Duke iu afruar përherë e më shumë datës së zgjedhjeve, asaj dite ku ne shqiptarët thirremi të japim mendimin tonë për rrugën e mëtejshme të Shqipërisë, duhet të shkojmë duke patur së pari në zemër një bagazh të rëndësishëm kulturor dhe demokratik.
Jemi të gjithë në një mendje besoj se liria është një nga vlerat themelore të demokracisë. Ajo është mundësia për të shprehur veten, për të zgjedhur, për të kundërshtuar, për të besuar ose për të mos besuar, për të marrë pjesë në jetën publike sipas ndërgjegjes së secilit prej nesh. Në një demokraci të vërtetë, liria nuk është një luks: është një e drejtë e garantuar, e fituar shpesh me shumë, shumë sakrifica.
Por pikërisht sepse është një e mirë kaq e çmuar, liria në demokraci nuk mund të jetë absolute apo e pakufizuar. Ekziston një kufi i hollë – por thelbësor – midis lirisë që garantohet nga sistemi demokratik dhe pretendimit për të ushtruar një liri që shkel vetë rregullat e demokracisë.
Liria në demokraci është ajo që ushtrohet në përputhje me ligjin, me institucionet dhe me të drejtat e të tjerëve. Është një liri që mbështetet në një ekuilibër delikat: unë jam i lirë, por je edhe ti. Prandaj ekzistojnë rregulla të përbashkëta, si Kushtetuta, që mbrojnë jetën e përbashkët, harmonizojnë bashkëjetesën tonë.
“Liria” për të mos respektuar rregullat e demokracisë, nga ana tjetër, nuk është liri e vërtetë: është abuzim, një hap drejt kaosit. Është si të duash të përfitosh nga frutat e demokracisë – si e drejta e fjalës, e votës, e protestës – pa pranuar rrënjët e saj. Është një paradoks i rrezikshëm, sepse e minon vetë themelin e bashkëjetesës civile.
Mjafton të mendojmë për ata që, në emër të “lirisë”, përçmojnë ligjin, refuzojnë debatin demokratik ose nxisin dhunën: ajo nuk është liri, është mohim i demokracisë.
Duhet ta kemi përherë të qartë në mendje, ta kemi konkrete si buka që hamë se liria demokratike është gjithmonë një liri me përgjegjësi. Që nuk do të thotë të bësh gjithçka që dëshiron, por të kesh mundësinë të zgjedhësh dhe të veprosh brenda një kuadri që mbron të gjithë, jo vetëm veten tënde. Prandaj, respektimi i rregullave të demokracisë nuk është kufizim i lirisë, por kushti i saj i domosdoshëm.
Njerëzimi, Perëndimi, ka bërë një rrugë të gjatë për të ardhur deri këtu. Kuptimi i lirisë në demokraci ka qenë në qendër të mendimit politik që nga koha e Iluminizmit. Një nga filozofët që ka reflektuar më thellë mbi këtë temë është Jean-Jacques Rousseau, i cili në “Kontrata Sociale” shkruante se “njeriu lind i lirë, por gjithkund është me pranga”. Por ideja e tij nuk është një kritikë ndaj ligjit, por ndaj padrejtësisë: sipas Rousseau-së, liria e vërtetë lind kur individi pranon vullnetarisht rregullat e bashkësisë, duke marrë pjesë në krijimin e vullnetit të përgjithshëm. Të bindesh ndaj ligjit që ke ndihmuar dhe kontribuuar të krijosh, nuk është humbje e lirisë, por përmbushje e saj.
Këtë vizion e përforcon në mënyrë moderne Norberto Bobbio, një nga filozofët më të rëndësishëm italianë të së drejtës. Bobbio thekson se demokracia është një grup rregullash: rregulla për “si” të vendoset, më shumë sesa “çfarë” të vendoset. Procedurat demokratike – votimi, ndarja e pushteteve, liria e shtypit – nuk janë opsion, por janë vetë themeli i sistemit. Kush thërret “liri” për të shkelur këto rregulla, në realitet, vepron kundër demokracisë.
Alexis de Tocqueville, në veprën e tij të famshme “Demokracia në Amerikë”, paralajmëron për një rrezik tjetër: atë të një shumice që shtyp pakicat, duke imponuar një liri të rreme. Sipas tij, demokracia e vërtetë jeton në ekuilibrin midis të drejtave individuale dhe të mirës së përbashkët. Edhe historia e kohëve të fundit na mëson se sa i brishtë është ky ekuilibër. Regjimet totalitare të shekullit XX – nga nazizmi te fashizmi – lindën duke shfrytëzuar liritë demokratike për t’i shkatërruar ato: përdorën të drejtën e fjalës për të përhapur urrejtje, të drejtën e organizimit për të krijuar ushtri, të drejtën e votës për të instaluar diktatura. Prej këtu vjen një mësim, që ne shqiptarët e njohim nga eksperienca: një demokraci që toleron ata që duan ta shkatërrojnë, pa u mbrojtur, e dënon vetveten.
Liria në demokraci është si një vallëzim: secili është i lirë të kërcejë, por vetëm nëse të gjithë respektojnë ritmin dhe hapësirën e njëri-tjetrit. Rregullat nuk e kufizojnë lirinë, ato e bëjnë të mundur. Pa to, ajo që mbetet nuk është liri, por arbitraritet. Dhe aty ku ka arbitraritet, liria – ajo e vërteta – nuk mund të ekzistojë më. Prandaj vota shqiptare e 11 majit duhet të jetë për ne një vallëzim i përbashkët në konsolidimin e Demokracisë.
Komente


Vallezim me Ramen do te thuash. Liria dhe Rama nje dyshe hipokrizie: kur dhunonte fizikisht apo psikologjikisht ish bashkshorten 1, 2,3 apo 4 nuk e dime; apo kur ideonte e zbatonte 21Janarin me kriminelet e Tom Doshkut.
Përgjigju