Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com", deputeti demokrat Luçiano Boçi është shprehur se ndryshimet në qeveri e bëjnë me dinamike politikën, ndërkohë që pas zgjedhjes së Presidentit ai thotë se duhet të zgjerohet dhe përfshira e aleatëve në qeveri. Boçi flet dhe për marrëdhëniet me kryeprokuroren, kreun e SHISH.

Mendoni se përbën pengesë zgjedhja e një figure politike në krye të shtetit për integrimin, ndërsa partnerët tanë ndërkombëtarë kërkonin zgjedhje me konsensus?
Po e nis me pjesën e fundit meqënëse më duket më e diskutueshmja pasi këtu ka shumë keqinterpretime. Ndërkombëtarët nuk kërkuan konsensus por e orientuan konsensusin si një proces i cili parakuptonte dakortësinë e palëve pozitare dhe opozitare për gjetjen e një kandidature gjithëpërfshirëse. Dhe gjithmonë ngulmimi i tyre ishte i theksuar në drejtim të respektimit të kushtetutës gjë që u realizua me fanatizëm të plotë. Përsa i takon qëndrimit të palëve ndaj konsesusit kjo është e njohur pasi maxhoranca e dëshmoi gatishmërinë e saj si me takimet ashtu dhe kandidaturat e paraqitura por hasi në murin e pakapërcyeshëm refuzues të ngritur me kryenecësi nga opozita. Thënë më shkoqur, opozita s'kërkonte dhe s'donte që presidenti të ishte produkt i konsultimeve, ose më saktë ishte e dizinteresuar për presidentin, thjeshtë kërkoi ta përdorë momentin e zgjedhjes së tij si diversion për të vënë në dyshim aleancën qeverisëse.

Fakti i të qenit figurë politike...?
Ndërsa fakti i të qënit një figure politike President s'ka se si të jetë pengesë për integrimin, përkundrazi e shtyn këtë proces drejt atyre shinave që arrijnë shumë më shpejt objektivin e kërkuar. Një diskutim i tillë hyn në rendin e gjërave inekzistente, sepse rrugëtimi i një figure politike, brenda normalitetit politik, gjithmonë ka objektiva madhorë ndër të cilat dhe të qenit, si kurorëzim i një karriere të sukseshme, President.
Zgjedhja e Presidentit të ri ishte një test për koalicionin qeverisës. Mendoni se ky konsolidim koalicioni duhet shoqëruar dhe me zgjerimin e gamës së përfsirjes së tij në qeveri...?
Në fakt midis ëndrrës së Ramës e rezultatit konkret të votimit që pothuaj çimentoi votëbesimin qeverisës, pati një diferencë të madhe. Në këtë rast zbulimi ishte për Ramën e jo për ne pasi ne e dinim mirë që mazhoranca ishte dhe është solide në funksionimin e saj bazik. Gjithsesi kjo s'do thotë që një e tillë nuk na jep kënaqësi dhe që s'na shtyn në rishikimin e raporteve me aleatët. Por mos të harrojmë që një vendimarrje e tillë i përket strukturave të larta të partive në aleancë dhe jo opinioneve sporadike.

Tashmë që posti i minstrit të Brendshëm ka mbetur vakant. Mendoni se mund të shërbejë si bazë dhe për përmirësime të tjera ...?
Është Kryeministri ai që formaton dhe riformaton kabinetin, gjithmonë duke respektuar marrëveshjet e nënshkruara me aleatët.

Zgjedhjet janë në prag. Mendoni se duhen ndryshime më të forta në qeveri, përtej zëvendësimit të një vendi vakant të Nishanit...?
Nuk besoj se kjo është "leva e Arkimedit" për të maksimalizuar përkrahjen politike qytetare. Qeverisja ka performancë të mirë, por dhe ndërrimet janë pjesë e të bërit politikë dinamike dhe në këtë rast duket si alternativë normale brenda një procesi qeverisës që ka suksese të padiskutueshme.

Mendoni se PD do të hyjë në Koalicion me LSI në zgjedhjet e vitit 2013, çfarë ju bën të besoni se këto zgjedhje do fitohen sërish?
Një gjë e tillë vendoset në limitet e domosdoshme e njëkohësisht modalitetet e aleancave gjithashtu. E rëndësishme është mirëfunksionimi në gjithë segmentin kohor para zgjedhjeve i koalicionit ekzistues dhe në këtë rast kjo është një bazë e fortë që kjo aleancë të vazhdojë. Ajo që më bën të besoj në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme është mirënjohja e shqiptarëve për të gjitha ato gjëra që kjo qeverisje ka bërë për ta, grinta dhe dëshira për triumf e strukturave politike të PD si dhe mençuria dhe urtësia e drejtuesve të lartë të maxhorancës.

Marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin kanë qënë të ngurtësuara, duke ndikuar dhe në institucionet e pavarura. Po me Nishanin...?
Besoj se do jenë marrëdhënie që do rrjedhin natyrshëm, në bazë të respektimit reciprok të kompetencave ligjore të secilit, pa u ndikuar aspak nga paragjykime ose keqgjykime që më së shumti kanë kontribuar në ekzistencën e asaj klime që përcaktuat. Garancia për këtë është pikërisht figura e vetë zotit Nishani si dhe pasioni i tij për të respektuar në çdo moment dhe aspekt ligjin dhe Kushtetutën.

Do ketë bashkëpunim me opozitën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri dhe a mund të ketë një mandat të dytë për Ina Ramën?
Ne kemi qenë dhe do të jemi të hapur dhe të gatshëm për çdo marrëveshje që i shërben interesave të larta të vendit dhe që respekton Kushtetutën, me opozitën, ndërkohë që nuk pengojmë askënd që aspiron apo që kërkon një mandat, gjithmonë brenda kornizës së respektimit të ligjit.

Pas disa tentativave, tani që President është Nishani mendoni se mund të bëhet largimi i drejtorit të SHISH e kalimi i ligjit?
Ndryshimet kanë afatet e tyre kohore si dhe elementë të tjerë evolutivë sasiorë dhe cilësorë dhe në bazë të respektimit të tyre mund të bëhet cdo kërkesë e re apo ripërsëritje të kërkesave. Çështje të tilla nuk mund të thjeshtëzohen tek gatishmëria apo jo e Presidentit.