I pranishëm ishte edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e mori ftesën nga vetë Blushi pakë ditë më pare.
Në fjalën e tij, Blushi tha se “Shqipëria” është një libër për shqiptarët, mënyrën se si janë sjellë gjatë kohës me tokën dhe zotin. “Libri nuk është historik, nuk është politik, ai është vetëm artistik, prandaj është argëtim”- tha Blushi.
Duke përcjellë idetë që lexuesi do t’i takojë gjate leximit të librit, Blushi theksoi se, problemet që ne kemi me veten nuk janë zhdukur, dhe se Shqipëria vuan ende nga shqiptarët. “Ky libër në fund nuk jep asnjë këshillë. Shqipëria është një përpjekje për të njohur veten, dhe për të njohur të ngjashmit e mi me të cilët jetoj përditë”- tha ai.
Shkrimtarja Diana Çuli, një ndër lexueset e para të librit, e vlerësoi librin si një befasi letrare, pasi sipas saj, është një metaforë e madhe. Është krijimi i një Shqipërie utopike, ku ka personazhe me emra real, por mbetet një krijim artistik.