56 persona janë arrestuar ditën e enjte në kuadër të një aksioni të madh ndërkombëtar që është zhvilluar kundër një rrjeti të trafikut të kokainës në Brescia të Italisë.
Sipas mediave italiane, të prangosurit janë anëtarë të tre grupeve kriminale, ku mes të cilëve raportohet se një numër i madh janë shqiptarë. Po sipas tyre, tre shqiptarë ishin “truri” i organizatës që formohej pikërisht nga këto tre grupe. Njëri banonte në Belgjikë, i dyti në Hollandë dhe i treti në Gjermani. Por, ende nuk dihet nëse ata janë në mesin e të arrestuarve.
Autoritetet italiane deklarojnë se grupet kriminale e merrnin kokainën nga Amerika Latine për ta shpërndarë më pas atë në Itali. Rruga e trafikut prekte Holandën, Gjermaninë dhe përfundonte në fund në Itali. Organizata kriminale dyshohet se ka trafikuar 1 ton kokainë përgjatë një viti, duke qarkulluar kështu 100 milionë euro. Kjo organizatë, sikurse shkruhet në mediat italiane, kishte në pronësi edhe një dyqan të shitjes së automjeteve, ku këto të fundit përdoreshin për transportimin e lëndës narkotike.
Gjatë operacionit të koduar “BOCA”, policia ka sekuestruar në depo dhe vendet ku ata mblidheshin, konkretisht në veri të Italisë dhe në Holandë, 130 kg kokainë dhe armë zjarri. Po kështu, konfiskuan edhe pasuri të patundshme dhe asete të tjera, vlera e të cilave shkon në mbi 1 milion euro. Fitimet e organizatës kriminale dyshohet se investoheshin më pas në Shqipëri.
Policia ka zbuluar gjithashtu një rast të agresivitetit të këtyre bandave, që ndonëse të ndara, ishin pjesë e një organizate. Kjo e fundit para disa kohësh kishte rrëmbyer një prej bashkëpunëtorëve të saj, pasi kishte tentuar të shiste drogë në mënyrë të pavarur.
Operacioni i koduar “Boca” u finalizua si rrjedhojë e bashkëpunimit të policisë italiane me atë shqiptare, belge, gjermane dhe greke.