Boçi paralajmëron: Protesta për ta
ndaluar të hyjë në fuqi Ligji i Arsimit

Boçi paralajmëron: Protesta për ta<br />ndaluar të hyjë në fuqi Ligji i Arsimit
TIRANË - Opozita e ka të përcaktuar qartë axhendën për të kundërshtuar me çdo mjet ligjor ose me protesta hyrjen në fuqi të ligjit të Arsimit të Lartë. Pavarësisht vendimit që do japë presidenti I republikës për ta dekretuar ose jo ligjin, demokratët në bashkëpunim me pedagogët po përgatisin hapat ligjor që do të ndjekin për këtë çështje. Kjo konfirmohet gjatë një interviste për A1 Report nga deputeti demokrat Luçiano Boçi.
 
“Para se të arrijmë të koordinimi i protestës me pedagogët dhe studentët pasi dhe studentët janë pjesë e rëndësishme e kundërshtisë ndaj ligjit për arsimin e lartë. Ne do realizojmë fazat ligjore që kanë të bëjnë me dërgimin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese duke e rakorduar ankimimin tonë jo thjeshtë si pjesë e politikës por në bashkëpunim të plotë me forumet e pedagogëve.”-tha Boçi.
 
Jo të gjithë pedagogët e kanë kundërshtuar ligjin, por Luçiano Boçi i gjen pavend këto qëndrime sidomos nga pedagogët e Universiteteve në rrethe, pasi sipas tij ligji i ri i kthen ato në kolegje.

“Universitetet jashtë Tiranës që 9 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit të daljes së raportit të vlerësimit të cilësisë së punës së tyre kthehen menjëherë në kolegje për shkak të mos përmbushjes së atyre parametrave që parashikohen në ligj.”- u shpreh  Boçi.

Ndonëse ligji kundërshtohet në themel nga opozita, Boçi thotë se edhe në ato raste kur ka përpjekje për përmirësim , kjo nuk plotësohet në ligj.

“Po kredia studentore është e vendosur në ligj por nuk është vendosur në mënyrën që duhet, nuk përcaktohet garancia qeveritare, nuk përcaktohen metodat ose mënyrat e marrjes së kredisë dhe nuk parashikohet që studenti do marri një kredi e cila është lehtësuese për të apo do marri një kredi tregtare siç është tani realisht.”- tha Boçi.

Kuvendi me votat e mazhoranxës miratoi në një seancë të posaçme me 22 korrik ligjin e ri të Arsimit të Lartë, ndërsa Presidenti i Republikës ka në dispozicion 3 javë kohë për t’u shprehur me dekret. Gjatë kësaj kohe kreu i shtetit zhvilloi një tryezë me pedagogët si dhe priti në takim Ministren e Arsimit për të diskutuar pikërisht për këtë ligj.


Dekreti/ Nishani, afat ligjor deri në mes të Gushtit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka preferuar të marrë të gjithë kohën e nevojshme, brenda afateve ligjore, për dekretuar ose jo, ligjin e “Arsimit të Lartë”. Kuvendi, vetëm me votat e mazhorancës miratoi në një seancë të posaçme me 22 korrik ligjin e ri të “Arsimit të Lartë”, ndërsa Presidenti i Republikës ka në dispozicion 3 javë kohë për t’u shprehur me dekret.

Afati ligjor i dekretit të Nishanit është mesi i muajit Gusht. Gjatë kësaj kohe kreu i shtetit zhvilloi një tryezë me pedagogët, për tu njohur me shqetësimet e tyre dhe nga ku garantoi se do të respektojë vetëm Kushtetutën e vendit, duke qëndruar jashtë çdo debati politik. “Do të doja që përpara se të gjykoj institucionalisht dhe duke ushtruar tagrin dhe përgjegjësitë institucionale dhe kushtetuese të merrja edhe një gjykim dhe vlerësim nga ana juaj rreth sfidës që ofron ky legjislacion për studentët, pedagogët, akademikët, në fund të fundit për trurin e shoqërisë shqiptare”, ka deklaruar Presidenti.

Duke u shprehur se ky ligj cenon të drejtën e arsimit dhe autonominë e  universiteteve numri një i shtetit la të kuptohet se shumë shpejt mund ta kthejë këtë ligj për rishqyrtim. Krahas takimit me trupën e pedagogëve, Nishani priti në takim edhe Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla për të diskutuar pikërisht për këtë ligj. Numri një i arsimit të vend, ka shprehur besim tek presidenti, ndërsa ka nënkuptuar mungesën e arsyeve ligjore për ta rikthyer atë në Kuvend.

Sipas saj, ligji i ri i arsimit të lartë nuk cenon garancinë kushtetuese për t’i ofruar çdo të riu të drejtën e barabartë për studime. Kur kanë kaluar më shumë se 2 javë nga miratimi i ligjit në Parlament dhe kur zhvilloi takime konsultuese me grupet e interesit dhe vetë ministren e Arsimit, Presidenti Nishani ende nuk e ka shprehur dekretin e tij për “Arsimin e Lartë”. 


Deputeti demokrat: “Nisma të forta ligjore, ankimim në Kushtetuese”
Z.Boçi, opozita ka paralajmëruar një aksion të saj lidhur me Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me pedagogët dhe profesorët të cilët kanë qenë pjesë e tryezave të PD. Por si do të koordinohet puna me pedagogët dhe profesorët, dhe rruga që do të ndiqet qoftë edhe në Kushtetuese?
Para se të arrijmë te koordinimi i protestës me pedagogët dhe studentët, ne do të realizojmë fazat ligjore që kanë të bëjnë me dorëzimin e ankimimit në Gjykatën e Kushtetuese, duke e rakorduar ankimimin tonë jo thjesht si pjesë e politikës, por në bashkëpunim të plotë me forumet e pedagogëve, akademikëve dhe atë të studentëve. Më pas, pas këtij rasti do të kalojmë në pjesën  tjetër të bashkëpunimit me forumet akademike dhe studentore që ata të vazhdojnë protestën e tyre. Protesta u ndërpre për shkak të kalimit në periudhën e vakancës të botës akademike dhe studentore, periudhë e cila u shfrytëzua jo në mënyrë të sinqertë nga mazhoranca për të kaluar ligjin. Në fakt, edhe këtu ka një lloj pjese pakënaqësie jo vetëm me brendësinë e ligjit që është themelore, por edhe mënyra jo e sinqertë, ose të themi hajdutçe të mënyrës së kalimit të ligjit, bën që intensiteti i protestës të jetë në një masë më të theksuar se ç’ka qenë edhe përgjatë vitit akademik.     
 
Gjatë muajit gusht, z.Boçi, opozita po pushon për të rimarrë energjitë dhe për tu mobilizuar për në shtator?
Opozita është duke vazhduar pjesën e angazhimit të saj politik. Me pedagogët jemi në kontakt të vazhdueshëm si dhe kemi patur edhe plan mediatik të daljeve në media të zërave të ndryshëm që vijnë nga bota akademike dhe organizatat rinore, por që vijnë edhe nga politika. Ne kemi parashtruar të gjitha ato objeksione që i kemi bërë të qarta edhe para publikut, por në vazhdimësi duke shtuar edhe pjesën e argumenteve, pasi, një akademik, miku im shumë i ngushtë, më tha me jo pak qesëndi se, “sa herë e shoh këtë ligj, sa herë i bie, duket si ai thesi që ka patur miell, por që sa herë i bie, shkund dhe nxjerr krunde”.
 
Në takimin që Presidenti i Republikës zhvilloi me pedagogët dhe profesorët, pati edhe nga ata që e mbështesin ligjin e Arsimit të Lartë, kur e cilësuan atë si një ligj që rrit konkurrencën në arsim. Madje, për këtë çështje, Presidenti Nishani është takuar edhe me Ministren e Arsimit. Dua të ndalem tek pedagogët që e mbështesin këtë ligj...
Ne nuk jemi deklaruar se 100% e pedagogëve dhe akademikëve e kundërshtojnë ligjin. Ky argument ka qenë nga pjesa e mazhorancës që ka pretenduar se pjesa më e madhe e pedagogëve e ka mbështetur. Në fakt janë vetëm disa zëra. Është normale që në një situatë të tillë opinionet kanë këndvështrimet e tyre, por unë s’do të pranoja ato opinione që kanë ngjyra të theksuara të servilizmit politik apo të përmbajtësisë së deklaratave të tyre. Është e drejta e gjithsecilit që ta këndvështrojë ligjin nga ajo pikëpamje që ai e gjykon, ose e perspektivës që ai sheh brenda ligjit. Ne kemi detyrën tonë që të parashtrojmë të metat e ligjit dhe pasojat negative që ai sjell. Sigurisht, unë nuk mund të jem dakord me deklarata që vijnë sidomos nga përfaqësues të universiteteve të cilat rrezikojnë më shumë sesa të gjithë universitetet e tjera. E kam fjalën këtu për universitetet jashtë Tiranës, të cilët 9 muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi, të daljes së raportit të cilësisë së punës së tyre, kthehen menjëherë në kolegje, për shkak të mospërmbushjes së atyre parametrave që parashikohen në ligj. Tashmë ato janë kthyer, por zyrtarizimi i kthimit të tyre bëhet pas 9 muajsh. Dhe kur këto deklarata vijnë nga ambiente të tilla, nuk janë të përputhshme me pasojat negative të ligjit. Është e drejta e gjithsecilit që ta shohë ligjin në një perspektivë shumë personale dhe është e drejta e tij që të japë gjykime.           
  
A është 100 i gabuar ligji për “Arsimin e Lartë”, apo ka edhe nene të caktuara të tij që janë të pranuara nga politika?
Në fakt, ne nuk i kemi matur ligjet me përqindje dhe nuk e masim as këtë me përqindje. Ne e kemi kundërshtuar në tërësi ligjin për “Arsimin e Lartë”, jo në pjesë të caktuara. Megjithëse thelbi i tij është kreu i 12, aq shumë i përfolur. Ndërsa asaj pjesës që ka elementë pozitivë ky ligj apo s’ka elementë pozitivë, këto komente i kemi shprehur gjatë punës në komision. Sigurisht në mënyrë sporadike atje mund të gjesh elementë që ndihmojnë në mënyrën e menaxhimit të universiteteve, por në shumicën e parashtrimeve të tij ligjore, ligji nuk përputhet me atë çka kërkon bota akademike dhe studentore. Nëse ju doni, për kuriozitet, që ne të themi se çfarë aspekti të mirë ka ligji, ne mund të themi që po, kredia studentore është e vendosur në ligj, por nuk është vendosur në mënyrën që duhet, nuk përcaktohet garancia qeveritare, nuk përcaktohen metodat dhe mënyrat e marrjes së kredisë si dhe nuk parashikohet që studenti do të marrë një kredi e cila është lehtësuese për të, apo do të marrë një kredi tregtare siç është aktualisht. Sepse ka plot studentë që pa dalë dhe pa u shtruar në ligj kredia, kanë tentuar dhe kanë marrë kredi për vazhdimin e studimeve të tyre. Pra, nëse flitet për një aspekt pozitiv, edhe këto aspekte pozitive janë jo në mënyrë të plotë në parashtrime dhe parashikimet ligjore, që një ligj duhet t’i ketë krejtësisht të domosdoshme.   
  


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria