
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka komentuar reagimin e Ramës për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën citoi një opinion të Komisionit të Venecias që shprehej kundër vendimit të GJKKO-së.
Blushi tha se është po i njëjti Ramë, i cili shkarkoi nga detyra dy zv.ministra, përkatësisht Rovena Vodën pasi pranoi si dhuratë një arkë me peshk dhe një celular si dhe zv.ministrin Andi Mahilën, pasi u fotografua duke pirë cigare në një ambient të mbyllur në SHBA.
Blushi thotë se kryeministri Rama po mbron interesat e tij personal dhe jo Kushtetutën.
“Edi Rama nuk po mbron as Belindën as Kushtetutën, por hajdutëritë e veta
I njëjti Edi Rama që shkarkoi një Zv/ministre vetëm pse pranoi dhuratë një arkë me peshk apo një tjetër pse piu një cigare në një ambient publik, sot refuzon të shkarkojë një Zv/kryeministre të kapur me "presh në dorë" për vjedhjen e qindra miliona euro.
I njëjti Edi Rama që i "dhemb zemra" për Kushtetutën, ndërkohë që ndër vite Gjykata Kushtetuese e ka çertifikuar si shkelësin më të madh të saj, nga vendimi për Teatrin Kombëtar, te ligjet e qepura me porosi për oligarkët e deri te mandati i Olta Xhaçkës.
Është i njëjti "dashnor" i Kushtetutës që Komisioni i Venecias e ka damkosur të paktën pesë herë për shkelje të saj.
I njëjti Kryeministër që donte të shkarkonte Presidentin e Republikës pse mbronte Kushtetutën, tani kërkon të mos shkarkojë Zv/Kryeministren që e çoi kilometrin e rrugëve të florinjta, që shemben si thes kashte, 5-6 herë më shtrenjtë se në vendet e BE.
Sot, Edi Rama nuk po mbron Kushtetutën.
Kërkon të mbrojë bashkëvjedhjet dhe hajdutëritë e veta me duart e Belindës, e cila mesa duket është gati t’i zbulojë të gjitha, nëse Kryeministri do të guxojë ta braktisë.
Kaq është e vërteta!”, shkruan Tedi Blushi.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i Ballukut/ Rama: Sipas Venecias, Gjykata s’mund të pezullojë ministrat! Ndërhyri në punët e qeverisë, presion de facto për shkarkimin e saj nga detyra











