Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim me anëtarët e ‘Bordit të e Paqes’ më 19 shkurt në Uashington, sipas një zyrtari amerikan dhe diplomatëve nga katër vende që janë pjesë e bordit.
Sipas Axios Shtëpia e Bardhë dëshiron ta përdorë takimin për të çuar përpara zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe për të mbledhur fonde për rindërtim.
"Do të jetë takimi i parë i Bordit të Paqes dhe një konferencë për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës", tha një zyrtar amerikan.
Planet për takimin e nivelit të lartë janë në fazat e hershme dhe mund të ndryshojnë në vijim. Bordi i Paqes i cili kryesohet nga presidenti Donald Trump aktualisht ka 27 anëtarë mes tyre edhe Shqipëria dhe Kosova.
Shqipëria ratifikoi aderimin në Bordin e Paqes, me 110 vota pro në Kuvend. Kryeministri Edi Rama mori ftesë nga presidenti amerikan, Donald Trump, që vendi ynë t'i bashkohej Bordit të Paqes si vend anëtar themelues.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë Bordit legjitimitet ndërkombëtar. Bordi synon të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës edhe pse karta e bordit të paqes që shtetet anëtare kanë pranuar dhe ratifikuar në parlamentet dhe qeveritë përkatëse nuk e përmend specifikisht Gazën.
Komente









