- Senatorja Bonino, në rradhë të parë faleminderit për intervistën.
Ju lutem, ju lutem!

- Ju sot prezantuat një raport këtu në Tiranë mbi diversitetin në Europë. Mund të na thoni cilat janë pikat më të rëndësishme të tij?
Ishte një raport i komisionuar nga Këshilli i Europës që ka formuar një grup prej 9 personash, i kryesuar nga Joshka Fisher. Puna ka filluar në 2010 dhe e kemi publikuar nga gjysma e 2011. Nga një anë kemi bërë një fotografi të situatës, të mbrojtjes së të drejtave të minorancave, qofshin këto homoseksualë apo minoranca fetare, ose çështja e emigrantëve apo çështja e romëve, në të gjitha vendet e Këshillit të Europës.
Fotografia që doli nuk është shumë brilante. Duhet të konstatojmë që nga një anë kemi traktatet që janë shumë të mira, dhe në fakt ne nuk propozojmë një traktat të ri, ndërsa nga ana tjetër kemi një praktikë politike që lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo në shumë vende anëtare të Këshillit të Europës. Secili vend është pak ndryshe nga tjetri. Ka vende që nuk respektojnë ashtu si duhet romët, ka të tjerë që janë shumë pak të respektueshëm përsa i përket të drejtave të minorancave seksuale, të tjerë përsa i përket minorancave fetare, sepse çdo vend përballet me historinë e tij, me prapambetjen e tij.
Dolëm me rreth 50 rekomandime. Ne e shikojmë çështjen e diversitetit si një pasuri dhe jo një motiv përjashtimi. Rekomandimet nuk janë vetëm për qeveritë pasi situata sipas nesh është kaq e komplikuar, që duhet të ndërgjegjësojë të gjithë elementët e shoqërisë. Ndaj ka dhe rakomandime për universitetin, për sipërmarrësit, për sindikatat, për liderët fetarë. Është një përpjekje kompleksive që e gjithë shoqëria duhet të bëjë, për t’i mbetur besnik një principi themeltar tonit, që diversiteti është një pasuri. Si të kombinojmë diversitetin dhe liritë, është pikërisht sfida që kemi përballë. Në një prej rekomandimeve thuhej se duhet bërë kujdes me çfarë ndodh në jug të Mesdheut, ndaj sot isha veçanërisht e lumtur që në tavolinën e punës ishte edhe një eksponent i Libisë pasi situata në jug të Mesdheut është shumë e komplikuar.
Këto ishin pak a shumë temat e raportit. Për shembull, roli i kryebashkiakëve përsa i përket diversitetit është shumë i rëndësishëm, ndaj ka shumë nivele që duhen konsideruar, duke vënë theksin aty ku janë hasur praktika të mira. Ka disa raste shumë pozitive si përsa i përket integrimit rom, ashtu edhe për të drejtat e minorancave fetare. Ndaj, mund t’ja dalim. Nuk është e lehtë, por mund t’ja dalim.

- Duke folur më konkretisht për Shqipërinë, një raport i fundit i Amnesty International që praktikisht thotë se romët persekuitohen nga autoritetet.
Kjo është një situatë e përhapur. Ne e kemi parë dhe stigmatizuar edhe në vendin tim ku gjykata kohët e fundit e ka shpallur ilegal një plan emergjence-rom që ishte bërë nga qeveria e mëparshme. Sot po tentohet rruga e integrimit që nuk është shumë e lehtë. Shembuj të tjerë, për romët, kemi folur p.sh. në një takim në Hungari, ose në Rumani, ku ende është një problem më vete. Pra, besoj se Shqipëria nga kjo pikëpamje ka ndjekur praktikat e këqija që janë të përhapura edhe në vende të tjera. Këtë nuk e them për të justifikuar por për të theksuar se një bashkëpunim praktikash të mira mund të ndihmojë.

- Në këto vende që përmendët, janë autoritetet edhe aty që persekuitojnë romët si në rastin e Shqipërisë apo është shoqëria në përgjithësi?
Dy aspektet janë të lidhura. Sigurisht, përfaqësuesit politikë kanë edhe detyrimin që të japin shembullin e mirë. Në vendin tonë kemi pasur refuzime si përsa i përket romëve ashtu edhe emigrantëve, me impostime të qarta edhe raciste, nga ndonjë eksponent i Lega Nord që ishte në qeveri. Prandaj, është e qartë se kur një pozicion merret në nivel politik, në nivel qeverie, kjo është shumë më rëndë pasi në një farë mënyrë shërben si ortek. Ajo që thotë raporti është se nuk duhet të qëndrojmë në heshtje, duhet të kemi forcën që të luftojmë e të mos pranojmë, edhe përmes deklaratash, këto lloj tendence që ndonjëherë merr tonet edhe të racizmit, për të mos thënë ksenofobisë.

- Në Shqipëri kemi një ligj kundër diskriminimit të homoseksualëve, por kur arrijmë te praktikat, kemi raste zv/ministrash që dalin me deklarata që bëjnë thirrje për dhunë. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria, çfarë duhet të bëjnë autoritetet për të respektuar edhe...
...një proces demokratik quhet pikërisht proces dhe si e tillë një tolerancë demokratike fitohet çdo ditë. Ndonjëherë bëhen dy hapa para e dy mbrapa. Siç ju thoja, këtu ndoshta situata është më e lidhur me homoseksualët, në një vend tjetër me myslimanët. Pastaj ka vende ku i gjen të dyja, të treja, të katërta... Kjo do të thotë sipas meje se situata e Europës, që është e shkëlqyer nga pikëpamja e ligjeve, ka një praktikë në shumë vende që është shumë e dëmshme dhe negative. Janë të pakta edhe mjetet sanksionuese. Në mungesë të këtyre sanksioneve, gjëja më e rëndësishme sipas meje është informimi publik, kjo që bëni ju, dhe që duhet të përpiqemi ta bëjmë absolutisht. Besoj se ambasadorët europianë këtu në Tiranë kanë marrë pozicion ndaj këtij rasti që ju përmendni në lidhje me homoseksualët. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se duhet të kemi kurajon për të reaguar, që të paktën opinioni publik, përballë dy opinioneve, të përpiqet të krijojë një opinion të vetin.
Por jemi në një situatë që, një çikë kriza ekonomike e një çikë kriza financiare, jemi të gjithë të obsesionuar me të drejtë nga faktori ekonomik ndërsa faktorët e tjerë, që janë ato të dinjitetit individual, të diversitetit, të respektimit të të drejtave të njeriut, janë lënë pak mënjanë. Pikërisht për këtë besoj se të gjitha veprimet në mbrojtje të të drejtave të njeriut duhen nënvizuar pasi njeriu, personi, sigurisht përbëhet nga një zhvillim ekonomik por sidomos nga një zhvillim human. Pjesa ekonomike është një pjesë. E rëndësishme, por një pjesë. Pastaj është liria e zgjedhjes, liria për të dashuruar, për t’u bërë nënë apo baba... pra, një sërë lirish që nuk duhet të jenë në dispozicion të askujt.

-Me të drejtë, ju luftoni shumë për rolin e gruas në shoqëri. Duke ditur që do ju takoja, para se të vija këtu, pyeta një kolege: si të duket gruaja në shoqërinë shqiptare? Mu përgjigj: “Lëre fare, është pa fat!”
Shumë ka ndryshuar. Kemi bërë arritje të shumta. Unë jam 65 vjeç. Nëse shoh prapa kur isha 20, as që e njoh më vendin tim përsa i përket lirive dhe mundësive profesionale. Por jemi shumë larg nga barazia gjinore sepse struktura shoqërore është ndërtuar në mënyrë të atillë. Nuk mendoj se situata është ndryshe në Shqipëri. Nëse shikoj në jug të Mesdheut, shoh mikeshat e mia marokene, tunizjane apo egjiptjane, me të njëjtat aspirata si unë, por jetojnë në një shoqëri si e imja kur isha e re.
Gjëja tjetër që doja t’i thoja koleges suaj është që të mos dorëzohet, pasi, meqënëse ndryshimi është i mundshëm... mund të dëshmojmë që ndryshimi është i mundshëm... është një detyrim të tentosh. Më pas, jo gjithmonë shkojnë gjërat mirë. Ne në vitet 70 bëmë hapa të mëdha përpara. Në vitet 80 u ulëm në një farë mënyrë dhe po rizgjohemi tani.
Kur isha ministre bëra një radiografi të situatës së grave italiane për Europën dhe nga të gjitha pikëpamjet gratë italiane janë të parafundit në Europë se na shpëtonte Malta. Mendoj se kemi ende shumë për të fituar por besoj se askush nuk të jep gjë falas. Ndaj dua t’i them koleges suaj që në vend që të heqë dorë, është mirë të rimarrim në dorë situatën.
 
- Cilat janë disa prej projekteve që po çoni përpara? E di që janë shumë por më të rëndësishmit.
Unë nuk shpik fushata apo beteja për të drejtat. Përpiqem të ndihmoj kë lufton për këtë. Shpresoj të jem drejt fundit të një impenjimi 10-vjeçar kundër gjymtimit gjenital femëror, që ka qenë një lëvizje e gjerë edhe afrikane, që qeveria italiane dhe shoqëria italiane ka ndihmuar në këto 10 vjet dhe unë kam qenë zëdhënëse. Po çojmë përpara një projekt kundër dënimit me vdekje dhe edhe këtu po shtohen vendet abroguese. Kemi zhvilluar kohët e fundit një takim me tibetanët në Romë, shoqëruar me nervozizmin e zakonshëm të Ambasadës Kineze. Kemi edhe një projekt të rëndësishëm për gay dhe lesbike në disa vende afrikane. Po mbështesim grupet dhe lëvizjet që ekzistojnë. Normalisht kjo është ajo që bëjmë.

- Ju u bënë një fytyrë e njohur për shqiptarët në vitin 1999, koha e Luftës së Kosovës dhe e refugjatëve. Nëse shikoni Shqipërinë sot si ka ndryshuar?
Ai që shoh sot është një vend në një proces demokratik të brishtë, në një proces institucional akoma edhe më të brishtë. Shoh një vend që unë shpresoj të mos humbasë vokazionin europian pasi ky vend, ashtu si dhe ne, nuk ka alternativa të tjera. Në botën e globalizuar që kemi sot asnjë vend i vetëm nuk ja del të jetë i rëndësishëm në një takim. Jeni në një moment vendimtar procedural përsa i përket rrugës europiane, unë shpresoj vërtetë që përgjegjësia e forcave politike t’i shtyjë të gjejnë një kompromis pasi e ardhmja europiane është një e mirë për vendin. Dhe për të bërë një kompromis... pra, për të kërcyer tangon duhet të jesh dyshe, përndryshe nëse dikush dëshiron kërcen vetëm, që është në rregull, por nuk është tango.
Nga pikëpamja ime, unë e kuptoj dhe simpatizoj për disa nga problemet që opozita ngre, pasi janë të vërteta, edhe mbi procesin zgjedhor. Por shpresoj që dy nivelet, ai i konfliktit të brendshëm dhe perspektiva europiane të mos ngatërrohen. Ka probleme që duhet të gjejnë një zgjidhje të brendshme dhe është perspektiva europiane për një të ardhme për ju të rinjtë shqiptarë, ashtu si dhe për të rinjtë italianë, që s’mund të jetë veçse europiane. Shpresoj që pasi ta kenë kuptuar që duhet të jesh dyshe për të kërcyer tango, kjo tango të kërcehet. E dimë të gjithë që Europa nuk është në një moment aperturash të mëdha por mendoj se është e rëndësishme të jesh pjesë e kësaj familje të madhe që duhet rithemeluar, rishikuar. Kemi nevojë ta rikrijojmë Europën dhe do më pëlqente që miqtë shqiptarë ta rikrijojnë me ne.

- Në fakt doja t’ju pyesja si e shihni rrugën e integrimit europian të Shqipërisë por ma dhatë përgjigjen. Këtë vit, këtë muaj, në nëntor, Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë. Keni një mesazh për shqiptarët që na shohin?
Po! Që në vitet Dymijë, pavarësia do të thotë ndërvarësi dhe të organizosh ndërvarësinë me të tjerët. Dhe që nëse dëshirojmë të vlejmë diçka përballë miliarda kinezësh e miliarda indianësh, mund të vlejmë vetëm si europianë. Të ulemi në një tavolinë tratativash si europianë. Nuk ka asnjë vend që mund të ja dalë i vetëm. As Gjermania. Pra mesazhi im është fiks ky: çfarë është pavarësia sot? Pavarësia sot është të organizosh ndërvarësinë dhe ta organizosh në respekt reciprok në liri dhe demokraci. Unë nuk njoh një projekt tjetër tani përveçse atij të një Europë për t’u rikrijuar.

- E thënë në një vend ballkanik, mendoj se mesazhi është i qartë. Faleminderit për intervistën!
Faleminderit juve!

(eç/shqiptarja.com)