Në dialogët e vendosur në gojën e Sokratit, në Greqinë e lashtë, ka krijuar një model etik universal dhe një themel të filozofisë politike. Ajo që çmoj pafund është se përveç ekplorimit të Drejtësisë në të gjitha nuancat e saj, Platoni lidh drejtësinë individuale me atë sociale, duke mbështetur teorinë se një shpirt i rregullt (i udhëhequr nga logjika) pasqyron dhe një shoqëri të strukturuar mirë. Kjo ide ka ndikuar jo vetëm filozofinë por edhe etikën dhe psikologjinë duke treguar se si harmonia e brendshme reflektohet në drejtësinë e jashtme.
Në bisedat e pafundme të Sokratit herë me vëllezërit e Platonit, herë me personazhe të Greqisë antike dhe të pellgut të Mesdheut, duket se parashikimet e tij arrijnë deri më sot, me situata me të cilat përballemi ne, njerëzit e mijëvjeçarit të tretë, pas Krishtit. Si kjo pjesë në faqet 669-675.
Me siguri, liritë dhe barazitë e arritura sidomos në Europë, falë dhe Demokracisë që lindi mes mendimtarëve të Greqisë antike, kanë shijen e tyre të një bukurie të jashtëzakonshme, por kjo nuk do të thotë, që rreziku i tiranive, ashtu siç Platoni shkruan, edhe për vendet në demokraci, ekziston.
Ky tekst, i shkruar rreth viteve 380 para Krishtit, ka aromën e diçkaje që sot e përjetojmë.
…“Dhe tani na mbetet të përshkruajmë regjimin dhe individët: të flasim për tiraninë dhe për tiranin”.
“Është e vërtetë”, u përgjigj
“Atëherë, miku im: Cila është karakteristika e tiranisë? Më duket fare e qartë se ajo lind nga degjenerimi i demokracisë.”
“Po, është e dukshme”.
“Pra, ashtu si nga oligarkia lind demokracia, edhe nga demokracia lind tirania”.
“Në ç’mënyrë?”
“Qëllimi që kishte dhe për të cilin lindi oligarkia”, pyeta “nuk ishte pasuria e tepërt?”
“Po.”
“Por dëshira e pangopur për pasuri dhe moskujdesi për çdo vlerë tjetër për shkak të afarizmit e çuan në rrënim.”
“Është e vërtetë” tha.
“Edhe rrënimi i demokracisë a nuk provokohet nga dëshira e pafundme e asaj që e bëri të lindë?”
“Atëherë, cili është ky qëllim?”
“Liria” u përgjigja. “Në një shtet demokratik mund të dëgjosh të thuhet se ajo është e mira supreme dhe për këtë arsye cilido ka një karakter të lirë duhet të jetojë vetëm këtu.”
“Po, kështu thuhet shpesh” u përgjigj.
“Pra, siç po të thoja, a nuk është kjo dëshirë e pangopur dhe moskokëçarja për çdo vlerë tjetër që e transformojnë këtë regjim dhe e përgatisin të ketë nevojë për tiraninë?”
“Në ç’kuptim?” pyeti.
“Sipas meje, një Shtet demokratik i etur për liri, kur gjen hanxhinj të këqinj dhe i kapërcen kufijtë dhe dehet me liri të pastër, ndëshkon qeveritarët e vet, përveç rasteve kur këta nuk janë me të vërtetë të butë dhe nuk lejojnë liri të madhe, duke i akuzuar si oligarkë të paskrupujt.”
“Po, veprojnë kështu” tha.
“Dhe unë besoj, ofendon qytetarët respektues ndaj qeveritarëve duke i konsideruar si skllevër vullnetarë ndaj personave bosh, ndërsa lavdëron dhe vlerëson privatisht dhe në publik qeveritarët që janë të ngjashëm me qytetarët dhe qytetarët që janë të ngjashëm me qeveritarët. Por në një Shtet të tillë a nuk është e pashmangshme që përulja ndaj lirisë të shtrihet në çdo gjë?”
“Si jo!”
“Dhe të depërtojë, mik i dashur, edhe në shtëpitë private e në fund të shpërthejë anarkia edhe mes kafshëve?”
“Po çfarë duhet të nënkuptojmë me këtë?” pyeti.
“Për shembull”, u përgjigja “një baba mësohet të bëhet si i biri dhe të ketë frikë nga fëmijët e tij dhe djali të bëhet si i ati dhe për të qenë i lirë nuk ka më as respekt dhe as frikë nga prindërit; dhe të huajt vihen në të njëjtin nivel me qytetarët dhe qytetarët në të njëjtin nivel me të huajt”
“Në fakt ndodh pikërisht kjo” tha.
“Ka edhe gjëra të tjera të pakëndshme: në kushte të tilla mësuesi ka frikë nga nxënësit dhe i lavdëron, nxënësit përbuzin mësuesit dhe mjeshtërit; pra të rinjtë sillen si të moshuarit dhe i kundërshtojnë me fjalë dhe me fakte, ndërsa të moshuarit, për t’u dukur të pëlqyeshëm për të rinjtë, lëshohen me lajka false, duke imituar të rinjtë për të mos u dukur bezdisës dhe tiranë”.
“Është tamam kështu” pohoi.
“Në një Shtet të tillë, mik i dashur, limiti ekstrem i lirisë së tepërt arrihet kur burrat dhe gratë të shitur nuk janë më pak të lirë se blerësit e tyre. Dhe gati harrova se sa barazi dhe liri ekziston në marrëdhëniet mes burrave dhe grave!”
“Pra”, ndërhyri “Sipas Eskilit “do të themi atë që na vjen në mendje?”
“Pikërisht” u përgjigja “po them këtë. Gati gati e pabesueshme, nëse nuk do ta kisha konstatuar, kur edhe kafshët aty janë më të lirë se në çdo Shtet tjetër: sipas proverbit, në të vërtetë, qentë u ngjajnë të zotëve, kuajt dhe gomerët ecin të lirë dhe krenarë duke u përplasur me këdo që nuk iu hap rrugën. E gjithçka mbushet me liri në të njëjtën mënyrë”.
“Ti” ndërhyri “po tregon ëndrrën time, sepse edhe mua, kur shkoj në fshat, më ndodh e njëjta gjë”.
“Përfundimi i gjithë kësaj bashkë ti e di cili është: që shpirti dobësohet, fishket në atë pikë që nuk duron asnjë lloj detyrimi, madje shkakton tërbimin. Dhe si përfundim, siç e di, nuk e vrasin mendjen as për ligjet, të shkruara apo të pashkruara, vetëm e vetëm për të mos pasur asnjë padron”.
“E di shumë mirë!”, thirri.
“Pra miku im, nga kjo qeveri e bukur dhe virile, mua më duket se lind tirania”, thashë.