TIRANË- Duke filluar nga dita e nesërme, do të lëvrohet bonusi i fundvitit për mbi 695 mijë pensionistë në mbarë vendin prej 5000 mijë lekësh. Ndërsa për 66 mijë pensionistë, që kanë pensione invaliditeti do të akordohen edhe plus 6000 mijë lekë të tjera, para që shkojnë në total 11000 lekë. Vendimin e qeverisë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, sot gjatë një deklaratë për gazetarët, ndërsa tha se paketa në total do të jetë prej 4.3 miliardë lekësh të reja.

'Dola sot pas mbledhjes së qeverisë, për një arsye të vetme, sepse kemi marrë një vendim, të cilin ua kemi premtuar pensionistëve dhe sot, falë këtij vendimi, duke filluar nga dita e nesërme do të fillojë lëvrimi i bonusit të fundvitit për të gjithë 695,101 pensionistë, prej 5 mijë lekësh të reja. Edhe pse kemi pasur vështirësi të posaçme këtë vit, vështirësi që dihen, përsëri për ne ka qenë e padiskutueshme që, jo vetëm për pensionistët, por edhe për 66 mijë të tjerë të kategorisë pensionistë, që kanë pensione invaliditeti me përfaqësuesit e të cilëve kemi patur edhe një dialog intensiv në nivelin e Ministrisë së Financave, do të akordojmë edhe plus 6 mijë lekë të tjera, pra të reja, që shkojnë në 110 mijë lekë të vjetra për këta pensionistë, si kompensim i nevojshëm dhe i merituar, bazuar edhe në rezultatet e dialogut që kemi zhvilluar. Në total është një paketë prej 4.3 miliardë lekësh të reja, rreth 40 milionë dollarë që vihet në dispozicion pikërisht të këtyre kategorive që janë edhe kategoritë më në nevojë të shoqërisë sonë. Ndërkohë kemi marrë edhe vendimin për të filluar nga janari i vitit të ardhshëm edhe aplikimin e një tjetër mase të konsultuar me publikun gjatë Këshillimit Kombëtar, për nënat e papuna me tre fëmijë të mitur, të cilave qeveria do t’u paguajë të gjitha sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, njësoj sikur  të ishin në punë.'- u shpreh Rama.

Nga ana tjetër edhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike do të mbështeten me bonusin e fundvitit. Megjithëse, kryeministri Rama nuk bëri të ditur shumën e shpërblimit që do të marrin.

‘Po ashtu, do të mbështesim edhe 64 mijë familje me ndihmë ekonomike, për të cilat siç e dini kemi pasur disa rritje të ndihmës, por gjithsesi mbeten në nevojë dhe në vëmendje për t’u mbështetur edhe me bonusin e fund vitit, si edhe për gjithë kategorinë e paraplegjikëve edhe tetraplegjikëve.’- u shpreh Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:52
30 mijë lekë bonus për festat e fundvitit, nga familjet me ndihmë ekonomike te të verbrit! Ja kategoritë që përfitojnë

Për festat e fundvitit do të përfitojnë edhe katër kategori të tjera, përveç pensionistëve. Sipas VKM-së, do të shpërblehen me 30 mijë lekë familjet me ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si edhe të gjitha ato familje që kanë një person me aftësi të kufizuara i cili trajtohet me kemp.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar shpërblehen financiarisht, për vitin 2022, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a) Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;

b) Familjet të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;

c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;

ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 399 000 000 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në VKM.

Ora 13:26
Braçe akuzoi Ballën, Rama: Të thotë ç’ti dojë e bardha zemër! Hani një lugë mjaltë kur përmendni emrin e tij

 

Për kryeministrin Edi Rama, deputeti socialist Erion Braçe është institucion dhe se mund të thotë çfarë i do e bardha zemër. Kjo ishte përgjigja e kreut të qeverisë pas interesit të gazetarëve për akuzat e Braçes në drejtim të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, se ky i fundit urdhëroi rrëzimin e amendamentit të tij për bujqit.

‘Braçe është institucion dhe të thotë çfarë t’i dojë e bardha zemër se zemrën e ka të bardhë borë. Kur merrni për sipër të komentoni Braçen sigurohuni që paratë keni ngrënë një lugë mjaltë.’- tha Rama.

Ora 13:21
Rama: Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, 100% në përputhje me BE

 

Kryeministri Edi Rama tha se Open Balkan është në përputhje germë për germë me BE-në.

‘Ajo nuk është rezolutë e PE. Open Balkan është një nismë në përputhje të plotë 100% me frymën dhe germën e BE. Është pjellë e procesit të Berlinit. Kemi firmosur ato dokumente që ishin më parë firmosur në Ballkanin e Hapur. Nuk kemi arsye të ndryshojmë opinion për Ballkanin e Hapur, mbase është e drejta e tyre të ndryshojnë opinion mbi Ballkanin e Hapur.’- u shpreh Rama.