TIRANË- Pa kaluar 48 orë nga vendimi i funditBordi i Transparencës ka ndryshuar çmimet e hidrokarbureve të cilat pësojnë një rritje të ndjeshme dhe arrijnë nivelin më të lartë që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme. Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja tavan dhe duke nisur nga sot, nafta nga 203 lekë/litri që ishte do të tregtohet me 218 lekë/litri, duke pësuar një rritje me plot 15 lekë. Çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 206 lekë/litër.

Ndërkohë, benzina ka pësuar një rritje me 6 lekë. Nga 175 lekë litri, tashmë do të tregtohet me 181 lekë/litri. Ndërkohë që i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër. Bordi u mblodh këtë paradite dhe çmimet e reja i njoftoi vetëm 5 minuta para orës 10:30, kur edhe u fut në fuqi vendimmarrja e re.

Subjektet e tregtimit të hidrokarbureve të cilat nuk i respektojnë çmimet e vendosura nga bordi, gjobiten, deri në pezullim të licencës nëse nuk reflektojnë.

"Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministirinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg", thuhet në njoftim. 

Brenda këtyre çmimeve është edhe fitimi i kompanive i ndarë në 3 lekë për litër për shumicën dhe 12 lekë për pakicën. Që prej nisjes së luftës më 28 shkurt, çmimi i naftës me pakicë është rritur me rreth 45 lekë, shtrenjtim me gati 21%.

Ndërkohë në bursë nafta bruto është 112 dollarë fuçia kurse çmimi më i lartë është regjistruar më 24 mars prej 114 dollarë fuçia. Referuar shifrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlera e zhdoganimit të një toni naftë ka arritur në 1345 dollarë më 26 mars, nga 1212 dollarë më 25 mars.

Qeveria ende nuk ka hyrë në veprim për të rishikuar akcizën, pasi ulja e saj me 20% do të bëhet vetëm kur çmimi i naftës të ketë kapur vlerën e 220 lekë për litër. Aktualisht në një litër naftë akciza është 38.8 lekë, dhe nëse do të ulet me 20% zbret në 31 lekë.