Merkato e futbollistëve shqiptarë në Evropë vazhdon që të jetë në qendër të vëmendjes nga disa klube. Në Itali është përqendruar vëmendja më e madhe, pasi aty luajë pjesa më e madhe e futbollistëve të kombëtares.

E ndërsa për Canën dhe Hysajn idetë duket se janë të kristalizuara, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Erjon Bogdanin, i cili është pa ekip pas përfundimit të kontratës me ekipin e Sienës. 36-vjeçari shqiptar është në kërkim të një ekip të ri për të vazhduar karrierën në Itali duke mos pranuar që të largohet nga ky kampionat.

Duke parë moshën dhe kapacitetin që mund të japë në fushë, Bogdani po tenton të zgjedhë një ekip të mirë në Seria B, pasi Seria A është e vështirë. Kështu në garë aktualisht për të marrë sulmuesin janë disa ekipe duke filluar nga Vareze, e cila kërkon edhe mesfushorin Alban Meha.

Pescara, Palermo e trajnerit Gatuzo, por avantazhin më të madh e ka Reggina, ekip në të cilin shqiptari ka luajtur për tre edicione nga 2000-2003. Bogdani dhe agjenti i tij janë duke ndjekur më interes të gjitha ofertat, por akoma nuk ka vendosur për të ardhmen.

Sulmuesi ka zhvilluar gjithsej 76 ndeshje me ekipin kombëtar duke shënuar plot 19 gola, por në ndeshjet e fundit nuk është pëlqyer nga trajneri De Biasi, pasi nuk po kalon një formë të mirë.

Gjetja e një ekipi ku do të aktivizohej më shumë do ta ndihmonte sulmuesin që të fitonte edhe vendin e humbur pak nga pak në kombëtare pas shumë vitesh.

Ndërsa Basha është përfundimisht lojtar i Tornios që ka ofruar 350 mijë euro për kartonin e tij duke ia marrë Atalantës.



d.b/shqiptarja.com