Bode tha se borxhi i marrë nga Qeveria Berisha është përdorur vetëm për investime publike, ndërsa shton se nga qeveria e re ky borxh do të përdoret edhe për të mbuluar shpenzimet për administratën.
“Që në ditët e para të qeverisjes nga e majta kthehemi në deficitin primar. Deri në fund të 2013, deficiti primar do të arrijë në 1%. Fryrja e administratës qendrore kërkon fonde shtesë, dhe për këtë arsye qe në këtë vit i themi lamtumirë periudhave të qeverisjes me përdorimin e huamarrjes vetëm për investime publike, pasi do përdoret edhe për nevoja shtesë”, u shpreh Bode.
Bode tha se qeveria e re dhe kryeministri Rama po “nxin” situatën ekonomike të vendit për të mbuluar mungesën e një programi të plotë qeverisës.
“Çështja e nivelit të borxhit është një shifër e hedhur në baltë, siç po bëjnë me buxhetin e 2013, pasi pretendojnë se ka fatura të papaguara apo detyrime ndaj biznesit, që janë gjëra që nuk lidhen me financat, me borxhin. Deklarimi i një niveli të tillë është pikërisht për të fshehur mungesën e një programi qeverisës, dhe mungesën e performancës për të menaxhuar situatën e vendit, dhe për të hapur rrugë për të përdorur një sërë gjërash të tjera”, theksoi ish-ministri i Financave Ridvan Bode.
Sipas ish-ministrit të Financave shtimi i huamarrjas dhe borxhit është kurth i tregut për qeverinë. Bode vë theksin tek rëndësia që qeveria e re duhet t’i kushtojë administrimit të borxhit dhe të investimeve, ndërsa shton se nevojitet një mirëadministrim i të ardhurave nga tatimet dhe taksat.
“Rënia e përvitshme e nivelit të kostos së borxhit publik, tregon për punën e qeverisë për investime. Vihet re ulje e kostos së borxhit publik. Në këtë periudhë për shkak të krizës globale intresi për kredimarrje është zvogëluar. Po kështu edhe kushtet e dhënies së kredive janë shtrënguar. Kjo mund të shoqërohet me rritje të interesit. Borxhi publik shqiptar ka qendrueshmëri në harkun e 12 viteve të fundit. Disa vende në rajon kanë arritur nivelin tonë të borxhit publik. Në harkun e 4 viteve para krizës borxhi publik është rritur me 6.8 pikë përqindje. Kjo është ndikuar edhe nga kriza në vendet e tjera europiane, të cilat kanë rënë në recesion. Huamarrja ka ardhur si nevojë e investimeve publike në vend. Një pjesë e këtyre investimeve kanë qenë nga të ardhurat nga tatimet dhe taksat. Ndërsa me qeverisjen e re borxhi parashikohet të rritet. Priten 26 milionë të ardhura më pak nga tatimet dhe taksat gjatë 4 muajve të parë të qeverisjes”, tha Bode.
Ndërsa sa i takon pyetjes së gazetarëve lidhur me raportet me FMN dhe bashkëpunimin me këtë institucion, Bode tha se “Në atë kohë reformat e realizuara, u cilësuan të suksesshme. Ne kemi vijuar bashkëpunimin me FMN. Por në një vit elektoral kjo nuk u pa arsyeshme, pasi do të duhej prania e qeverisë së re, dhe prandaj u la për pas zgjedhjeve. Mendoj se situata politike, situata e borxhit publik apo situata e taksave siç e konceptojnë ata, nuk është në funksion të një marrëveshje të re me FMN”.
Më tej, ish-ministri Bode është ndalur tek parashikimi i zymtë që FMN i bën ekonomisë shqiptare në një raport të publikuar së fundmi.
“FMN ndjek një vëzhgim konservativ në raport me ekonominë. Por ka përpjekje të qeverisë për të arritur maksimumin edhe në rrethana të vështira. Ekonomia e vetme që nuk ra në recension gjatë viteve të krizës, duhet të jetë e para ekonomi që duhet të synojë të arrijë parametrat me të mira ekonomike mes vendeve të rajonit. Por kaosi në të cilin po operon qeveria e re sa i takon parametrave ekonomike, po e minon këtë mundësi. Por këndvështrimi afatmesëm dhe aftagjatë i fondit, reflekton mungesën e një programi të qartë që shfaq sot qeveria shqiptare, që në fillim të qeverisjes së saj”, u shpreh Bode.
I pyetur lidhur me rritjen e moshës së pensionit, Bode tha se “Rritja e moshës së pensionit ishte dhurata që Edi Rama u bëri të gjithë atyre që i gënjeu gjatë fushatës elektorale”.
Ish-ministri i Ekonomisë Bode tha se është kërkuar një interpelancë lidhur me situatën e ekonomisë shqiptare, ndërsa shton se përpjekjet e Ramës për të përkeqësuar situatën ekonomike të vendit, minojnë interesin e investitorëve të huaj.
“Ne këtë kemi kërkuar, të bëhet kjo interpelancë, pasi janë publikuar këto shifra jo reale. Edi Rama mallkon kështu ekonominë e vendit, duke mos ditur se një nxirrje e situatës ekonomike të vendit frikëson investitorët e huaj. Kështu ai po vret shpresën e ekonomisë sonë për t’u vendosur e para në rendin e vendeve ku duhet të fillojë rritja ekonomike. Me këtë situatë që po krijohet nga Rama, vendi ynë do të mbetet me ritmin më të ulët të rritjes në rajon, përfundoi Bode fjalën e tij.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)