Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Stamboll në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk, Hakan Fidan.

Platforma synon të shërbejë si një tryezë dialogu për forcimin e bashkëpunimit rajonal, me vëmendje te ndërlidhja rajonale infrastrukturore, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike, integrimi europian dhe ruajtja e paqes në Ballkan teksa Shqipëria dhe Kosova janë ftuar të jenë pjesë e Bordit të Paqes për Rindërtimin e Gazës.

Gjatë diskutimeve, ministri Fidan nënvizoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri për ndërtimin e paqes, të krijuar nga Donald Trump, në një kohë, sipas tij, të shënuar nga pasiguri dhe tensione ndërkombëtare. Ministrja Spiropali theksoi se Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

Sipas Spiropalit, bashkëpunimi me aleatët strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, çel një kapitull të ri në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në botë.

Në kuadër të vizitës së saj në Turqi, Spiropali pati edhe një takim dypalësh me ministrin Fidan, ku u diskutua për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë. Sipas Spiropalit, ky bashkëpunim do të marrë një peshë të re me zhvillimin e takimit të tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve, që pritet të mbahet gjatë këtij viti.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Spiropali pritet të zhvillojë edhe një takim me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Platforma për Paqe Ballkanike është një nismë e Turqisë që synon të rrisë dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri gjeopolitike dhe sfida të reja për sigurinë në Evropën Juglindore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:40
Spiropali vizitë në Stamboll, pritet nga ministri i Jashtëm turk: Partneriteti strategjik mes dy vendeve është në rritje! Bashkëpunim për Samitin e NATO-s në Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Stamboll ku do të marrë pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk Hakan Fidan.

Platforma është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë me fokus zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi ndërlidhjen e infrastrukturës, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe mbrojtjes.

Përpara takimit të nivelit të lartë, Ministrja Spiropali u prit në një takim nga Ministri Hakan Fidan, me fokus thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët.

Spiropali theksoi se "partneriteti strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona përgjatë këtij viti."

"Mbajtja e Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin tjetër në Tiranë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve mike", tha Spiropali.

Në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në kontinent por edhe me gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë në rajon.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.