Demokracia përballë algoritmit

Liria, siguria dhe pushteti në epokën e teknologjisë së emergjencës Në dekadat e fundit, Perëndimi ka ndërtuar një vetë-imazh të qartë dhe të përsëritur: kampi i lirisë, i të drejtave të njeriut, i demokracisë dhe i teknologjisë në shërbim të qytetarit. Kjo narrativë është bërë pjesë e identitetit politik të Bashkimit Evropian dhe të aleatëve të tij transatlantikë. Por sot, gjithnjë e më shpesh, ky diskurs përplaset me një realitet më të errët dhe më të ndërlikuar: teknologjitë që supozohet se mbrojnë demokracinë po e ndryshojnë vetë natyrën e saj. Nuk bëhet fjalë për një “rrëshqitje” klasike drejt autoritarizmit, as për një grusht shteti të dukshëm. Ajo që po ndodh është më e sofistikuar: një zhvendosje e pushtetit nga hapësira politike e dukshme (parlamente, zgjedhje, debate publike) drejt hapësirave teknike, kontraktuale dhe algoritmike, të cilat janë shumë më pak të aksesueshme për qytetarët dhe shumë më pak të kontrollueshme në mënyrë demokratike.

Ky transformim ndodh pothuajse gjithmonë në emër të një fjale magjike: siguria. Siguria nga terrorizmi, nga migracioni “i pakontrolluar”, nga krizat shëndetësore, nga luftërat hibride, nga dezinformimi. Në këtë klimë emergjence të përhershme, demokracia paraqitet gjithnjë e më shpesh si e ngadaltë, e paefikase dhe e papërshtatshme për “sfidat e reja”.

Nga politika te modeli: lindja e qeverisjes algoritmike

Në këtë kontekst shfaqen kompani dhe infrastruktura teknologjike që nuk merren më thjesht me mbledhjen apo përpunimin e të dhënave, por me diçka shumë më të thellë dhe më politike: organizimin e vetë procesit të vendimmarrjes. Këtu ndodhet dallimi themelor mes teknologjive digjitale “klasike” dhe asaj që mund ta quajmë teknologji e komandës. Kompania amerikane “Palantir” është shembulli më emblematik i kësaj kategorie, jo sepse është e vetmja, por sepse e artikulon më qartë këtë transformim.

Palantir nuk funksionon si një platformë neutrale që u ofron institucioneve mjete analize, duke ia lënë vendimin aktorëve politikë. Përkundrazi, ajo ndërton arkitektura integruese, ku të dhëna të natyrave shumë të ndryshme – policore, ushtarake, financiare, shëndetësore, migratore, administrative – shkrihen në një hapësirë të vetme operative. Brenda kësaj hapësire, realiteti social nuk përshkruhet më në terma politikë apo juridikë, por redukohet në variabla, rreziqe dhe probabilitete.

Në këtë proces, individët dhe komunitetet nuk shfaqen më si subjekte politike me të drejta dhe përgjegjësi, por si njësi analitike, të klasifikuara sipas niveleve të rrezikut, parashikueshmërisë apo

devijimit nga norma. Nga kjo pikëpamje, pervec njohurive, korporata si Palantir prodhojnë harta veprimi. Modelet nuk pyesin “çfarë duhet bërë” në kuptimin normativ, por “çfarë funksionon” në kuptimin operacional. Këtu qëndron burimi i vërtetë i fuqisë së saj, pasi Palantir nuk është e rrezikshme vetëm sepse survejon, por sepse shndërron informacionin në komandë. Vendimi nuk del më nga një proces politik i dukshëm – ku përplasen interesa, interpretime dhe vlera – por nga një proces teknik që paraqitet si racional, i paanshëm dhe i domosdoshëm. Politika nuk zhduket; ajo përkthehet në algoritëm.

Ky përkthim ka pasoja të thella. Vendimmarrja politike, e cila tradicionalisht karakterizohet nga konflikt, debat dhe përgjegjësi publike, po zëvendësohet gradualisht tek logjika e optimizimit kapitalist: pra mbi elementët që minimizojnë rrezikun, që përshpejtojnë reagimin, e që reduktojnë koston. Pyetjet klasike të politikës – kush fiton, kush humb, mbi çfarë baze morale ose platforme merren vendimet – zëvendësohen nga pyetje teknike: sa efektive është kjo zgjidhje, sa i saktë është parashikimi, sa e menaxhueshme është devijanca. Kjo nuk e eliminon politikën, por e bën atë të padukshme. Vendimet që kanë pasoja thellësisht politike – për lirinë, për barazinë, për jetën dhe vdekjen – nuk paraqiten më si zgjedhje që mund të debatohen apo kundërshtohen, por si rezultate “neutrale” të modeleve dhe sistemeve. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh për demokracinë: kur vendimet politike maskohen si domosdoshmëri teknike, ato bëhen pothuajse të pakontestueshme.

Në këtë moment, qytetari nuk përballet më me një pushtet që mund ta sfidojë politikisht, por me një sistem që i përgjigjet: “kështu funksionon modeli”. Përgjegjësia shpërndahet, konflikti zbehet dhe demokracia reduktohet në një ritual që ndodh diku tjetër, ndërsa vendimet reale merren brenda arkitekturave që nuk janë ndërtuar për debat, por për ekzekutim.

Ideologjia pas teknologjisë: Thiel, Yarvin dhe vizioni post-demokratik

Shpesh flitet për teknologjinë sikur ajo të ishte neutrale. Por çdo teknologji mishëron një vizion për shoqërinë dhe për mënyrën se si ushtrohet pushteti. Në rastin e Palantir-it dhe të ekosistemit përreth tij, ky vizion është i lidhur ngushtë me figura si Peter Thiel, Alex Karp dhe Curtis Yarvin, të cilët, secili në mënyrën e vet, kanë kontribuar në artikulimin e një skepticizmi të hapur ndaj demokracisë liberale.

Peter Thiel, një nga figurat më të fuqishme të kapitalizmit teknologjik amerikan, është ndër të paktët oligarkë të Silicon Valley-t që e ka artikuluar hapur dhe pa komplekse këtë skepticizëm.

Ai ka argumentuar publikisht se vota masive dhe barazia politike pengojnë inovacionin dhe progresin, dhe se demokracia liberale nuk është domosdoshmërisht e pajtueshme me lirinë ekonomike dhe teknologjike. Kjo nuk është thjesht një provokim teorik, por një pozicion politik i qëndrueshëm, që ka orientuar investimet, aleancat dhe ndërhyrjet e tij në jetën publike amerikane.Curtis Yarvin, një mendimtar edhe më radikal, shkon më tej duke e konsideruar demokracinë një gabim historik. Ai propozon forma qeverisjeje të frymëzuara nga korporatat, ku pushteti është i  centralizuar, i qëndrueshëm dhe i orientuar nga performanca, jo nga legjitimiteti popullor. Idetë e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt qarqe të reja politike në SHBA, përfshirë figura si JD Vance, dhe kanë gjetur terren në administratën e re Trump. Zëvendëspresidenti amerikan, i konsideruar gjerësisht si pasardhësi më i mundshëm i presidentit aktual në udhëheqjen e Partisë Republikane, ka përfituar miliona dollarë mbështetje financiare nga Peter Thiel për fushatën e tij drejt Kongresit. Njëkohësisht, si vetë ai ashtu edhe rrethi i tij më i afërt politik janë thellësisht të ndikuar nga ideologjia neo-reaksionare e Yarvin, e cila vë në diskutim themelet e demokracisë liberale. Por ky vizion post-demokratik nuk është i izoluar. Ai është pjesë e një ekosistemi më të gjerë oligarkik dhe reaksionar që ka marrë formë në dekadat e fundit brenda kapitalizmit teknologjik amerikan. Nuk është rastësi që Peter Thiel ka qenë ortak themelues me Elon Musk në PayPal, një kompani që shpesh përmendet si një nga inkubatorët kryesorë të elitës aktuale të Silicon Valleyt. Kjo lidhje nuk është thjesht historike apo biografike: ajo sinjalizon një afinitet të hershëm ideologjik dhe kulturor, ku teknologjia shihet si mjet për të anashkaluar rregullimin publik, institucionet demokratike dhe kufizimet politike.

Edhe Elon Musk, pavarësisht profilit të tij më kaotik dhe kontradiktor, është bërë një aktor qendror i kësaj kthese iliberale. Marrja nën kontroll e platformës X (ish-Twitter), ndërhyrjet e drejtpërdrejta në debatin politik, mbështetja selektive për narrativa autoritare dhe sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve demokratike dhe mediave tradicionale kanë kontribuar në normalizimin e një diskursi antidemokratik, të justifikuar në emër të “lirisë absolute të shprehjes” dhe efikasitetit teknologjik. Në praktikë, kjo liri shpesh përkthehet në përqendrim ekstrem pushteti komunikues në duart e një individi të vetëm.

Në këtë kuptim, Palantir, Thiel, Musk dhe qarqet intelektuale që i rrethojnë nuk duhet parë si fenomene të shkëputura, por si pjesë e një konfigurimi të ri pushteti, ku kapitali teknologjik, ideologjia post-demokratike dhe cështjet e sigurisë ndërthuren. Këto ide nuk janë më thjesht teori apo provokime intelektuale. Ato po përkthehen në politika konkrete, reforma institucionale dhe përdorim masiv të teknologjive të sigurisë, të cilat e bëjnë pushtetin gjithnjë e më pak të varur nga konsensusi demokratik dhe gjithnjë e më të mbështetur te efikasiteti, parashikimi dhe kontrolli teknik.

Bashkimi Evropian: normativ, por i pambrojtur

Në këtë panoramë globale, Bashkimi Evropian shfaqet si një aktor thellësisht paradoksal. Nga njëra anë, BE është pa dyshim lider botëror në fushën e mbrojtjes së të drejtave digjitale, në ndërtimin e kornizave rregullatore për inteligjencën artificiale dhe në artikulimin e një diskursi etik ambicioz mbi teknologjinë. GDPR, Akti për Inteligjencën Artificiale dhe dokumentet strategjike mbi përdorimin “të besueshëm” të teknologjisë përfaqësojnë përpjekjen më serioze në rang botëror për ta nënshtruar zhvillimin teknologjik ndaj parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana tjetër, ky aktivizëm normativ fsheh një dobësi strukturore shumë më të thellë: mungesën e sovranitetit operacional mbi infrastrukturat kritike. Bashkimi Evropian rregullon të dhëna që, në pjesën dërrmuese, ruhen dhe përpunohen në serverë jashtë juridiksionit të tij; mbështetet në cloud-e, platforma dhe arkitektura teknologjike jo-evropiane; dhe varet nga kompani private që operojnë sipas logjikave gjeopolitike dhe tregtare që nuk përputhen domosdoshmërisht me interesin publik evropian. Kjo varësi ndërthuret gjithnjë e më shumë me dinamikat e kapitalit financiar global.

Aktorë si BlackRock, Vanguard dhe State Street zotërojnë pjesë të konsiderueshme të industrisë së teknologjisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë, duke përfshirë kompani armësh dhe teknologjie ushtarake që përfitojnë drejtpërdrejt nga militarizimi global. Investimet masive në industrinë e armatimeve, të përshpejtuara pas luftës në Ukrainë dhe të konsoliduara gjatë konfliktit në Gaza, kanë krijuar një përqëndrim interesash ku siguria, teknologjia dhe fitimi financiar ushqejnë njëra-tjetrën.

Në këtë kuadër, pafuqia politike e BE-së për të ndikuar realisht në dinamikat globale bëhet gjithnjë e më e dukshme. Standardi i dyfishtë në reagimin ndaj Ukrainës dhe Izraelit nuk është thjesht një çështje morale apo diplomatike; ai reflekton mungesën e autonomisë strategjike. Evropa mbështet rendin ndërkombëtar kur ka kapacitet ta mbrojë, por hesht ose përshtatet kur përballet me aleatë strategjikë dhe interesa ekonomike që nuk mund t’i sfidojë. Krahas kësaj, BE po mbetet strukturalisht prapa në garën globale të inteligjencës artificiale.

Ndërsa SHBA dhe Kina investojnë në shkallë masive në kapacitete përpunimi, modele themelore dhe infrastrukturë cloud, Evropa mbetet e fragmentuar, e mbingarkuar nga rregullimi dhe e varur nga aktorë të jashtëm. Rregullimi pa kapacitete prodhuese dhe pa investime strategjike rrezikon të shndërrohet nga mjet mbrojtjeje në frenim të ambicjeve mbi një autonomi teknologjike evropiane. Këtij dobësimi i shtohet një element shpesh i nënvlerësuar, por vendimtar: fenomeni i “revolving doors” mes institucioneve evropiane dhe korporatave private në Bruksel. Qarkullimi i vazhdueshëm i zyrtarëve të lartë, këshilltarëve politikë dhe ekspertëve teknikë midis Komisionit Evropian, agjencive të BE-së dhe kompanive të mëdha të teknologjisë, financës dhe mbrojtjes ka krijuar një zonë gri midis rregullatorit dhe të rregulluarit. Edhe kur formalitetet ligjore respektohen, ky trend prodhon një afërsi kulturore dhe interesash që e bën gjithnjë e më të vështirë një ndarje të qartë midis interesit publik dhe atij korporativ. Në praktikë, kjo do të thotë se shumë politika evropiane formësohen nga aktorë që e njohin sistemin nga brenda dhe nga jashtë njëkohësisht, duke orientuar rregullimin në mënyrë të tillë që të jetë i përputhshëm me modelet ekzistuese të biznesit dhe jo domosdoshmërisht me nevojën për sovranitet teknologjik publik. Në një mjedis të tillë, edhe iniciativat më kurajoze normative rrezikojnë të zbuten, të vonohen ose të neutralizohen në fazën e zbatimit.

Këtij presioni i shtohet rritja e lobby-t të ekstremit të djathtë transatlantik dhe evropian, i cili e ka identifikuar Bashkimin Evropian si objektiv strategjik. Think tank-e dhe fondacione si Heritage Foundation, Ordo Iuris, Mathias Corvinus Collegium, ECR ecosystem funksionojnë si nyje ideologjike dhe financiare që synojnë dobësimin e institucioneve shumëpalëshe, relativizimin e të drejtave dhe delegjitimimin e vetë projektit evropian, duke ndërtuar rrjete ndikimi e duke hapur zyra e rritur pranin intensivisht në Bruksel. Si rezultat, Evropa rrezikon të mbetet një fuqi normative pa sovranitet operacional: një aktor që shkruan rregulla, kode etike dhe deklarata parimore, por që nuk kontrollon mjetet përmes të cilave këto rregulla zbatohen, anashkalohen ose instrumentalizohen. Në një botë ku pushteti real qëndron gjithnjë e më shumë te infrastruktura – te cloud-i, te kapaciteti i përpunimit, te algoritmet dhe te sistemet e integruara të vendimmarrjes – ky hendek midis normës dhe kontrollit nuk është thjesht një problem teknik. Ai përbën një dobësi qenësore, që minon aftësinë e Bashkimit Evropian për të mbrojtur modelin e tij demokratik përballë formave të reja të pushtetit teknologjik, financiar dhe ideologjik.

Izraeli dhe Gaza: laboratori i dhunës algoritmike

Asnjë analizë serioze e transformimit aktual të pushtetit dhe sigurisë nuk mund të anashkalojë rolin e Izraelit dhe atë që po ndodh në Gaza. Askush nuk mund të mohojë se Izraeli përfaqëson një model ekstrem, por funksional, të shtetit të emergjencës së përhershme, ku teknologjia, siguria dhe politika janë të ndërthurura ngushtë dhe ku kufijtë mes tyre janë shpesh të paqartë. Për dekada, logjika e kërcënimit ekzistencial ka justifikuar një integrim të thellë midis aparatit ushtarak, industrisë së teknologjisë së sigurisë dhe vendimmarrjes politike. Gaza, në këtë kuptim, shfaqet jo vetëm si një territor i rrethuar dhe i shkatërruar, por edhe si një hapësirë ku po konsolidohet një formë e re e ushtrimit të dhunës shtetërore, e ndërmjetësuar nga algoritmet. Ajo që shohim aty shkon përtej një konflikti klasik ushtarak: kemi të bëjmë me normalizimin e përdorimit të sistemeve algoritmike në vendimmarrjen shfarrosëse. Targetizimi statistik, vlerësimi probabilistik i rrezikut dhe automatizimi i zinxhirit operacional krijojnë një realitet ku dallimi midis civilit dhe ushtarakut bëhet gjithnjë e më shumë një çështje modeli, pragu probabiliteti dhe kalkulimi, sesa një gjykim njerëzor i bazuar në parimet themelore të së drejtës humanitare. Ky transformim nuk është vetëm teknik, por edhe ekonomik dhe strukturor. Këtë dimension e nxjerr qartazi në pah raporti i Francesca Albanese, Raportueses Speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara, mbi atë që ajo e quan “ekonomia e gjenocidit”. Sipas këtij raporti, dhuna në Gaza nuk mund të kuptohet vetëm si rezultat i logjikave ushtarake apo politike, por edhe si pjesë e një rrjeti ekonomik, ku kompani të teknologjisë, sigurisë, mbikëqyrjes dhe logjistikës përfitojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi nga konflikti, okupimi dhe shkatërrimi.

Raporti i Albanese thekson se Gaza dhe territoret palestineze funksionojnë, prej vitesh, si hapësira testimi për teknologji sigurie, sisteme mbikëqyrjeje, armë “inteligjente” dhe zgjidhje algoritmike, të cilat më pas eksportohen globalisht si produkte “të provuara në terren”. Në këtë mënyrë, dhuna nuk është vetëm një mjet politik, por edhe një mekanizëm prodhimi vlere, ku përvoja e luftës dhe kontrollit shndërrohet në avantazh tregtar dhe strategjik. Ajo që e bën Gazën një pikë pa kthim historike nuk është vetëm shkalla e shkatërrimit dhe tragjedia humanitare, por precedenti sistemik që po krijohet. Pasi vendimmarrja algoritmike vdekje-prurëse dhe shfarosëse, targetizimi probabilistik dhe justifikimi teknik i dhunës janë normalizuar në një kontekst ekstrem sigurie, këto praktika bëhen të transferueshme. Logjika që sot aplikohet mbi një popullsi të konsideruar “jashtë normales” mund të adoptohet nesër në menaxhimin e kufijve, kontrollin e migracionit, rendin publik, mbikëqyrjen e protestave dhe qeverisjen e popullsive të stigmatizuara.

Jo rastësisht, shumë juristë, analistë të sigurisë dhe studiues të teknologjisë e shohin atë që po ndodh në Gaza jo vetëm si një çështje të së drejtës ndërkombëtare humanitare – megjithëse kjo mbetet qendrore – por edhe si një nyje funksionale në ndërtimin e një rendi të ri sigurie, ku dhuna, teknologjia dhe përfitimi ekonomik bashkëveprojnë në mënyra që do të kenë pasoja afatgjata, shumë përtej këtij konflikti specifik.

E majta globale: një kritikë pa pushtet

Përballë këtij transformimi të thellë të pushtetit, e majta globale shfaqet e çorientuar dhe strukturalisht e papërgatitur. Ajo ka ruajtur, dhe shpesh artikuluar me forcë, një kritikë morale ndaj autoritarizmit, dhunës shtetërore dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Megjithatë, kjo kritikë ka mbetur kryesisht në nivelin e denoncimit etik, pa u shoqëruar me ndërtimin e një projekti politik alternativ për kontrollin demokratik të teknologjisë dhe të infrastrukturave që sot prodhojnë pushtet real. Një pjesë e konsiderueshme e së majtës ka vazhduar të luftojë në terrenin e gjuhës, simbolikës dhenarrativës kulturore, duke nënvlerësuar faktin se qendra e gravitetit të pushtetit është zhvendosur. Sot nuk mjafton të fitosh debatin publik apo të delegjitimosh kundërshtarin në planmoral, kur vendimet reale merren përmes kontratave teknike, arkitekturave digjitale dhealgoritmeve që operojnë larg syrit publik. Në një botë të tillë, kush kontrollon infrastrukturën nuk ka nevojë të fitojë konsensusin kulturor; i mjafton të administrojë sistemin.

Ky hendek strategjik bëhet edhe më i dukshëm nëse e krahasojmë situatën aktuale me historinë e vetë së majtës. Në shekullin XX, lëvizjet progresiste dhe punëtore e kuptuan – shpesh përmeskonflikteve të ashpra – se pushteti politik kalonte përmes kontrollit të hapësirave materiale të prodhimit. Zaptimet e fabrikave, nacionalizimet e industrive strategjike dhe format e menaxhimit kolektiv nuk ishin vetëm akte simbolike, por përpjekje konkrete për të ndërprerë marrëdhënien midis kapitalit dhe komandës mbi punën.

Sot, megjithatë, fabrikat e pushtetit nuk janë më kryesisht fizike. Ato janë zhvendosur te data centre-t, te cloud-et, te infrastruktura e përpunimit dhe te arkitekturat algoritmike që organizojnëvendimmarrjen publike. Pikërisht aty prodhohet vlera, strukturohet realiteti dhe filtrohet veprimi shtetëror. Këtë transformim e ka përshkruar me qartësi edhe Yanis Varoufakis, përmes tezës së tij mbi “teknofeudalizmin”: një rend i ri ekonomik dhe politik ku kapitalizmi klasik i tregut zëvendësohet nga një sistem rentash digjitale, ku pushteti nuk buron më nga pronësia e mjeteve tradicionale të prodhimit, por nga kontrolli i platformave, rrjeteve, cloud-eve dhe infrastrukturave algoritmike.

Në këtë kuptim, data centre-t dhe platformat digjitale nuk janë thjesht mjete teknike, por feude moderne, ndërsa qytetarët, përdoruesit dhe madje edhe shtetet shndërrohen në subjekte të varura nga arkitektura që nuk zotërojnë. Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, ideja e rimarrjes publike, demokratizimit apo kontrollit kolektiv të këtyre infrastrukturave digjitale mbetet ende margjinale në diskursin e majtë, shpesh e konsideruar ose utopike, ose tepër teknike për t’u politizuar. Kjo mungesë e know-how teknik dhe institucional e ka bërë të majtën shpesh reaktive, të fokusuar në reagimin ndaj pasojave – survejimi, dhuna, diskriminimi algoritmik – por jo në demontimin e shkaqeve strukturore që i prodhojnë ato. Ashtu si një e majtë që fliste për drejtësi sociale pa vënë në diskutim pronësinë e fabrikave ishte e dënuar të mbetej e dobët në të kaluarën, edhe sot një e majtë që flet për etikë digjitale pa vënë në diskutim kontrollin mbi data centre-t, cloud-et dhe sistemet vendimmarrëse rrezikon të mbetet spektatore e një rendi që po konsolidohet pa të.

Pa një vizion të qartë për sovranitet teknologjik publik, për pronësi kolektive mbi të dhënat, për ndarje të pushteteve brenda sistemeve algoritmike dhe për kufizimin politik të logjikës së optimizimit, kritika e majtë rrezikon të mbetet një formë dëshmie morale: e drejtë në substancë, por e pafuqishme në praktikë. Në këtë kuptim, rreziku më i madh për të majtën nuk është humbja e betejës ideologjike, por margjinalizimi i saj si aktor politik real. Nëse ajo nuk arrin të artikulojë një projekt bindës për qeverisjen demokratike të teknologjisë – jo si refuzim i saj,por si rimarrje politike e kontrollit mbi infrastrukturat ku prodhohet pushteti sot – atëherë rrezikon të flasë për demokracinë në një botë që tashmë po qeveriset ndryshe, përmes mekanizmave që ajo as nuk i zotëron dhe as nuk i sfidon.

Ballkani dhe Shqipëria: periferia si hapësirë rreziku

Nga global në local lind pashmangshmërisht pyetja se si e sa Shqipëria dhe rajoni ynë janë të përgatitur për këto sfida. Si periferi institucionale e Evropës, rajoni ynë është veçanërisht i ekspozuar ndaj importit të teknologjive të sigurisë, menaxhimit dhe vendimmarrjes algoritmike pa debat publik substancial, pa transparencë kontraktuale dhe pa kontroll demokratik real.

Rreziku kryesor nuk është spiunazhi klasik apo ndërhyrja e drejtpërdrejtë e aktorëve të huaj, por delegimi gradual i vendimmarrjes dhe normalizimi i praktikave që forcojnë aparatin ekzekutiv të shtetit, ndërsa dobësojnë mekanizmat e llogaridhënies, kontrollit dhe pluralizmit politik.Në rastin shqiptar, kjo dinamikë merr një formë specifike dhe veçanërisht domethënëse. Lidershipi aktual ka ndërtuar një profil të vetëquajtur “global”, të bazuar në fleksibilitet ekstrem diplomatik dhe akrobaci politike shumëplanëshe. Kryeministri Rama ka kultivuar marrëdhënie personale dhe politike me aktorë të fuqishëm, por thellësisht heterogjenë: nga Jared Kushner dhe rrethet trumpiste amerikane, te afrimiteti me monarki autoritare si ajo e Mohammed bin Salman, nga bashkëpunimi i ngushtë me Presidentin turk Erdogan tek ai me kryeministren italiane Giorgia Meloni – veçanërisht në dosje të ndjeshme si migracioni dhe siguria – deri te ruajtja e një pozicionimi formal pro-evropian dhe retorikisht të përputhshëm me BE-në.

Në afatshkurtër, ky policentrizëm i jep Shqipërisë dukshmëri ndërkombëtare, akses politik dhe njëfarë manovrueshmërie taktike. Në afatgjatë, megjithatë, ajo prodhon një brishtësi strukturore, sepse e ekspozon vendin ndaj ndikimeve të ndryshme dhe shpesh kontradiktore të modeleve të pushtetit. Shqipëria nuk jep përshtypjen e së qënit subjekt që zgjedh strategjikisht, por hapësirë ku përplasen dhe testohen interesa të jashtme, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe teknologjisë. Në këtë kuadër duhet lexuar edhe entuziazmi institucional për inteligjencën artificiale, përfshirë krijimin e Diellës, ministres së posaçme për AI dhe diskursin e vazhdueshëm mbi “modernizimin digjital” të shtetit. Pa një kornizë të fortë demokratike, pa debat parlamentar real dhe pa kapacitete publike për auditim teknik dhe kontroll politik, ekziston rreziku që teknologjia – dhe veçanërisht AI – të importohet si zgjidhje neutrale dhe apolitike, ndërkohë që në praktikë ajo shërben për konsolidimin e pushtetit ekzekutiv dhe për reduktimin e hapësirës së konfliktit dhe kontrollit demokratik.

Këtu ndërthuret qartë ndikimi i asaj që mund të quhet tekno-e djathta globale: një bashkim interesash midis kapitalit financiar, industrisë teknologjike të sigurisë dhe autoritarizmit funksional, i cili nuk ka nevojë për shtypje të hapur apo manipulim elektoral. Mjafton të ofrojëstabilitet, efikasitet dhe zgjidhje “smart” për probleme komplekse. Në vende me institucione më të brishta si Shqipëria, ky model mund të adoptohet pa rezistencë serioze, sepse paraqitet si modernizim dhe jo si centralizim pushteti.

Ky mekanizëm bëhet edhe më problematik kur shihet në dritën e raportit në rritje të Shqipërisë dhe të disa vendeve të Ballkanit me industrinë izraelite të armëve dhe teknologjive të sigurisë, përfshirë marrëveshje dhe bashkëpunime të nënshkruara pikërisht në kulmin e aksionit gjenocidal izraelian në Gaza. Industria izraelite e sigurisë nuk ofron vetëm armë konvencionale, por paketa të integruara teknologjike: sisteme survejimi, analiza të avancuara të të dhënave, menaxhim kufijsh, “smart policing”, vlerësim algoritmik rreziku dhe zgjidhje të bazuara në AI, të prezantuara si teknologji neutrale dhe të testuara “në terren”.

Përfundim: sovraniteti në epokën e algoritmit

Sfida themelore e kohës sonë nuk qëndron në vlerësimin moral të teknologjisë si “e mirë” apo “e keqe”, por në raportin e pushtetit që ajo mishëron: kush e kontrollon, me çfarë kufijsh dhe në shërbim të cilit vizion shoqëror. Nëse demokracia synon të mbijetojë si diçka më shumë se një ritual elektoral periodik, ajo nuk mund të mbështetet vetëm te parimet dhe procedurat formale; ajo duhet të rimendohet si projekt konkret pushteti, i aftë të ushtrojë kontroll real mbi infrastrukturat që sot prodhojnë vendimmarrje.

Në të kundërt, rrezikojmë të jetojmë në shoqëri ku flasim gjithnjë e më shumë për liri dhe të drejta,ndërsa vendimet që formësojnë jetën kolektive merren diku tjetër – në serverë, modele algoritmike dhe kontrata teknike që nuk kalojnë kurrë përmes sovranitetit popullor dhe debatit demokratik.