Blushi: Parlamenti po bllokon me
konsensus reformën në drejtësi

Blushi: Parlamenti po bllokon me<br />konsensus reformën në drejtësi
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku u vendos me konsensus ngritja e komisionit parlamentar për hetimin e privatizimit të CEZ si dhe të marrëveshjes me qeverinë shqiptare që çoi në zgjidhjen e kontratës, Kuvendi nisi seancën me diskutimin e një tjetër kërkese të PD.
 
Një prej kushteve të demokratëve për rikthimin e dialogut të reformës në drejtësi, janë komisionet hetimore parlamentare.
 
Ulsi Manja, deputet i PS, kërkoi nga mazhoranca rrëzimin e kërkesës së demokratëve që parashikon ndryshimin e rregullores për komisionet, pasi sipas tij, propozimi bie ndesh me Kushtetutën.
 
Ndërsa për deputetin e PD, Luçiano Boçi, mazhoranca ka frikë nga hetimi pasi ka abuzuar me ligjin.   
 
Dy komisione kanë përfunduar punën me sukses të ngritura me iniciativën tuaj, njëri për shkarkimin e drejtuesit dhe anëtarit të KLD-së dhe i dyti ishte ai më qesharaku, ishte pikërisht komisioni i ngritur nga mazhoranca kundër akuzave të PD-së për trafik droge nga Forcat e Armatosura. Në historinë e parlamentarizmit do të ngelet si komisioni më qesharak që është ngritur ndonjëherë në këtë Parlament”, tha ai.
 
Seanca e sotme e Kuvendit pritet të vendosë edhe për dy kërkesat e Partisë Demokratike, dërgimin për interpretim në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetëve të PS-së, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, si dhe të kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor për CEZ-n. Një tjetër vendim i Kuvendit pritet të jetë edhe ai për ligjin e dekriminalizimit. Ndryshimi i propozuar nga demokratët u rrëzua nga komisioni i ligjeve një javë më parë.
 
Rendi i ditës përfshin dhe dekretin e Presidentit që kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për disa ndryshime ne ligjin “Për mediat”. Ratifikimi i marrëveshjes me Rumaninë "Për mbrojtjen shoqërore’ dhe raporti vjetor për veprimtarinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2015, janë nder pikat e rendit të ditës të seancës së sotme plenare.

Ora 14:10 Majko: Kërkesat e PD, si teknikat e doktor Adhamudhit
Deputeti socialist Pandeli Majko e cilësoi precedent të rrezikshëm për Kuvendin, ndryshimin e rregullores për komisionet hetimore parlamentare. 

"PD të gjente një mënyrë tjetër t'i ofrohej kësaj teknike dhe jo sipas teknikës së Doktor Adham’ Utit. ju propozoni që me një komision hetimor me 7 veta, 3 veta të kenë mundësinë të bëjnë mbledhje veccmas dhe ët marrin vendime veccmas. Ky parlament në 25 vite s'ka patur asnjë eksperiencë të dobishme nga hetimi parlamentar. Kjo sepse është bazuar në një logjikë sempliste politike. Kur flasim për rastet e mosfunksionimit të kom hetimore për arsye të mungesës së mazhorancës, është e paarsyetuar. I hap Kuvendit një precedent keqfunksionimi kiomisioneve parlamentare. Kam këto 2-3 vite në Kuvend, që nk shoh asnjë deputet të opozitës që të kërkojë interpelancë. Ajo që kërkohet është tjetër dhe ajo që diskutohet është tjetër. Të majtë e të djathtë po kërkojmë tani me nostalgji periudhën e Jozefina Topallit që në orën 1 e kishim mbyllur seancën dhe tani ishim duke ngrënë drekë."-tha Majko



Ora 13:20 Balla: Alibi e opozitës për të bojkotuar reformën në drejtësi
Duke komentuar propozimin e demokratëve për ndryshimin e rregullores së komisioneve hetimore, Balla tha se ligji aktual është adoptuar nga Bundestagu gjerman.

"Sa i takon ligjit për komisionet hetimore, kush ka qenë në këtë parlament vite më parë, ky ligj është marrë si model, madje dhe fjalë për fjalë nga ligji i komisioneve hetimore parlamentare të Bundestagut gjerman. Të shumtë kanë qenë kolegët gjermanë që kanë thënë se do të donim të kishit marrë ligje të tjera dhe jo nga ligjet më të këqija, që edhe atje s'është se ka funksionuar".

Ai solli në vëmendje sesi komisionet hetimore kanë dështuar në kohën kur demokratët ishin në pushtet, pasi atij iu shmangën të akuzuar, sikurse ishte ish ministri i Transporteve, sot kryetar i PD, Lulzim Basha.

"Lulzim Basha s'ka më besim tek deputetët e tij dhe kërkon të bëjë komisione hetimore te partia. Dhe të ketë dy parlamente, ai i shqiptarëve dhe parlamenti i minorancës së përjetshme në SHQUP. Nuk mund të funksionojë parlamenti kështu. Ju thoni që parlamenti, nga 140, të mblidhen 139 për ju. Kjo është për të thënë që nesër s'do merrni pjesë në tryezën e reformës në drejtësi. Kur ishit në pushtet s'ngritët asnjë komision hetimor të kërkuar nga opozita", tha Balla.   
 
Balla tha gjithashtu se edhe pse opozita ka propozuar ndryshimet në ligj, asnjë nga deputetët e saj nuk flet për propozimin në fjalë.

"Si ka mundësi që një parti politike propozon një pr/ligj dhe çohen 4 deputetë e asnjëri nuk flet për projektligjin që kanë propozuar vetë. U çua Vokshi dhe foli për çështjen e saj personale me z.Beqaj. U çua Boçi dhe foli për "interesin" e tij, arsimin", tha ai.
 
Ai evidentoi edhe mungesën në seancë të ish kryeministrit Berisha, një ditë pas vërejtjes nga Byroja e Kuvendit, për fjalorin e përdorur në seancë një javë më parë.
 
"Na mungon sot Saliu, por mirë bën që e paska kuptuar vendimin e djeshëm të Byrosë së Kuvendit. Më vjen mirë që e paska kuptuar dhe e paska bërë shumë keq. Më vjen keq që nuk është Erion Braçe, që dje u pezullua me të padrejtë., Ndërsa shkaktari i gjuhën regresive, fyese në Parlament, është vetëm, një parlament, lideri historik i zv/lideres historike (Topalli)", tha Balla.  



Ora 12: 30 Topalli: 46% e shqiptarëve jetojnë me pak se 5 dollarë në ditë
Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh në Kuvend se shqiptarët po varfërohen. Sipas saj, raporti i fundit i Bankës Botërore tregon se 46% e shqiptarëve jetojnë me pak se 5 dollarë në ditë.

"Keni raportin e Bankës Botërore që thotë se 46% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë. Janë 100 mijë shqiptarë që e kanë braktisur këtë vend. Kemi mbetur vetëm 2.8 milionë veta. Statistkiat thonë se pas disa viteve s'do ketë forcë pune më për të paguar pensionet. Pse ndodh kjo? Është korrupsioni. Të gjithë raportet janë hedhur si shuplakë për qeverinë e sotme. 1 miliard dollarë thotë KLSH se janë dëmet ndaj buxhetit të shtetit. Në krye të këtij abuzuimi qëndron OSHEE. Ccfarë ndodh në anën tjetër? Kemi modelin e Koços dhe koçove, 150 tenderë do t'i marr unë e me radhë", u shpreh Topalli.



Ora 12:05 Ahmetaj: Dakord me Blushin për reformën në drejtësi, ka efekte në ekonomi
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke iu përgjigjur deklaratave të Ben Blushit për situatën ekonomike të vendit tha se situata është ndryshe nga 3 vite më parë, kur socialistët erdhën në pushtet.

"Situata ekonomike nuk mund të përmirësohet nëse nuk ka një drejtësi të pavarur. Nëse s'miratojmë reformën në drejtësi, rrezikojmë hapjen e negociatave”, ka thënë Ahmetaj.
 
Kreu i Financave tha se ekonomia nuk është aty ku duhet, por shumë ndryshe në krahasim me 2013-ën, kur socialistët erdhën në pushtet.
 
"Kur shqiptarët na votuan me 1 milionë vota në 2013-ën, Shqipëria ishte në rënie ekonomike në pikiatë. Ka qenë gati statistikisht zero rritja, nën 1%. Folët për varfërinë, kjo nuk zgjidhet duke emocionuar të varfrin, njeriun në nevojë. Tendenca për të instrumentalizuar, është një shembull shumë i keq në Greqi. Tani është sërish në buzë të greminës dhe nuk po del dot. Raporti i Bankës Botërore ka një shifër modeste, por me tendencë të fortë. Në disa vende, varfëria ka rënë me 2.6%. Janë 142 mijë familje në 3-4 vendet e rajonit që kanë dalë nga varfëria. Nëse këtu thuhet nga ndonjë administrator, gjëja e vetme që ka nuk i zë fjala peshë, varfëria është ulur. Sepse kemi ardhur nga gropa. Dhe ne kemi dalë nga gropa. Kemi lënë mbrapa gropën dhe kemi një plan rritje ekonomike prej 3.4%", deklaroi ministri Ahmetaj. 

ahmetaj

Ora 11: 40 Blushi: Ky parlament s'jep garanci për miratimin e reformës në drejtësi
Deputeti socialist Ben Blushi u shpreh sot nga foltorja e Kuvendit se reforma në drejtësi po shtyhet me konsensusin e të dyja palëve.

Sipas tij, parlamenti aktual nuk jep asnjë garanci për miratimin e kësaj reforme të rëndësishme.

"Do ketë apo jo drejtësi në Shqipëri? Ky parlament nuk e jep këtë garanci deri ditën e fundit të tij. Shqiptarët s'do jenë të barabartë para ligjit edhe nëse drejtësia ndryshon me ligj. Çfarë garancie ka që gjykatësit e korruptuar apo prokurorët e korruptuar do gjykojnë politikanët e korruptuar? Asnjë garanci s'ka. Reforma në drejtësi do të përfundojë si një marrëveshje për të mos ndëshkuar", u shpreh Blushi.  

Vonesa në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për deputetin Ben Blushi është një provë që tregon se politika po kërkon të kthejë në hiç reformën në drejtësi.

"Pas kësaj dite, edhe nëse do të ketë reformë në drejtësi, drejtësi nuk do të ketë. Ky parlament prodhon më shumë fjalë se ligje. Ky parlament miraton, por rrallë voton. Shumë pak raste është në dobi të shqiptarëve. Ky parlament po bën gjithçka që ka në dorë për ta shtyrë dhe për ta bërë hiç reformën në drejtësi. Për këtë kam një provë. në fund të vitit të kaluar me konsensus u miratua ligji i dekriminalizimit. Shumë kolegë që e votuan, sot thonë se u bënë pishman pse e votuan. Çfarë ka këtu? Kush wshtw bwrw pishman? Ata kriminelë duhet të dalin me ligj nga ky parlament. Kush është bërë pishman për të nxjerrë nga zyrat ata që kanë qëlluar me armë, ata që kanë grabitur me dhunë apo imunitet parlamentar, ata që erdhën për tu fshehur në zyrat e shtetit pasi kishin bërë krime jashtë Shqipërisë. T'i thuash shqiptarëve se në këtë parlament s'ka kriminelë, është njësoj si ti bindësh se ka pyll pa derra. Tu thuash shqiptarëve se njeriu i thjeshtë mban armë, atë kur e mban një deputet dhe thonë është celular, kjo nuk është komike, është tragjike", tha Blushi.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb