Bollino: Berisha ka kompleksuar edhe SPAK-un, siç bën me drejtësinë prej 30 vitesh?  

Bollino: Berisha ka kompleksuar edhe SPAK-un, siç bën me drejtësinë prej 30 vitesh?  

Zakoni i bërë tashmë ves, i sulmit ndaj çdo kundërshtari me shantazhe, shpifje dhe kërcënime, është teknika me të cilën prej 30 vitesh Sali Berisha ua mbyll gojën shumë prej atyre që nuk mendojnë si ai dhe kjo gjë i ka garantuar një imunitet total. Sistemi, i mësuar në shkollën staliniste ku ka studiuar me zell e nga e cila shpërndan përvojën, i ka lejuar të kontrollojë, për shembull, përgjatë të gjithë viteve kur ka qenë në pushtet, pjesën më të madhe të shtypit shqiptar, i cili përveç përjashtimeve të rralla, nuk pati kurrë kurajo të denoncojë krimet e tij. Agresiviteti pa kufi  i Sali Berishës ka mbyllur gojën shumë analistëve edhe në vitet kur ishte në opozitë, ndërsa tani që po bën sikur është kthyer në garën politike, ka mbushur sërish me gazetarë rradhët e mbështetësve të tij. Jo të gjithë ata që sot gjunjëzohen në këmbët e Sali Berishës e bëjnë nga frika, sepse disa (kur nuk janë të shtyrë nga urrejtja personale ndaj Edi Ramës) e bëjnë vetëm për një llogari të thjeshtë financiare. E megjithatë është e qartë se krah servilëve vullnetarë që e mbrojnë, është një pjesë e madhe e analistëve dhe e opinionit publik që ka frikë të sulmojë Sali Berishën, thjeshtë sepse ka frikë hakmarrjen e tij primitive e përbërë nga ofendime publike, shpifje familjare apo dhe të tjera.  

Është një taktikë perverse që funksionon që prej 1993, kur çdo analist që guxonte të mbronte liderin e opozitës së atëhershme Fatos Nano i mbyllur në burg pa prova, linçohej nga shërbëtorët e presidentit Sali Berisha (i cili kishte urdhëruar arrestimin), që konsideroheshin pastaj si paladinë të demokracisë. Shumë prej tyre sot janë kthyer nën shërbimin e Berishës, dhe edhe 30 vite më pas vazhdon të vlejë principi që të konsiderohesh si gazetar i lirë ose si politikan i ndershëm, duhet t’i bindesh linjës së tij. Është pikërisht kjo linjë gënjeshtrash dhe dhune që vazhdon ta mbrojë Sali Berishën dhe klanin e tij me një mburojë imuniteti pas të cilës, kur ishte e nevojshme, arriti të fshihej edhe Ilir Meta.  

Me të njëjtën teknikë prej 30 vitesh Sali Berisha shtyp çdo formë drejtësie dhe pavarësie institucionale, sepse kur nuk janë të korruptuara, institucionet i janë bindur nga frika. Prandaj sot është legjitime të pyesim nëse kjo frikë, a nuk po godet (ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme) edhe SPAK-un dhe organet e drejtësisë së reformuar? Fakti se një pjesë e gjerë e gjykatësve dhe prokurorëve të filtruar nga sistemi i Vettingut nuk janë më sot nën urdhërat e Sali Berishës dhe të familjes së tij, nuk do të thotë automatikisht se ata nuk janë të ndjeshëm ndaj kërcënimeve të tij dhe në këtë mënyrë të lirë nga influence e tij negative, sic reform ua imponon të jenë.   

Në një koment të shkurtër të pak javëve më parë e ngritëm si problem, duke pyetur se kush e kontrollon sot në të vërtetë drejtësisnë? Një pyetje e lidhur me veprimet e përsëritura të prokurorisë dhe të SPAK-ut drejtuar ekskluzivisht ose kundër eksponentëve të Partisë Socialiste (për shembull me arrestimet e Rovena Vodës, Saimir Tahirit, Lefter Kokës e Alqi Bllakos dhe inkriminimet e pushtetarëve të tjerë), ose në favor të grupit Berisha-Meta. Mjafton të mendojmë në rehabilitimin e Presidentit të Republikës të akuzuar nga gjithësia e Parlamentit për shkelje të kushtetutës e të shpallur të pafajshëm nga Gjykata Kushtetuese. Dhe pak ditë më parë vendimet e papritura me të cilat gjykatës të gjykatës administrative fillimisht refuzuan të njihnin Kuvendin zyrtar të thirrur nga Lulzim Basha dhe më pas njohën Kuvendin informal të thirrur nga Sali Berisha, faktikisht duke marrë anë në konfliktin Basha-Berisha dhe duke i dhuruar ish-kryeministrit non-grata nga Shtetet e Bashkuara, kontrollin e opozitës. Të gjitha vendime gjyqësore për të cilat nuk jemi në gjëndje të vlerësojmë legjitimitetin juridik, por që sigurisht përgënjeshtrojnë përrallën e treguar prej vitesh nga Partia Demokratike dhe nga lëvduesit e saj, që drejtësia tashmë kontrollohet nga Edi Rama.   

Një përgënjeshtrim që gjen konfirmim përfundimtar në heshtjen e SPAK-ut ndaj skandaleve të rënda që prej kohësh ndodhen në tavolinën e tij, si për shembull hetimet për pastrim parash për llogari të dhëndrrit të Sali Berishës, që pasi kishte në bankë vetëm 30.000 dollarë, arriti të bëhej bashkepronar në Tiranë i 19 kullave me një vlerë prej dhjetëra miliona eurosh. Nga vijnë paratë që ka investuar në ato ndërtime? Një pyetje legjitime meqë bëhet fjalë për një ambjentalist me një rrogë shtetërore, i cili ka administruar ato pasuri gjigande pikërisht në vitet në të cilat vjehrri i tij ishte kryeministër i vendit me një pushtet të pakufizuar.   

I njëjti problem u ngrit dje edhe gjatë kongresit të PS-së nga Edi Rama, i cili duke folur si kreu i Partisë Socialiste dhe jo si kryeministër, për herë të parë akuzoi SPAK-un për drejtësi selektive. Lista e drejtësisë së munguar është shumë e gjatë dhe skandali i ish-kompleksit Partizani është vetëm një nga shumë episodet. Rama citoi masakrën e 21 janarit vetëm për të treguar një nga rastet më të famshme të mbetur të pazgjidhur, por ne mund të rreshtojmë shumë të tjerë, duke filluar nga 2500 të vdekurit të shkaktuar nga rrëzimi i firmave piramidale, hapja e bazave ushtarake dhe dorëzimi i miliona armëve në duart e popullit, përpjekjet për grusht shteti më 14 shtator, korrupsioni i lidhur me Rrugën e Kombit, masakra e Gërdecit, trafiku i armëve drejt Afganistanit por jo vetëm, qindra abuzime me pronat shtetërore dhe masakër në kadastrat me pronat private, krimet e kryera nga SHIK i Bashkim Gazidedes, për të arritur në fund me dy krime të denoncuara edhe nga vetë Sali Berisha: Ngjarja e Toyota Yaris që shpëtoi nga arrestimi përfituesit e më shumë se 3 milionë euro të ardhura nga narkotrafiku dhe misteri i 500.000 dollarëve të ricikluara nga PD përmes shoqërive ruse. U kufizuam të citojmë ngjarje, krimet e të cilave nuk janë parashkruar dhe mbi të cilat SPAK dhe prokuroritë kanë akoma mundësi për të hetuar. Këtyre iu duhet shtuar krimi i krimeve, domethënë, korrupsioni i shpërndarë dhe atentati ndaj Demokracisë për të cilat Departamenti Amerikan i Shtetit akuzon Sali Berishën, bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët. A është e mundur që drejtësia e re shqiptare, pra drejtësia e re e filtruar nga vettingu dhe e reformuar me supervizionin e amerikanëve, nuk ka asgjë për të thënë dhe për të qartësuar mbi gjithë këto skandale? Edhe për të na thënë që deri më tani të gjithë jemi gabuar dhe se shpifësit e vërtetë jemi ne dhe jo doktori, i vetmi i ndershëm i mbetur në një det të pandershmish?  

 Për të pasur një ide akoma me të qartë dhe të pastër të padrejtësisë për të cilën po flasim, mjafton të shohim listën e 4 personave non grata të deklaruara deri më tani nga Shtetet e Bashkuara. I pari është Vangjush Dako, që vetëm për këtë deklarim të Departamentit të Shtetit nuk është kandiduar më nga PS dhe është përjashtuar nga të gjitha funksionet partiake. I dyti Tom Doshi, i cili për të njëjtën arsye nuk ka asnjë funksion publik dhe dha dorëheqjen nga kuvendi të njëjtën natë kur u zgjodh. I treti është Adriatik Llalla tashmë i arrestuar pas një arratisje të gjatë jashtë shtetit. I katërti është Sali Berisha që jo vetëm është në parlament ku vazhdon të japë leksione morali dhe vazhdon të kërcënojë e të shpifë ndaj kundërshtarëve, por falë edhe vendimit të ish-shoferit të bërë gjykatës, u kthye të rimarrë kontrollin e partisë kryesore të opozitës dhe tani beson se do të bëhet edhe kryeministri i ardhshëm i vendit. Përse në këtë botë të barabartësh, ai është më i barabarti nga të gjithë?  

Është e kuptueshme që hetimet e reja të godasin në masë më të madhe ata që sot mbajnë pushtetin. Por është e papranueshme që për të shkuarën, kur prokurori dhe gjykata garantonin vetëm paprekshmërinë dhe jo drejtësi, të mos vazhdojë të merret njeri, sikur imuniteti personal skandaloz që qeveritarët e atëhershëm kishin përfituar, të ishte rinovuar edhe për sot. Ne nuk jemi për të shpëtuar të korruptuarit socialistë, që përkundrazi duhet të paguajnë, por drejtësia për të qenë e drejtë, nuk duhet të jetë selektive. Drejtësia e re në të cilën të gjithë besojmë, nuk mund të vuajë nga kompleksi që Sali Berisha prej 30 vitesh ua imponon kundërshtarëve të tij, që kur nuk mund t’i blejë apo shantazhojë, i terrorizon. Mjaft me këtë amnisti speciale të padeklaruar. Vetëm veprimet konkrete të një drejtësie pa paragjykime, pa komplekse, pa ngjyrë politike, pa vonesa e mbi të gjitha pa frikë, mundet të risjellin më në fund besimin tek qytetarët, t'i rikthejnë dinjitetin politikës dhe t'i japë një kuptim real asaj reforme që prej 6 vitesh, pavarësisht gjithçkaje, vazhdon të bëjnë të ëndërrojmë një Vend më të mirë.   

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sifi: 11/04/2022 18:27

    SPAKun e zgjodhen organi KED dhe pas shpreses qe do perbushte misionin e shumepritur per luften kunder krimit shteteror po shohim nje zvarrirje te madge te ish dosjeve qe ben buhe ne popull.Ne rast se kane problem te arrestojne peshkaqenet qe i nxine jeten per 30 vjet shqiptareve ,te largohen dhe te zgjidhen te there te afte dhe me te guximshem.Te jesh prokurir eshte pune shume e veshtire por dhe oatriotike pasi i jep vendit siguri kombetare dhe prosperitwt ekonomik

    Përgjigju
  • Kistra: 11/04/2022 07:52

    SPAK-u eshte nje pjese e molles se kalbur mbetur ne sistemin e drejtesise, pa asnje dyshim. Referuar priteshmerive, efektiviteti i reformes per fat te keq, duket i deshtuar.

    Përgjigju
  • Meti: 11/04/2022 05:41

    Plotesisht dakord. Pyetje: Ndersa eshte i bazuar nje hetim i SPAK ndaj ish Kryeministrit Berisha per korrupsion te bazuar ne informacion dhe qe vetem Sekretari Blinken e di, po per korrupsionin nen hetim dhe aktiv te Kryeministrit ne detyre Edi Rama a eshte i bazuar nje hetim i SPAK?

    Përgjigju
  • laboviti: 10/04/2022 22:00

    Eshte e kote te pritet qe Arben Kraja te hape dosje per Berishen.Me pare mund te hape dosje per femijet e tij se sa per Berishen.Dhe kjo sepse ai sa mendon per kete gje i thahet beshtyma ne fyt,eshte i tmerruar apo i kercenuar nga ai.Ky eshte konkluzioni qe ne te gjithe shohim per inaktivitetin dhe heshtjen e SPAKUT per te gjitha dosjet e pluhurosura ne sirtaret e tij,si per te vjeterat ashtu dhe ato me te fundit,duke futur ketu dhe sulmin e armatosur te tij ndaj selise se PD-se,kur dhe Elisabeta Imeraj u perpoq te bente dicka,kurse Kraja nuk e ka marre vesh se cfare ka nmdodhur sepse ka qene ne Honolulu ose ne gjumin e trete...!Turp!Dhe jo vetem turp,por edhe ligjerisht Kraja po shkel ligjin duke mbyllur jo njw por te dy syte ndaj kriminelit me shume krime ne kurriz Salih Ram Berisha duke e lene ate te pa thirrur e te paproceduar,mbase duke pritur qe ai te vdese nga pleqeria e te ferkoje duart me pas si pont Pilati!

    Përgjigju
  • VLORA1: 10/04/2022 21:20

    Shkrim i drejte.Z.Bolino frika eshte njerezore dhe pranohet,por mungesa e ndershmerise dhe karakter i dobet nuk pranohen.Arsyetimi eshte i thjeshte .Zoterinjte e SPAKdhe BKH duhet te kene kurajen te dorehiqen nga keto organe dhe ti kursejne popullit pagat e majme qe marin neqoftese e ndjejne qe ate pune nuk e bejne dot.Ajo pune do njerez kurajoz dhe me integritet,se ne fund te fundit vete e kane kerkuar dhe nuk ua ka dhene njeri me zor.E fundit te trembesh nga nje plak qe pshuret ne pantallona do te thote te mos egzistosh

    Përgjigju
    • Kik: 28/11/2022 17:21

      Bravo coment shume fisnik, ata te kthejne parate nqs nuk kane kellqe

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Emigrantët kthehen për Vitin e Ri, fluks në Qafë-Thanë! Pritje deri në 40 minuta, punohet me 4 sportele

Emigrantët kthehen për Vitin e Ri, fluks në Qafë-Thanë! Pritje deri në 40 minuta, punohet me 4 sportele