Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Evarist Beqiri e sheh si të nevojshme për paqen, krijimin e organizatave si Bordi i Paqes për Gazën.
Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, Beqiri u shpreh se mekanizmat aktualë, si OKB apo OSBE nuk arrijnë të parandalojnë apo përfundojnë konflikte.
“Domosdoshmëria lind nga fakti se mekanizmat aktualë, të cilat mbajnë në këmbë rendin ndërkombëtar, nuk janë lartësinë e detyrës. Pra, po të shikojmë konfliktet e fundit, OKB, apo OSBE, nuk kanë qenë në gjendje të parandalojnë konfliktet, por edhe t’i zgjidhin. OKB nuk po e bën të mundur një marrëveshje paqe në Ukrainë. Unë gjykoj se është e domosdoshme të rishikohen mënyrat se si funksionojnë këto organizata ndërkombëtare dhe të bëhen më efektive.
Ka nevojë për riorganizim, rienergjizim, dhe kjo iniciativë e presidentit Trump vjen në këtë moment dhe buron nga fakti që kemi konflikt prej shekujsh në Lindjen e Mesme dhe zgjidhja që iu dha me marrëveshjen e paqes, parashikon dhe ngritjen e një Bordi të Paqes. Pa zhvillim ekonomik, nuk ka si të ketë dhe stabilitet. Është shumë e rëndësishme që aty të kemi një ndryshim të tillë, siç parashikon dhe plani i paqes. Aty do jetë gur prove edhe për këtë nismë. Presidenti Trump e ka konceptuar përtej kësaj, supozon që kjo organizatë të vazhdojë përtej Gazës, dhe të parandalojë konflikte në rajone ku ka problematika në botë.”, theksoi ai.
Beqiri shtoi se për vende të vogla si Shqipëria dhe Kosova, anëtarësimi në Bordin e Paqes, është mundësi shumë e mirë, por ka edhe risqe. Sipas tij, anëtarësimi në Bordin e Paqes, duhet shfrytëzuar për të pasur zë në tavolinat vendimmarrëse.
"Për vende të vogla, si vendi ynë, kjo është mundësi, por ka edhe risqe brenda. Nëse shkon si spektator, angazhimi duhet të jetë përmbajtësor. Për Kosovën, firmosja atje është shumë pozitive. Një vend që ka nevojë për njohje ndërkombëtare, si një shtet që kontribuon për stabilitetin në rajon, pjesëmarrja në forume të tilla ndërkombëtare është jashtëzakonisht e mirëpritur. Duhet shfrytëzuar për të pasur zë në ato tavolina vendimmarrëse. Edhe për Shqipërinë, roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, është konsoliduar në këtë rajon, por edhe përtej rajonit. Kjo është mundësi tjetër, për ta çuar përtej rolin tonë në rajon. E rëndësishme është që në disa kauza, çështje, klasa politike të tregojë një farë maturie.
Mund të firmoset më vonë, nuk jam në gjendje të them a ka pasur ftesë, apo është sqarimi që bëri në Kuvend. Nuk dua të spekuloj, i takon ta sqarojë kryeministri. Për vende të vogla, kjo është një mundësi, por edhe rrezik nga ana tjetër nëse nuk shfrytëzohet si duhet dhe nëse shkon si spektator, e nuk je në gjendje të mbrosh pozicionin tënd. Sapo është firmosur, duhet parë me kujdes si do zhvillohet në të ardhmen kjo iniciativë. Unë gjykoj se është pozitive dhe bota ka nevojë për iniciativa të tilla.", nënvizoi Beqiri.
Lidhur me çështjen e Groenlandës, eksperti deklaroi se në parim është arritur një marrëveshje mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Në Davos ai arriti mirëkuptim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Arrijnë ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Duket se ka një marrëveshje kuadër, nuk ka një marrëveshje të formalizuar. Flitet për angazhim më të madh të NATO-s në këtë rajon. Flitet se do gjendet një marrëveshje e ngjashme, me marrëveshjen që kanë amerikanët me vende të tjera, ku kanë prezencë të caktuar ushtarake, të shtuar. Ka një farë mirëkuptimi parimor. Do ketë marrëveshje me Danimarkën dhe Groenlandën, ku do jetë edhe NATO pjesë e saj.", tha Beqiri.
Sa i takon negociatave mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, Beqiri tha se pika kyçe e bisedimeve, mbetet Donbasi.
“E rëndësishme është që kemi një takim trepalësh. Këtu kemi format interesat, janë bërë palë dy superfuqitë dhe Ukraina. Negociatat janë në ditën e dytë sot, janë sekrete për momentin. Pika kyçe është Donbasi. Rusia ka rezerva për planin e SHBA. Rreth 19% e territorit të Ukrainës është në duart e rusëve. Donbasi është pika nevralgjike. Unë gjykoj që rusët kanë bërë manovrat e tyre, ndryshe sillen në negociata dhe ndryshe në terren. Mbrëmë kishte sulme me viktima në Kiev dhe rajone të tjera.", përfundoi ai.
Komente










