Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume u shpreh në studion e Report Tv se opozita nuk do shkojë drejt djegies së mandateve, por do rikthehet në Kuvend. Sipas Kumes, PD-LSI janë në limitet e afatit ligjor. Ai shton se kanë kaluar 5 muaj nga nisja e bojkotit pasi llogariten edhe ditët e pushimit, përfshirë këtu edhe muajin gusht nga ku nis numërimi.
Opozita deklaron se nuk e ka bojkotuar Kuvendin, por është duke realizuar një marrëdhënie të kushtëzuar. Në funksion të kësaj vendimmarrje të opozitës po i afrohemi 6 mujorit i cili sipas kuadrit ligjor në fuqi, referuar kushteve të ndërprerjes së mandatit, jemi tamam në kohën kur po i afrohemi. Nuk mund të veprohet ndryshe veçse të ndërpritet mandati nëse nuk merr pjesë në seancë ose komisionet parlamentare. Deputetët e opozitës janë duke e konsumuar me shpejtësi afatin që kanë në dispozicion. Unë besoj që nuk do ndodhë. Opozita do të hyjë në derën e Parlamentit. Siç kanë bërë edhe deputet të tjerë. Fatos Nano ka bërë të njëjtën gjë, Saimir Tahiri. Është një praktikë e njohur, e parashikon ligji. Por nuk mund të shërbejë si formë presioni. Po të lexojmë dispozitën përkatëse nuk thuhet që periudha 6 mujore e mungesës do të thotë periudhë e cila realizohet si e tillë duke iu referuar vetëm ditëve të punës. Numërohet 6 muaj me të shtunat dhe të dielat, përfshirë edhe ditët e pushimit.
Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ
Edhe pse deputetët mungojnë, ata paguhen rregullisht. Kume thotë se duhet të ndryshojë edhe kjo praktikë. Ai shton se deputetët duhet të trajtohen si një i punësuar që refuzon të shkojë në punë dhe për rrjedhojë nuk duhet të paguhet.
"Të jesh në deputet do të thotë të jesh i punësuar. Si çdo i punësuar që nuk paraqitet në punë, nuk duhet të marrë pagën. E njëjta gjë duhet të funksionojë edhe për deputetët. Për atë që quhet punë e deputetit nuk duhet të përfshihet vetëm pjesëmarrja në komisione dhe seanca, por të gjitha ato detyra që merr përsipër deputeti".
Reforma Zgjedhore
Kume thotë se nëse konsensusi do prevalojë, Kodi ri zgjedhor mund të miratohet përpara festës së Krishtlindjeve siç edhe kanë paralajmëruar përfaqësuesit e maxhorancës.
"E rëndësishme është se çfarë do realizojë kjo tavolinë. Komisioni ka vepruar ndryshe nga herë te tjëra. Ky komision ka organizuar një punë mjaft të madhe për të marrë propozime, ka pasur mjaft raste ku janë dhënë ide për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe po ashtu jemi në dijeni të faktit që komisioni pasi ka marrë këtë informacion, ka vënë në punë ekspertë që po zbardhin propozimet, të cilat do jenë pjesë e rëndësishme e ndryshimeve në Kod", thotë Kume.
Në të kundërt, shton Kume, nëse nuk do ketë konsensus maxhorancë-opozitë, zgjedhjet vendore të 30 qershorit do zhvillohen me Kodin Zgjedhor aktual i cili mbart mjaft problematika të evidentuara edhe nga OSBE/ODIHR.
"Nëse nuk miratojmë Reformën Zgjedhore do të thotë se nuk kemi plotësuar as edhe një prej detyrimeve të BE, krahas Reformës në Drejtësi. E shoh këtë si një parathënie të një procesi zgjedhor që zor se do të plotësojë standardet".