Boks, Tony Bellew mposht me nokaut teknik David Haye/ VIDEO
Pesë raunde të luftuara mes dy britanikëve në boksin profesionist të peshave të rënda kanë shpallur fitues Tony Bellew, që mposht David Haye me nokaut teknik.
Eduard Ilnica 6 Maj 2018, 13:40 | Përditesimi: 6 Maj 2018, 16:23
Boksieri Tony Bellew fitoi me “KO teknik” në raundin e pestë edhe revanshin ndaj David Haye në peshat e rënda, duel i zhvilluar në stadiumin “O2 Arena” të Londrës, një përballje mes dy boksierësh britanikë që pritej me interes nga të gjithë.
Ky është suksesi i dytë radhazi për Bellew ndaj patriotit të tij, që pas triumfit në mars të vitit të kaluar, edhe asokohe me “KO teknik” në raundin e 11-të, këtë herë u tregua edhe më i shpejtë, duke e mposhtur rivalin në raundin e pestë. Për Bellew ky është triumfi i 30-të në ring në karrierën e tij, ku numëron edhe 3 humbje e një barazim.
Edhe pse në dy raundet e para u duk sikur Haye ishte më superior në ring, duke i fituar ato me pikë, në raundin e tretë ndryshon tërësisht pamja e sfidës dhe Belleë nis të hedhë themelet e triumfit. Haye bie dy herë në tapet në sekondat e fundit të raundit të tretë, duke u shpëtuar nga këmbana.
Pasi arrin të mbijetojë në raundin e katërt, në të pestin Haye sërish e sheh veten në tapet. Haye përpiqet të qëndrojë në këmbë, por disa grushte të Bellew detyrojnë gjyqtarin të ndalë duelin në mesin e raundit të pestë.
Belleë ishte më i freskët, u tregua i saktë në mbrojtje dhe corientoi rivalin me grushtet e tij, duke e merituar fitoren. Për Haye, dy humbje radhazi që mund t’i thonë mjaft karrierës së tij. Me shumë mundësi dueli i radhës për kampion bote në peshat e rënda pritet të jetë mes britanikut tjetër Antony Joshua dhe fituesit të duelit të fundit Tony Bellew, që është në rolin e sfiduesit.