Bordi i Transparencës uli me 6 lekë çmimin e naftës këtë të shtunë.
Sipas vendimit të sotëm nafta do të shitet me një çmim maksimal prej 212 lekësh për litër, nga 218 lekë që ishte përcaktuar më parë.
Ndërsa benzina do të kushtojë jo më shumë se 179 lekë për litër, kundrejt 185 lekëve të një dite më parë.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se për shkeljet e konstatuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Njoftimi i plotë
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 31 Tetor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 212 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 179 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 31 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.






Komente
Komento