Bora e ngrica mbulon vendin
Kapshticë pezullohet lëvizja

Bora e ngrica mbulon vendin<br />Kapshticë pezullohet lëvizja
TIRANË- Moti i keq që ka përfshirë gjithë vendin që prej ditës së djeshme, vazhdon të shkaktojë probleme në disa zona të vendit. Sot në mëngjes reshjet e dëborës janë ndërprerë, por ulja e temperaturave dhe era e fortë, i kanë lënë vendin ngricave. Akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa raportohet për bllokim të disa komunave të thella malore në Korçë, Pukë e Dibër. Më e qetë duket situate në Elbasan.

KORCË
Në Korçë, në juglindje të Shqipërisë, reshjet e borës dhe ngrica kanë shkaktuar vështirësi lëvizjeje në akset nacionale, ndërsa disa komuna të thella malore, si Vithkuq, Mokër, Dardhë janë të bllokuara. Vështirësi lëvizjeje dhe në rrugën që të con drejt pikës turistike të Voskopojës. Rreshjet e borës paraqesin probleme për lëvizjen dhe në aksin Korçë- Kapshticë, në Qafën e Qarrit, Qafën e Llogarasë. Policia rrugore bën apel për kufizimin e lëvizjes së automjeteve sidomos në Qafën e Qarrit, dhe përdorimin e detyrueshëm të zinxhirëve.

KAPSHTICË

Policia doganore greke pezullon lëvizjen e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë për shkak të reshjeve të bores që kanë bllokuar aksin Kapshticë-Kozanë.Burime nga policia doganore e Kapshticës, thanë për “shqiptarja.com” se pala greke njoftoi autoritetet shqiptare doganore për bllokimin e rrugës për shkak të dëborës dhe mos lejimin e lëvizjes së automjeteve të tonazhit të rëndë dhe të autobusëve, pasi lëvizja e tyre mund të jetë e rrezikshme për jetët e njerëzve. Raportohet se lëvizja është bllokuar që prej orëve të mbrëmjes dhe do të vazhdojë të jetë i tillë deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës. Ndërsa mjetet e vogla mund të lëvizin vetëm të pajisur me zinxhirë.
Në Kapshticë është njoftuar dhe për një defekt në sistemin kompjuterik të doganës greke. Për disa orë, të paradites së sotme asnjë makinë nuk ka kaluar pikën doganore për shkak të defektit. Më pas policia kufitare ka vazhduar punën duke mbajtur shënimet në regjistër. Policia kufitare e Kapshticës i bën apel qytetarëve shqiptarë të shmangin lëvizjen drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kufitare, pasi dekfeti kompjuterik, temperaturat e ulëta ngrica dhe akulli nëpër rrugë mund të shkaktojë probleme, por dhe vonesa në lëvizjen e tyre.

PUKË
Në Pukë, në veri të Shqipërisë, reshjet e borës i kanë lënë vendin ngricave. Akulli është present në shumë segmente rrugore, ndërsa në Qafën e Malit bora arrin deri në 40cm. Gjatë orëve të mbrëmjes është shënuar një aksident rrugor në aksin Shkodër- Pukë, por fatmirëisht pa të lënduar në njerëz. Makina me targa SH3717 E doli nga rruga, por nuk raportohen për viktima. Akset rrugore nacionale janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Gjatë gjithë natës, kanë punuar borë pasturese për të mbajtur të hapura akset nacionale, duke hedhur skorie e kripë. Aksi Bardhet- Iballë është i bllokuar.

KUKËS
Reshjet e dëborës që kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme kanë sjellë izolimin e mjaft fshatrave të zonës rurale në rrethin e Kukësit. Janë izoluar fshatra të veçantë të komunave të Zapodit, Shishtavecit, Grykë Cajës, Kalisit, Arrnit e ndonjë tjetër, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth 40 centimetra.
Lëvizja e automjeteve me zinxhirë nuk është ndërprerë në akset kryesore rrugore Kukës -Daj Rec, Kukës-Krumë dhe Kukës - Qafë Shllak. Në këto akse trashësia e dëborës arrin në 30 centimetra, ndërsa ka patur edhe rrëshqitje dherash e gurësh, por që janë pastruar nga punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve. Një numër mjetesh janë angazhuar për hedhjen e kripës e skorjes në akset kryesore rrugore, si dhe policia rrugore ka shtuar postoblloqet në akse, duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve, që nuk janë të pajisur me zinxhirë, ndonëse deri tani nuk është shënuar asnjë rast aksidenti automobilistik.

SHKODËR
Probleme janë shënuar në zonat e thella malore. Ka patur probleme të qarkullimit në zonat e Iballës dhe të Krrabës në rrethin e Pukës, në Malin e Shoshit të rrethit Shkodër dhe në aksin e Qafë Thores dhe Vermosh të rrethit Malësi e Madhe. Niveli i dëborës në disa zona ka shkuar deri në një metër trashësi. Të gjitha rrugët nacionale të qarkut Shkodër janë të kalueshme. /a.ke/

ELBASAN
Në Elbasan situata është më e qetë, akset rrugore nacionale janë të kalueshme, dhe nuk ka asnjë komunë apo fshat të bllokuar, bëjnë të ditur burime nga drejtoria e emergjencave civile. Ndërprerja e reshjeve, ka sjellë normalizimin e situatës në të gjitha segmentet e rrugëve kombëtare. Në segmentet problematike, Qafë Thanë e Qafë Krrabë, qarkullimi është normal. Edhe rrugët komunale nuk janë të bllokuara, pavarësisht se reshjet e borës arrijnë deri në 25-30 cm. Nuk raportohen për aksidente rrugore, ndërsa ka pasur ndërprerje të energjisë në disa komuna.

SARANDË
Pa tragete dhe pa peshkarexha ka qenë ditën e sotme deti mes Sarandës dhe Korfuzit.
Visarjon Qejvani, oficer pranë kapitenerisë së Sarandës, pohon se nga orët e para të mëngjesit të së shtunës nuk është lejuar lundrimi i tragetit të parë që niset nga porti i Korfuzit (Greqi) në drejtim të Sarandës.
"Dallgëzimi i shtuar i detit në kuotën 7-8 ballë, që konsiderohet i papërballueshëm nga tragetet, e ka bërë të pasigurtë udhëtimin, si për ekuipazhin, ashtu dhe për udhëtarët”, tha Qejvani. Sipas tij, kjo ka bërë që linja Korfuz-Sarandë e anasjelltas të bllokohet. Për shkak të detit të trazuar si rallë herë, kjo masë ka qenë e detyrueshme edhe për peshkarexhat. Ndërkohë që nuk dihet se sa do të zgjatë e njëjta situatë meteorologjike që ka paralizuar ditën e sotme funksionimin e linjës së trageteve dhe gjuetinë e peshkatarëve.

DIBËR
Në qarkun e Dibrës ka patur probleme në furnizimin me energji elektrike. Ngricat kanë bërë të pakalueshem aksin Peshkopi - Librazh, ndërsa të bllokuara janë komunat Lurë, Kalaja e Dodës dhe Sllova.


PËRMET-GJIROKASTËR
Mbetet e bllokuar komuna Frashër, ndërsa në komunat Pogon e Zagorie të Gjirokastrës, lëvizja kryehet me zinxhirë.

(aq/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje