TIRANE - Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi në një konferencë për shtyp se ministria e Financave ka përdorur asistencën e organizatave ndërkombëtare siç është Llotaria Shtetërore Europiane, organizatë kjo ku aderojnë pothuaj gjithë kompanitë shtetërore të Llotove, për vendosjen e kritereve që do të shërbenin për konkurimin për dhënien e liçencës së llotarisë kombëtare.

Ai iu përgjigj akuzave të shumta, të hedhura këto ditë nga disa kompani që operojnë në fushën e llotarive për kufizim konkurence, si dhe nga opozita në Parlament. "Qeveria ka bërë zgjidhjen më të mirë për ekonominë dhe për vendin", tha ministri. "Asnjë kriter nuk është shtuar nga pala shqiptare por të gjitha janë propozime të konsulencës ndërkombëtare", deklaroi Bode. Sipas tij, llotarite kombëtare janë një aktivitet delikat, biznes i cili synohet pasi mund të jetë objekt i krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe një sërë fenomenesh.

"Parësore për ministrinë e Financave ka qënë zgjedhja e një operatori me integritet, në gjendje të plotësojë aftësitë financiare teknke të kërkuara, kapitalet të cilat të jenë jashtë ]do lloj dyshimi se janë krijuar në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe të ketë dëshmuar se ka një politkë për lojë të përgjegjshme dhe të ndershme ndaj publikut dhe aftësitë për të monitoruar këtë politikë në mënyrë transparente", sqaroi Bode.

Procesi i akordimit të licencës për Llotarinë Kombëtare është një proces transparent dhe operatorët aplikues duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga shoqëria ndërkombëtare konsulente, u shpreh ministri. Sipas tij, ky është një biznes specifik dhe kompleks. Bode ka insistuar se çmimi nuk mund të jetë kriter bazë përcaktues për zgjedhjen e fituesit, një kritikë kjo e ardhur nga media, biznesi dhe politika.

Bode tha se operatori që do të fitojë licencën për Llotarinë Kombëtare, duhet të jetë çertifikuar më parë për lojë të përgjegjshme, të sigurt dhe trasparente. Ministri Bode më shumë se një licencë, këtë proces e quajti koncesion me afat, pasi operatori fitues përveç çmimit fillestar dhe taksave, do të paguajë edhe 10 për qind të xhiros vjetore, përgjatë periudhës së ushtrimit të aktivitetit.

(gk/shqiptarja.com)