BEOGRAD- Serbia e quan si një provokim hapjen e Zyrës Administrative në veri të Kosovës. Lidhur me këtë vendim të qeverisë kosovare, Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic ka bërë të ditur se, hapja e Zyrës Administrative në veri të Kosovës është një provokim nga ana e Prishtinës. Bogdanovic është shprehur: “Hapja e Zyrës Administrative në veri është një provokim nga ana e Prishtinës dhe e asaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështet qeverinë kosovare në përpjekjet për integrimin e veriut në shtetin kosovar”. Më tej Bogdanovic është shprehur: “Hapja e asaj zyre vetëm sa do të rrisë edhe më shumë tensionet. Nuk zgjidhen në këtë mënyrë problemet në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë. Ne kemi qeverisjen lokale, e cila është në shërbim të qytetarëve dhe e vetmja administratë, ku serbët jetësojnë të drejtat e tyre”. Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ditë më parë vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.
(s.ç/ shqiptarja.com)