Bordi i Paqes ka publikuar pranimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese të organizatës.

“Bordi i Paqes e mirëpret Shqipërinë si një anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje.”, thuhet në postimin e Bordit të Paqes në rrjetin social X, shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama.

 

Ndërkaq, Bordi i Paqes ka mirëpritur edhe pranimin e Kosovës në organizatë.

"Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje.", shprehet Bordi.

 

Shqipëria ratifikoi aderimin në Bordin e Paqes, me 110 vota pro në Kuvend. Kryeministri Edi Rama mori ftesë nga presidenti amerikan, Donald Trump, që vendi ynë t'i bashkohej Bordit të Paqes si vend anëtar themelues.

Bordi i Paqes për Gazën, është pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-të, në shtator.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë Bordit legjitimitet ndërkombëtar.

Bordi synon të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës edhe pse karta e bordit të paqes që shtetet anëtare kanë pranuar dhe ratifikuar në parlamentet dhe qeveritë përkatëse nuk e përmend specifikisht Gazën.

Aleatë të tjerë të SHBA-së, si Britania, Franca dhe Italia, kanë thënë se nuk do t’i bashkohen bordit tani për tani.