Tre përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), ku kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisjes së gjyqësorit për zgjidhjen e situatës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkotimin e seancave gjyqësore, pas miratimit të rregullores së re të GJKKO-së, e hartuar nga kryetari Erion Bani. Rregullorja e re e GJKKO-së censuron punën e mediave dhe pengon punën e avokatëve, përmes ndalimeve të parashikuara gjatë seancave (përfshi edhe ndalimin e mbajtjes së celularëve).
Përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Avokatisë kanë kërkuar gjatë takimit me anëtarë të KLGJ-së marrjen e masave për garantimin e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit, si dhe sigurimin e pajisjeve të nevojshme për kryerjen e detyrës.
Anëtarët e KLGJ-së kanë dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e avokatëve për rikthimin e normalitetit në GJKKO. Ndërkohë, pritet që ata të zhvillojnë diskutime me Kryesinë e Gjykatës së Posaçme lidhur me situatën e krijuar dhe bojkotin që vijon prej disa javësh.
Ngërçi i krijuar në Gjykatën e Posaçme me bojkotin e avokatëve që prej 1 shtatorit ka shkaktuar dështimin e 462 seancave gjyqësore, ndërsa janë zhvilluar vetëm 24 në gati një muaj e gjysmë.
Lajm në përditësim...












Komente
Komento