Bolsonaro konteston humbjen e zgjedhjeve në Brazil, kërkon anulimin e votave në disa zona

Bolsonaro konteston humbjen e zgjedhjeve në Brazil, kërkon anulimin e votave në disa zona

Jair Bolsonaro

Më shumë se tre javë pasi humbi garën për t'u rizgjedhur, Jair Bolsonaro fajësoi të martën një defekt në programet kompjuterike dhe kërkoi nga autoriteti zgjedhor të anulojë votat e hedhura në shumicën e makinave elektronike të votimit, megjithëse ekspertë të pavarur thonë se gabimi nuk ndikon në besueshmërinë e rezultateve.

Një veprim i tillë do ta linte zotin Bolsonaro me 51% të votave të mbetura të vlefshme - dhe një fitore për rizgjedhje, u tha gazetarëve Marcelo de Bessa, avokati që paraqiti ankesën prej 33 faqesh në emër të presidentit dhe Partisë së tij Liberale.

Autoriteti zgjedhor tashmë ka shpallur fitoren për rivalin e Bolsonaros, ish-presidentin e majtë Luiz Inácio Lula da Silva, dhe madje shumë nga aleatët e presidentit i kanë pranuar rezultatet. Protestuesit në qytete anembanë vendit kanë refuzuar me vendosmëri të bëjnë të njëjtën gjë, veçanërisht me zotin Bolsonaro që ka refuzuar të pranojë humbjen.

Udhëheqësi i Partisë Liberale Valdemar Costa dhe një auditor i punësuar nga partia u thanë gazetarëve në Brasilia se vlerësimi i tyre zbuloi se të gjitha makinat që datojnë para vitit 2020 - gati 280,000 prej tyre, ose rreth 59% e totalit të përdorur në balotazhin e 30 tetorit - nuk kishin identifikim individual në regjistrat e brendshëm.

Asnjëri nuk shpjegoi se si kjo mund të kishte ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve, por thanë se po i kërkonin autoritetit zgjedhor të zhvlerësonte të gjitha votat e hedhura në ato makina. Ankesa e karakterizon gabimin si "mospërputhje të pariparueshme për shkak të mosfunksionimit" që vë në pikëpyetje vërtetësinë e rezultateve. Menjëherë më pas, kreu i autoritetit elektoral nxori një vendim që ngre mundësinë që vetë partia e Bolsonaro të vuajë nga një sfidë e tillë.

Alexandre de Moraes tha se gjykata nuk do ta shqyrtonte ankesën nëse partia nuk ofron një raport të ndryshuar brenda 24 orëve që do të përfshinte rezultatet nga raundi i parë zgjedhor më 2 tetor, në të cilin Partia Liberale fitoi më shumë vende në të dy dhomat e kongresit. Creomar de Souza, analist politik i firmës Dharma Political Risk and Strategy, tha se formulimi i vendimit të zotit de Moraes tregon se gjykata zgjedhore ka të ngjarë të refuzojë apelimin.

Defekti nuk ishte i njohur më parë, megjithatë ekspertët thanë se ai gjithashtu nuk ndikon në rezultat. Çdo makinë votimi mund të identifikohet ende lehtësisht përmes mjeteve të tjera, si qyteti dhe zona e votimit, tha Wilson Ruggiero, një profesor i inxhinierisë kompjuterike dhe sistemeve dixhitale në Shkollën Politeknike të Universitetit të Sao Paulos.

"Kjo nuk minon besueshmërinë në asnjë mënyrë," tha zoti Ruggiero për Associated Press . "Pika kyçe që garanton korrektësinë është nënshkrimi dixhital i lidhur me çdo makinë votimi".

Diego Aranha, është një profesor i asociuar i sigurisë së sistemeve në Universitetin Aarhus në Danimarkë, i cili ka marrë pjesë në testet zyrtare të sigurisë të sistemit zgjedhor të Brazilit. Ndërsa makinat nuk kanë numra individualë identifikimi në regjistrat e tyre të brendshëm, këto numra shfaqen në faturat e printuara që tregojnë shumën e të gjitha votave të dhëna për secilin kandidat, tha zoti Aranha, duke shtuar se gabimi u zbulua vetëm për shkak të përpjekjeve të autoritetit elektoral për të ofruar transparencë më të madhe.

Humbja më pak se dy pikë e zotit Bolsonaro ndaj zotit da Silva më 30 tetor ishte diferenca më e ngushtë që nga kthimi i Brazilit në demokraci në vitin 1985. Presidenti ka refuzuar të pranojë humbjen ose të përgëzojë kundërshtarin e tij – duke i lënë hapësirë mbështetësve që të nxjerrin përfundimet e tyre. Shumë prej tyre kanë protestuar pa pushim, duke pretenduar për mashtrime zgjedhore dhe duke kërkuar të ndërhyjnë që forcat e armatosura.

Dhjetra mbështetës të Bolsonaros u mblodhën jashtë konferencës për shtyp të martën, të veshur me ngjyrën jeshile dhe të verdhë të flamurit të Brazilit dhe duke kënduar këngë patriotike. Disa sulmuan verbalisht dhe shtynë gazetarët që përpiqeshin të hynin në ambientet e ngjarjes. Bolsonaro kaloi më shumë se një vit duke pretenduar se sistemi elektronik i votimit në Brazil është i prirur për mashtrim, pa paraqitur kurrë prova./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës