Boja e flokëve, vetëm çështje bukurie?

Boja e flokëve, vetëm çështje bukurie?
Mundësia që bojërat e flokëve të rrisin riskun për të zhvilluar disa lloje kanceri është hulumtuar për një kohë të gjatë. Atëherë, pse vazhdojnë të përdoren? Sepse, deri në ditët e sotme nuk janë gjetur të dhëna të mjaftueshme për të konfirmuar këtë pohim. Megjithatë, dyshimi është aty. Kafe çokollatë apo bjonde e hirtë? Këna, bojë permanente apo bojë në trajtë shampoje? Kur jeni para zgjedhjes së një boje flokësh, vendimi më i rëndësishëm nuk është se cilën bojë të zgjidhni, por t’i lyesh apo jo flokët. Nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje bukurie, por për shëndetin tuaj. Prej rreth 4 dekadash janë vënë në pikëpyetje disa prej substancave që janë në përmbajtje të bojës së flokëve, duke qenë se ekziston mundësia që të rrisin riskun për të zhvilluar disa lloje kanceri.

PAK HISTORI

Cilat janë këto substanca?

Gjatë viteve ’70, disa hulumtime arritën në përfundimin se 4-metoksi-m-fenilendiamin(4-MMPD) e cila është pjesë e disa lloje bojërash, penetronte lëkurën e kafshëve dhe të njerëzve. Menjëherë u ndez alarmi pasi dyshohej se, përveçse toksike, kjo substance mund të ishte edhe kancerogjene. Duke filluar nga vitet ’80, Administrata për Barnat dhe Ushqimet në Sh.B.A. (FDA) kërkoi që këto bojëra flokësh të kishin një etiketë paralajmëruese. Megjithatë, fabrikuesit e bojërave apeluan këtë vendim duke mbrojtur faktin se rreziku ishte shumë i ulët, kështu që FDA pranoi tërheqjen e detyrimit për etiketat deri në momentin që të përfundonin studimet mbi rrezikun e kancerit të lidhur me këtë substancë. Megjithatë, 4-MMPD nuk është e vetmja substancë që është vënë nën shënjestër. Të tjera substanca pjesë e bojërave të flokëve janë klasifikuar si kancerogjenë të mundshëm. Këtu përfshihet 4-klor-m-fenildiamina, 2, 4-toluendiamina, 2-nitro-p- fenilendiamina dhe 4-amino-2- nitrofenoli. Dhe katrani mineral, një nga përbërësit kryesorë të shumë bojërave, konsiderohet i dyshimtë për rritjen e riskut për kancer, pasi studimet laboratorike te kafshët kanë rezultuar pozitive.

Çfarë thonë studimet?


Deri më sot nuk është mundur të gjenden fakte bindëse që të provojnë një lidhje ndërmjet bojës së flokëve dhe kancerit. Studimet të cilat kanë arritur deri diku në një përfundim, kanë forcë statistikore të ulët ose janë të kufizuar, prandaj dhe rezultatet e tyre nuk mund të përgjithësohen. Një studim i Institutit Katalan të Onkologjisë, i botuar në revistën amerikane të epidemiologjisë (American Journal of Epidemiology), përcaktoi se ka një rritje të probabilitetit për të zhvilluar limfomë te femrat që lyejnë flokët. Sipas këtij studimi, 10% e limfomave të pranishme te gratë mund të kenë për shkak bojën e flokëve, ndërkohë që risku për të zhvilluar limfomë është prej 26% te ato që përdorin bojën një herë në muaj.

Shtatzania
Evitojeni lyerjen në trimestrin e parë


Shumë vajza dhe gra bëjnë të njëjtën pyetje: a është e sigurt të lyesh flokët gjatë shtatzanisë? Disa bëhen merak, pasi kishin bërë ndonjë lloj trajtimi kimik të flokëve përpara se të merrnin vesh se ishin shtatzënë. Ndërsa ka nga ato që vihen në pozitë të vështirë pasi nuk duan që t’i dalin rrënjët, por nuk duan as të dëmtojnë beben e tyre, kështu që nuk dinë çfarë të bëjnë. Gjithsesi, duket se nuk ka arsye reale për këto shqetësime. Nuk ka prova se bojërat moderne të flokëve ndikojnë te fetusi, pavarësisht se ka mjekë që rekomandojnë shmangien e lyerjes së flokëve gjatë tre muajve të parë. Kjo nuk do të thotë që kush ka lyer flokët përpara se të marrë vesh se është shtatzënë duhet të bëhet merak. Nuk ka asnjë studim që të provojë se bojërat e flokëve që përdoren aktualisht të shkaktojnë defekte në lindje apo aborte. Megjithatë, në të kaluarën disa bojëra përmbanin formalinë, e cila është një substancë që dëmton fetusin dhe prandaj ka mbetur dhe përshtypja se lyerja e flokëve gjatë shtatzënisë është diçka e keqe. Formulat kimike të bojërave kanë ndryshuar shumë, çka ka qenë me përfitime jo vetëm nga grate shtatzëna, por dhe për vetë flokët, të cilët tashmë dëmtohen shumë më pak nga këto procese kimike. Prandaj, mund të vazhdoni rutinën tuaj të bukurisë dhe gjatë shtatzënisë. Por ama, sigurohuni që nuhatja juaj do të tolerojë këto kimikate, pasi hormonet shkaktojnë në rritje të ndjeshmërisë ndaj erërave dhe aromave. Megjithatë, nëse vazhdoni të jeni jo e qetë për sa i përket kësaj teme apo nëse mjeku juaj ju ka rekomanduar që mos të lyeni flokët gjatë shtatzënisë, bisedoni me parukjerin tuaj mbi alternativa të tjera. Ekzistojnë bojëra me origjinë bimore dhe shampo ngjyruese, efekti i të cilëve zgjat 26 deri 28 larje. Por kujdes, duhet të shmangni permanentin apo drejtimin e flokëve me substance kimike të kryera në parukeri, pasi qëndron mundësia se substancat e përdorura gjatë këtyre proceseve ndikojnë te fetusi. Gjithsesi, duhet të konsultoheni me një gjinekolog në rast se keni pyetje të tjera.(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza