Futbolli shqiptar pavarësisht optimizmit të krijuar ditët e fundit nuk do të nisë as fundjavën që vjen. Ky vendim është marrë sot në mbledhjen që Liga Profesioniste mbajti për të disatën herë radhazi. Presidenti i Ligës Edvin Libohova deklaroi prerazi se sot u mor vendimi për vijim e bojkotit, i cili sipas tij ishte unanim.

“Pas diskutimeve u vendos që të vazhdojnë, deri në momentin e zgjidhjes së kërkesave. Jemi në pritje të një takimi me qeverinë. Vendimi për të vazhduar bojkotin ishte unanim,”-u shpreh Libohova.

Burime pranë Ligës Profesioniste bëjnë me dije se pavarësisht deklaratës së presidentit vendimi për bojkotin nuk është më unanim. Madje jo të gjithë anëtarët kanë qenë sot prezent në mbledhjen e Ligës.

Kampionati shqiptar i futbollit duhet të niste që me datë 12 shtator, ndërsa katër kërkesat financiare të Ligës janë artikuluar që me 5 gusht.