngritura nga ky raport dhe mbi të gjitha fakti nëse ky raport është një rekomandim përgjithësues. Ministra e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve janë njohur me rekomandimet e AP. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese. Nuk është një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale; raporti në asnjë moment nuk përdor terminologjinë “trajtim degradues dhe çnjerëzor”.

Rekomandimet e këtij raporti janë në proces shqyrtimi sipas afateve ligjore. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar informacion nga IEVP Jordan Misja dhe ka forcuar mbikëqyrjen administrative me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të konsiderohet si shkelje e dinjitetit njerëzor. Nuk ka hetim ndaj drejtuesve apo personelit të IEVP Jordan Misja, pasi nuk është iniciuar një hetim, qoftë edhe nga rekomandimet e AP. Në këtë rekomandim nuk konstatohen shkelje administrative.

U përmend edhe pretendimi për burg politik. Nuk e thotë ministri, as qeveria, dhe as AP në raport; përkundrazi, raporti konfirmon të kundërtën: nuk ka persekutim politik. Nuk kemi cenim të lirisë së shprehjes, për sa kohë që duhet një balancë.

Siguria dhe dinjiteti janë garantuar; ai trajtohet si çdo i paraburgosur, duke respektuar të drejtat dhe detyrimet, dhe duke garantuar që të trajtohet në mënyrë të barabartë, pavarësisht pozitave të mëparshme shtetërore. Sistemi penitenciar nuk mund të jetë instrument i betejës politike për interesat e ditës, as foltore parlamenti, as studio televizive”, tha Lamallari.

Ora 11:15
Interpelanca me Lamallarin, Blushi: Meta po trajtohet në mënyrë çnjerëzore në izolim! Keni në tavolinë rekomandimet e Avokatit të Popullit, pse nuk i zbatoni?

Deputeti i PL, Tedi Blushi në interpelancën e kërkuar me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kërkuar sqarime për moszbatimin e raportit të Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta gjatë qëndrimit në paraburgim.

Ju kam thirrur për të dhënë llogari për një krim shtetëror të kryer me vetëdije dhe me qëllim të qartë politik, atë të degradimit sistematik të sistemit penitenciar nga një institucion rehabilitimi nën përgjegjësinë tuaj; një makineri çnjerëzore, dhunë, frikë e terror institucional në një sistem të kalbur. Viktima nuk janë vetëm të paraburgosurit dhe të burgosurit, të trajtuar në kushte poshtëruese dhe kafshërore, por edhe vetë gardianët, që i keni shndërruar në skllevër të një administrate kriminale që ju e keni ndërtuar e ushqyer.

Nga njëra anë, ju shpallni amnistinë si mjet për të shfryrë mbipopullimin e burgjeve, ndërsa nga ana tjetër minoni burgimin për parkimin “2”, duke goditur qytetarët e pambrojtur. E gjitha kjo ndodh në një realitet absurd. Falë jush, Shqipëria mban një rekord të turpshëm; jemi i vetmi anëtar i NATO-s me të burgosur politik.

E pa e gjithë bota atë që ndodhi më 21 tetor, kur, për të rrëmbyer zgjedhjet e 11 majit dhe për të terrorizuar anëtarët e PL, ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri, u rrëmbye nga bandidë të maskuar dhe të armatosur; u tërhoq zvarrë dhe u fut në një automjet privat, duke u mbajtur peng për rreth 2 orë. Edhe nga vetë SPAK dhe gjykata u provua se Meta u njoh me akuzën në orën 14:16, ndërkohë që rrëmbimi i tij, që e pa e gjithë bota, ndodhi në orën 12:18.

Prej tre muajsh, AP ju ka dhënë tre rekomandime të detyrueshme për zbatim, për t’i dhënë fund trajtimit kriminal dhe çnjerëzor ndaj Metës, të cilin e rrëmbyet në mënyrë mafioze dhe mbi 15 muaj vijoni ta mbani në izolim ekstrem, pa asnjë fakt apo provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe zero qindarkë dëm të taksave të shqiptarëve.

Sot, Balluku ende vijon të japë tendera, edhe pse ka mbi kurriz një mal me prova për korrupsionin e saj. AP ju rikujton se, pas një hetimi administrativ, ka arritur në përfundimin se ndaj Metës nuk janë shkelur vetëm liritë dhe të drejtat, por edhe liritë politike, e fjalës dhe mendimit. Sjellja diskriminuese ndaj tij në paraburgim  nga ndalimi për të komunikuar me mediat, ndalimi i deputetëve dhe eurodeputetëve për ta takuar  është rast unik.

Kufizimi i takimeve në vetëm katër në muaj përbën shkelje të Kushtetutës. Ndalimi i takimeve me deputetë dhe kufizimi i telefonatave është antinjerëzor. Kam mbi një vit që nuk komunikoj dot me Metën”, tha Blushi.