TIRANË- Çmimi i naftës pësoi një rritje me 24% që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, por për qeverinë, tregtarët e sektorit të hidrokarbureve nuk abuzuan me çmimet. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat tha se çmimet kanë reflektuar rritjen në bursë dhe se qeveria ka monitoruar tregun dhe për të shmangur abuzimin me çmimet vendosi rikthimin e Bordit të Transparencës.

Ndonëse 1 javë në letër dhe pa asnjë vendimmarrje, Bordi ndërhyri vetëm dje duke vendosur çmimet tavan për naftën që nuk mund të tregtohet më shumë se 203 lekë/litri dhe benzina jo më shumë se 175 lekë/litri. Ky vendim për Konfidustrinë tregoi se tregtarët kanë abuzuar, por ministrja Ibrahimaj theksoi se vetëm dje u pa e nevojshme një ndërhyrje për shkak se tregtarët nuk reflektuan uljen që çmimi i naftës pësoi në bursë.

“Vetëm dje është materializuar një mosreflektim i çmimit të mbylljes së bursës me çmimin në tabelë. Nuk ka pasur abuzim deri ditën e djeshme, edhe dita e djeshme nuk mund të konsiderohet abuzim se jemi kujdesur të monitorojmë. Kemi komunikuar që në momentin që nuk do të ketë reflektim direkt, do të ndërhyjmë me bordin”, tha ministrja Ibrahimaj.

Bordi i Transparencës për qeverinë do të jetë në fuqi deri sa të ketë një stabilizim të situatës dhe kthimin e çmimeve në nivelin e parakrizës, në rast se do të ulen edhe në bursë në atë nivel.

"Do ta mbajmë Bordin të ngritur derisa çmimet të stabilizohen në nivelet e parakrizës. Kjo është një garanci që ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi në momentet kur rriten çmimet, do të kujdesemi që çmimet e karburanteve të rikthehen në nivelet e parakrizës, sigurisht nëse bursat do të rikthehen në nivelet e parakrizës sepse ne jemi vend importues i karburanteve", theksoi ministrja. 

Ministrja e pranon se ka pasur rritje çmimesh edhe në disa produkte të shportës, dhe për këtë arsye kanë nisur një monitorim të rreptë për 80 produkte me qëllim për të shmangur abuzimet. Gjithsesi qeveria nuk mund të ndërhyjë në çmimin e produkteve të shportës, por ministrja Ibrahimaj nuk i përjashton masat për shtresat në nevojë nëse do të jetë e nevojshme.

“Sa i përket masave për shtresa në nevojë, karburantet në shportën e konsumit kanë një peshë vetëm 2%. Ne kemi gjykuar që edhe gjatë krizës së kaluar që çmimet më të ndjeshme për këto kategori janë energjia elektrike dhe shporta e ushqimeve. Ne herën e kaluar nuk ndërhymë në çmimin e energjisë dhe e mbajtëm vetë peshën e bursës dhe sigurisht ndihmuam me paketën e shportës së ushqimeve. Sigurisht ne jemi duke monitoruar ndryshimet e c çmimeve në energji apo ushqime, nuk ka pasur ndonjë rritje të ndjeshme, por jemi në vazhdimësi në monitorim dhe do t’ju njoftojmë për vendimet tona”, tha Ibrahimaj.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Rritja e çmimeve të konsumit, Ibrahimaj: Nuk ndërhyjmë dot në çmim, por në rast nevoje do të suportojmë shtresat në nevojë

 

Për shkak të konfliktit aktiv në Lindjen e Mesme, përveç rritjes së çmimit të karburanteve, rritje është vërejtur dhe në produktet e konsumit ditor. Ministrja e Ekonomisë në përgjigjen e dhënë për gazetarin e Report Tv Isa Myzyraj, Ibrahimaj sqaron se shteti e ka të pamundur të ndërhyjë në çmime, por në rast të rritjes së vazhdueshme, do të suportohen së pari shtresat në nevojë.

“Nuk thamë që do të ndërhyjmë në çmime. Është e pamundur të ndërhyjmë në çmime. Ne jemi duke monitoruar me bazë ditore dhe do të dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive. Në rast do të kemi ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit, atëherë do të suportojmë shtresat që nuk përballojnë rritjen e çmimeve as për një periudhë të përkohshme. Përqendrimi ynë do të jetë tek pensionistët”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:58
Ibrahimaj e pranon: Ka nisur rritja e çmimeve në disa produkte të shportës, do të dalim në terren për monitorimin

 

Produktet e shportës ushqimore kanë nisur të reflektojnë rritjen e çmimeve, tha ministrja Delina Ibrahimaj. 80 produkte ushqimore janë nën monitorim dhe tani një ekip do të dalë në terren. Ministrja theksoi se kryesore është garancia për të mos pasur spekulime.

“Sa u takon ushqimeve, ne po monitorojmë një shportë me 80 ushqime dhe e vërteta është që kanë filluar të reflektohen në disa prej produkteve të shportës çmimet e rritura. Do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime sepse ne kemi përzgjedhur në bashkëpunim me INSTAT këtë listë produktesh dhe një numër të limituar të tregtarëve. Tani do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimeve me realitetin.. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen, do të marrim vendime që lidhen me shportën bazë të konsumit, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Ajo që duhet të garantojmë është që të mos ketë spekulime me rritje të çmimeve të cilat nuk reflektojnë çmimet e zhdoganimit”, tha Ibrahimaj.

Më herët, ministrja tha se rritja e çmimeve nuk ka pasur ende ndikim domethënës.

Ora 10:48
Bordi një javë vetëm në letër, Ibrahimaj tregon pse u ndërhy dje për çmimin e naftës: Tregtarët nuk reflektuan uljen në bursë

 

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tregon se mosreflektimi i menjëhershëm i çmimeve të bursës për naftës nga tregtarët, solli nevojën e ngritjes së Bordit të Transparencës. Ngritja e Bordit ishte paralajmëruar prej 1 jave, ndërsa dje u zhvillua mbledhja e parë dhe u vendos çmimi tavan për shitjen e hidrokarbureve.

“Bordin nuk e ngritëm më parë se kemi bërë monitorim ditor të çmimeve të burës, të kostove të taksave të zhdoganimit, dhe të çmimit të tabelave. Vetëm dje është materializuar një mosreflektimi i çmimit të mbylljes së bursës me çmimin në tabelë. Nuk ka pasur abuzim deri ditën e djeshme, edhe dita e djeshme nuk mund të konsiderohet abuzim se jemi kujdesur të monitorojmë. Kemi komunikuar që në momentin që nuk do të ketë reflektim direkt, do të ndërhyjmë me bordin. Në bazë ditore kemi kalkuluar çmimet dhe kanë qenë të balancuara deri ditën e djeshme. Për mosreflektimin nga ana e tregtarëve, është sepse pardje pati një rënie të bursë dhe dje pati një rritje përsëri të saj. Bursa po luhatet me baza ditore. Ne kemi ekip që përditë monitoron jo vetëm çmimet e burës, jo vetëm në fund por dhe gjatë ditës edhe çmimet e tabelës me qëllim që të jemi të vëmendshëm nëse ka luhatje apo nevojë për ndërhyrje”, tha Ibrahimaj.

Ora 10:43
Ibrahimaj: Bordi i Transparencës, deri në rikthimin e çmimeve para krizës

E pyetur për masat e qeverisë lidhur me rikthimin e çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se Bordi i Transparencës do të qëndrojë derisa çmimet të rikthehen në nivelin e parakrizës, si rrjedhojë e ndryshimit në bursë.

Sa për ndihmën ndaj shtresave në nevojë, Ibrahimaj tha se në rast se do të nevojitet ndërhyrje, nuk do të ndryshojë çmimi i energjisë elektrike. Në produktet e shportës nuk është shfaqur ende një rritje e konsiderueshme, tha ministrja.

“Sa i përket rikthimit të çmimeve në nivelet e parakrizës, ne kemi ngritur Bordin e  Transparencës në të cilin përcaktojmë çmimet (disa) ditore në varësi të luhatjeve të bursës. Do ta mbajmë Bordin të ngritur derisa çmimet të stabilizohen në nivelet e parakrizës. Kjo është një garanci që ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi në momentet kur rriten çmimet, do të kujdesemi që çmimet e karburanteve të rikthehen në nivelet e parakrizës, sigurisht nëse bursat do të rikthehen në nivelet e parakrizës sepse ne jemi vend importues i karburanteve.

Sa u përket ndërhyrjeve në suportin e shtresave në nevojë, karburantet në shportën e konsumit kanë një peshë prej 2% dhe bëhet fjalë për peshën e një familje mesatare shqiptare, dhe jo për peshën që këto produkete kanë në familjet e shtresave në nevojë apo pensione. Kemi gjykuar që për pensionistët dhe shtresat në nevojë çmimi më i ndjeshëm është energjia elektrike dhe shporta bazë e ushqimeve. Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje, siç kemi bërë më parë në krizën e kaluar, nuk ndryshuam çmimin e energjisë dhe ndërhymë në disa paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë. Jemi duke monitoruar çmimet, fatmirësisht nuk ka pasur ende një ndikim domethënës në këto tregje, por do të vijojmë t’i ndjekim”, tha Ibrahimaj.